Urim në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit
Kryesia e Akademisë së Shkencave uron, sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të së Drejtës së Autorit gjithë njerëzit e punës mendore, të gjithë ata që kanë privilegjin fisnik të krijuesit dhe krijimtarisë.
E caktuar në nderim të ditës së ndarjes nga jeta të dy gjenive të letërsisë, Shekspirit dhe Servantesit, sot në gjithë Botën 23 Prilli festohet si dita e studiuesve dhe e shkrimtarëve, dita e projektuesve dhe e vlerave origjinale krijuese.
Lidhur me kuptimin simbolik që ka kjo ditë e shënuar, në Prishtinë hapi siparin Panairi mbarëkombëtar i librit akademik e shkencor.
Kjo veprimtari e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Arteve e Kosovës ka mbërritur në edicionin IV.
Panairi ka mbledhur bashkë në Prishtinë, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës: botues të librit shkencor, kërkues, studiues, autorë dhe lexues të interesuar të këtyre botimeve, nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, Mali i Zi.