Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, priti në një vizitë miqësore Rektorin e Universitetit New York Tirana, prof. dr. Ali Güneş
Sot, më 12 nëntor 2025, Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, priti në një takim miqësor prof. dr. Ali Güneş, rektorin e Universitetit New York Tirana.
Në takim morën pjesë edhe akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, si dhe prof. asoc. Elda Zotaj, drejtuese e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun.
Qëllimi i takimit ishte njohja e ndërsjellë dhe shqyrtimi i mundësive konkrete për bashkëpunim në fusha me interes të përbashkët.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, i uroi mirëseardhjen rektorit, prof. Ali Güneş, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e Universitetit New York Tirana si një ndër institucionet më prestigjioze të arsimit të lartë në Shqipëri. Ai e njohu rektorin me zhvillimet e reformës që ka ndërmarrë Akademia e Shkencave vitet e fundit, duke u ndalur te funksionimi dhe aktiviteti kërkimor-shkencor i strukturave të saj, si edhe te hapat që do të ndërmerren në të ardhmen për rritjen e cilësisë së veprimtarisë shkencore.

Rektori, prof. dr. Ali Güneş, falënderoi për mikpritjen dhe e vlerësoi këtë takim si një mundësi për të nxitur dhe zhvilluar bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve. Në fjalën e tij, ai theksoi se vizita kishte dy qëllime kryesore: së pari, nisjen e bisedimeve për nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet palëve dhe së dyti, propozimin për organizimin e një veprimtarie të përbashkët shkencore mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademisë së Shkencave të Turqisë, Universitetit New York Tirana dhe Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes të Turqisë.
Diskutimet vijuan mbi zhvillimet kryesore, sfidat dhe prioritetet në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në të dyja vendet, si dhe mbi mundësitë për konkretizimin e bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta, konferencave dhe publikimeve shkencore.
