Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, priti në një takim miqësor prof. emeritus Brian D. Joseph, bashkautorin e veprës “The Balkan languages”
Në takim ishin të pranishëm sekretarja shkencore e ASHSH-së, akad. Anila Hoda; kryetari i Institutit të Gjuhës dhe të Letërsisë, akad. Valter Memishaj; prof. asoc. Aristotel Spiro; shefja e marrëdhënieve me jashtë, prof.asoc. Elda Zotaj.
Takimi u mbajt përpara se vepra “The Balkan languages” të prezantohej në veprimtarinë shkencore të organizuar në ASHSH me temën “Gjuhët e Ballkanit në një dimension të ri”.
Fillimisht u zhvillua një bisedë kortezie rreth kontributit shkencor mbi 25-vjeçar të autorëve prof. emeritus Brian D. Joseph dhe prof. emeritus Victor A. Friedman, që kurorëzuan publikimin e librit “The Balkan Languages“ (Cambridge University Press, 2025).
Autorët e kësaj vepre janë albanologë të mirënjohur, si dhe anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akad. Gjinushi e falënderoi prof. emeritus Joseph-in për punën e palodhur në hulumtimet akademike dhe kërkimet në terren me kontribute të vlerësuara botërisht në studimet indoeuropeistike dhe albanologjike, dhe për faktin që autorët zgjodhën Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për të bërë përurimin e veprës së tyre më të fundit e më të rëndësishme, ku gjuha shqipe zë një vend qendror.
Prof. emeritus Brian D. Joseph foli për rrugën sesi i ishte përkushtuar studimit të shqipes, për rolin e veçantë që ajo luan në studimin e gjuhëve ballkanike, duke falënderuar e shprehur interesin për bashkëpunimin me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, pjesë e Akademisë së Shkencave.