Lamtumirë Ismail Kadare! - nga e gjithë bota akademike!
– U zhvillua sot ceremoni solemne në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për t’i dhënë lamtumirën shkrimtarit e akademikut Ismail Kadare
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u organizua sot më 3 korrik 2024 ceremoni solemne për t’i dhënë lamtumirën në emër të gjithë botës akademike shqiptare shkrimtarit e akademikut Ismail Kadare; kryeakademikut për nga vlera e jehona e veprës së tij me famë ndërkombëtare.
Të pranishëm ishin akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; zëvendëskryetari akad. Vasil Tole; sekretari shkencor akad. Shaban Sinani, anëtarë të Kryesisë së Akademisë së Shkencave dhe trupa akademike.
Ishin të pranishëm gjithashtu zëvendëskryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Justina Shiroka-Pula; ambasadorja e Francës në Tiranë znj. Catherine Suard, miq dhe bashkëpunëtorë të shkrimtarit Ismail Kadare.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi në fjalën e tij e vlerësoi shkrimtarin Ismail Kadare si busull të përcaktimit europian të Shqipërisë, korife të përkatësisë europiane të popullit shqiptar. Kadareja është figurë identitare e popullit shqiptar, krahas Skënderbeut, Ismail Qemalit e Nënë Terezës, – tha akad. Gjinushi.
Duke e vlerësuar veprën e Ismail Kadaresë si testament qytetërimi e identiteti, akad. Skënder Gjinushi tha se humbja fizike e Kadaresë është padyshim humbja më e madhe e letrave shqipe; është një humbje shumë e madhe e kulturës dhe letërsisë europiane e botërore, e akademizmit shqiptar e atij europian. Vepra e Kadaresë i ka kaluar me kohë kufijtë e Shqipërisë, të botës shqiptare, dhe bën pjesë në patrimuanin e letërsisë botërore, tha akad. Gjinushi.
Në fund të fjalës së tij ai shprehu dhimbjen për këtë humbje të madhe, duke i përcjellë ngushëllimet familjes së akademikut Ismail Kadare e tërë komunitetit akademik; atij të letërsisë, kulturës e arteve; tërë inteligjencës shqiptare, për humbjen e ikonës së tyre, me premtimin se ne, si akademi shkencash, do të krenohemi gjithnjë që I. Kadare ka qenë anëtar i saj dhe që vepra e tij do të ruhet si një nga thesaret e kulturës sonë e të shkencave albanologjike, do t’u përcillet brezave si një testament qytetërimi e identiteti, si një pasuri e vyer kombëtare.
Nënkryetarja e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Justina Shiroka-Pula në fjalën e lamtumirës në emër të kryesisë së kësaj akademie kujtoi se në vitin 1991 Kadare u zgjodh anëtar i jashtëm i ASHAK për kontributin e çmuar në fushën e letërsisë. Akad. Shiroka theksoi se shkrimtari Ismail Kadare është personaliteti qendror i kulturës shqiptare në gjysmën e dytë të shek. XX, protagonist i zhvillimeve më të përparuara në letërsinë shqipe gjatë kësaj periudhe dhe do të mbetet një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë shqipe dhe asaj europiane.
Ambasadorja e Francës në Shqipëri znj. Chatherine Suard tha se shkrimtari Ismail Kadare mishëroi me jetën me veprën dhe me personalitetin e tij pasurimin e dialogut, forcën e shpirtit europian dhe vokacionin mikpritës të Francës. Ajo vuri në dukje shpirtin e lirë krijues të shkrimtarit duke u bashkuar me luftëtarët e rezistencës së stilit të lirisë.
Ambasadorja Suard kujtoi romanin “Pallati i ëndrrave” dhe peripecitë e shkrimtarit në diktaturë, të cilit ia ndaluan botimin e veprës. Ajo kujtoi më tej largimin e shkrimtarit nga Shqipëria drejt Francës, vendit që kishte përkthyer i pari librat e tij. Largimi i tij çoi në protestat e para studentore kudër regjimit diktatorial. Që atëherë, mes kryeqytetit të Francës dhe atij të një Shqipërie të kthyer në demokraci dhe më në fund të rikthyer në vetvete, ai ndau ekzistencën e tij mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve, tha ambasadorja Suard.
Në fund të fjalës së saj ambasadorja Suard u shprehu ngushëllimet më të thella të dashurve të shkrimtarit, lexuesve dhe popullit shqiptar.
Pirro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare, e vlerësoi Ismail Kadarenë si një nga shkrimtarët me jetën më të gjatë në krijimtari, mbi shtatë dekada, dhe shprehu falënderimet për shkrimtarin e madh për faktin që në kohë të errëta me krijimtarinë e tij dha një dritë shprese për gjithë bashkëkohësit dhe vendin e tij, e më gjerë.
Znj. Evis Kushi, zëvendëskryetare e komisionit parlamentar për edukimin dhe mjetet e informimit publik, tha se përpara madhështisë së Ismail Kadaresë jam njësoj si mijëra e miliona lexues e adhurues të tij në të gjithë botën. Padrejtësisht nuk ia akorduan çmimin Nobel, por kjo nuk ia zbeh aspak shkëlqimin. Përkundrazi, çmimi Nobrl do të jetë si i cunguar pa të. Për Kadarenë asnjë çmim ndërkombëtar nuk do t’i kishte dhënë lavdinë dhe adhurimin që ka sot, dhe jo vetëm të popullit të tij, por të miliona lexuesve në mbi 40 gjuhë të botës.
Vetë Ismail Kadare, i dha më shumë dinjitet dhe përmasa evropiane letrave shqipe dhe gjithë popullit shqiptar kudo në botë.
Znj. Kushi vuri në dukje edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Ismail Kadaresë për Kosovën, duke u bërë zëri i saj në kancelaritë diplomatike në botë, nëpërmjet veprave të tij letrare por edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, e duke frymëzuar kështu breza të tërë, intelektualë, politikanë, patriotë e njerëz të zakonshëm.
Akad. Shaban Sinani theksoi se vepra e Kadaresë do të jetë “buka jonë e përditshme”, dhe për këtë do t’i jemi gjithnjë mirënjohës. Më tej ai theksoi disa merita përjashtimore të veprës letrare, eseistike dhe publicistike të Ismail Kadaresë, që me veprën e tij, sidomos me prozën, e nxori letërsinë shqipe përtej kufirit të ngushtë të gjuhës sonë; Ismail Kadare e bëri letërsinë shqipe letërsi metropolitane; që prej statusit të një letërsie lokale dhe të mbyllur, i dha statusin e një letërsie europiane e botërore; letërsia e Kadaresë u bë për herë të parë pasqyrë e dukurive metafizike të botës njerëzore; me veprën e tij Ismail Kadare krijoi një Shqipëri paralele, të fisnikëruar, të denjë për familjen që i kishte takuar prej kohës kur europeizmi ishte shfaqur si ide e projekt, prej shekujve të Renesancës, etj, etj.
Botuesi i Kadaresë Bujar Hudhri, president i shtëpisë botuese “Onufri” rrëfeu kujtime nga bashkëpunimi me shkrimtarin dhe me lexuesit e tij. Ai foli për botën e tij të veçantë dhe u shpreh se ndihej shumë i nderuar që ishte i pranishëm në jetën e një shkrimtari botëror si Ismail Kadareja.
Prof. dr. Viola Isufaj theksoi se vepra e Ismail Kadaresë është më shenjuesja e origjinalitetit dhe e identitetit shqiptar, njëkohësisht më e plota, më thellësorja dhe më tërheqësja – e është kjo arritje estetike e letërsisë shqipe, e vlefshme madje dhe për masivet e mëdha romanore epope të tij, të cilat, së bashku me vepra të tjera do të japin një ndriçim polihistorik të ekzistencës.
Akad. Gëzim Hoxha lexoi fjalën e lamtumirës të akad. Matteo Mandalà-së. “Mjeshtër i dashur, mik i shtrenjtë i arbëreshëvet!”, – e quan Kadarenë akad. Matteo Mandalà. Ai kujtoi vizitën e paharrueshme që Kadare bëri në Horën e Arbëreshëve, i shoqëruar nga e shoqja Helena dhe nga mbesa Doruntina dhe theksoi se “Kadare ka qenë një nga përfaqësuesit më karizmatikë të letërsisë botërore, ndër interpretuesit më të thellë të shoqërisë bashkëkohore, dëshmitar i pashoq i tragjedisë që ngërthen hera-herës shoqërinë njerëzore duke i mohuar të drejtat më elementare. Për këtë arsye vepra k vepra e Ismail Kadaresë është tempulli i vërtetë ku ai prehet sot”.
Prof. Bashkim Kyçyku tha se me veprën e Ismail Kadaresë letërsia shqipe u ngjit në majat e letërsisë europiane e botërore … Kështu, po për herë të parë, letërsia shpie mori dhe një funksion tjetër, të ri, funksionin në letërsi dhe kultura të tjera.
Ai theksoi se me veprën e tij nuk njëjtësohet/identifikohet vetëm letërsia shqipe në Europë dhe në vende të kontinenteve të tjerë, por edhe gjuha shqipe me të cilën është shkruar, shpirti dhe fryma shqiptare, kultura dhe traditat nga më të moçmet, të cilat janë mishëruar mjeshtërisht e gjerësisht. Dhe, mbi të gjitha, me të, shpesh njëjtësohet identiteti shqiptar.
Akademik Vasil Tole tha se vepra e Kadaresë ka zgjeruar dhe riformatuar përmasat e munguara të lirisë individuale të çdo shqiptari. Përveçse autoritet qendror artistik e kulturor i vendit, me veprën e tij Kadare ka zgjuar natyrshëm tek unë interesimin mbi lidhje të mundshme të saj me muzikën, vijoi ai.
Pesha dhe rëndësia e veprës letrare të Ismail Kadaresë ndikoi së tepërmi tek muzika skenike, opera dhe baletet shqiptare të pas Luftës II Botërore e posaçërisht tek ajo që konsiderohet si muzikë me program. Arti i Kadaresë, tha ai, ka tërhequr dhe do të tërheqë krijuesit e arteve të tjera, pasi arti i tij është komplementar dhe shumë shtresor, ashtu si kënga polifonike e popullit që ai e donte aq shumë. Te shtresat dhe përbërësit strukturorë të kësaj tradite ai gjeti larminë kulturore të njerëzve dhe të botës, se këtë larmi nuk mund ta perceptosh dot e veç e veç përmes fjalës, tingullit ose lëvizjes, as si individ i shkëputur, por vetëm si artist, pjesë e grupit, e së tërës.