Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, priti në një vizitë miqësore Ambasadoren e Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë znj. Adia Sakiqi
Sot, më 18 nëntor 2025, Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, priti në një takim miqësor znj. Adia Sakiqi, Ambasadore e Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë.
Gjithashtu, pjesë e takimit ishin dhe akad. Vasil Tole, zëvendëskryetari i ASHSH-së, sekretarja shkencore akad. Anila Hoda, akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Adem Bunguri, drejtor i Institutit të Arkeologjisë, si dhe prof. asoc. Elda Zotaj, drejtuese e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun.
Shtylla kryesore e takimit ishte diskutimi i mundësive dhe projektideve për të ndërmarrë nisma të përbashkëta, të cilat mund të kontribuojnë në avancimin e kërkimeve shkencore dhe në rritjen e prezencës së Shqipërisë në institucionet akademike dhe kulturore të Gjermanisë.
Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë znj. Sakiqi falënderoi kryetarin akad. Gjinushi për mikpritjen dhe e vlerësoi këtë takim si një mundësi për të diskutuar, nxitur dhe zhvilluar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve në fushën e studimeve albanologjike, historike, arkeologjike të shkencave të natyrës etj., me synimin për të promovuar trashëgiminë kulturore të vendit tonë dhe për të forcuar lidhjet shkencore shqiptaro–gjermane. Në fjalën e saj, ajo u ndal në propozime konkrete lidhur me organizimin e përbashkët të një simpoziumi shkencor me studiues shqiptarë dhe gjermanë, si dhe veprimtari të tjera kërkimore gjatë vitit 2026 me fokus shkencat e albanologjisë.
Ambasadorja shprehu vullnetin për të thelluar dhe zgjeruar bashkëpunimin mes institucioneve kërkimore gjermane me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në mënyrë të veçantë për forcimin e katedrave të gjuhës shqipe në Gjermani. Ajo theksoi nevojën dhe ndërhyrjen e Akademisë në rritjen e pranisë së produktit shkencor shqiptar në gjuhën gjermane dhe angleze në bibliotekat e universiteteve dhe institucioneve kërkimore-shkencore të Gjermanisë. Në këtë kuadër, ajo propozoi një bashkëpunim më intensiv dhe afatgjatë për vënien në jetë të këtyre nismave.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, shprehu vlerësim për rolin aktiv të ambasadës në krijimin e urave të bashkëpunimit dhe afrimin e komuniteteve shkencore mes dy vendeve. Ai falënderoi ambasadoren për rëndësinë që po i kushton promovimit të fushës së albanologjisë në një vend si Gjermania, një ndër mbështetësit kryesorë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Forcimi i katedrave të Albanologjisë kudo nëpër Europë është shumë i rëndësishëm për ne si Akademi Shkencash. Ai e njohu ambasadoren me potencialet dhe hapësirat për mbështetje dhe bashkëpunim që mund të ndërmerren në të ardhmen mes ambasadës dhe akademisë jo vetëm për organizimin e simpoziumeve shkencore, por dhe për prezantimin e botimeve të ASHSH-së në ambasadë, publikimin e botimeve dygjuhëshe (shqip–gjermanisht) për tema shkencore ose historike, nxitjen e projekteve të përkthimit të veprave shkencore shqiptare të personaliteteve të shkencës së Albanologjisë, si Çabej, Camaj etj. në gjermanisht.
Diskutimet vijuan me arritjet e komunitetit shqiptar në Gjermani, sidomos me kërkuesit tanë në institucionet shkencore kërkimore gjermane, si edhe shfrytëzimin e mundësive për forcimin e rrjetëzimit në organizimin e bashkëpunimeve shkencore, aktiviteteve kulturore, konferenca dhe ekspozita për të promovuar Shqipërinë.