Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi takim me gazetarë dhe përfaqësues të mediave
Me rastin e festave të fundvitit, Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi priti sot gazetarë dhe përfaqësues të mediave.
Në eventin festiv të organizuar me këtë rast ishin të pranishëm anëtarë të Kryesisë dhe drejtues të instituteve, komisioneve e njësive kërkimore të ASHSH-së.
Kryetari akad. Gjinushi mbajti një fjalë përshëndetëse ku shprehu falënderimet për pjesëmarrjen në këtë takim miqësor dhe për kujdesin e vazhduar e mbështetjen e pakursyer mediatike gjatë vitit 2025. Ndërsa vlerësoi punën e gazetarëve, ai theksoi domosdoshmërinë e komunikimit e bashkëpunimit me median të institucioneve të arsimit e të shkencës për informimin e opinionit të gjerë për zhvillimet e perspektivat në këto fusha, të cilat janë të lidhura me interesat e të ardhmen e tërë shoqërisë e sidomos të gjeneratave të reja.
“Media e Akademia kanë një gjë të përbashkët, si dy përfaqësuese të pjesëve më të ndërgjegjshme e më të përgjegjshme të inteligjencës shqiptare, ne duhet të kemi një aleancë në pasqyrimin me vërtetësi dhe mbrojtjen e kontributeve e vlerave më të mira të saj e të simboleve e ikonave ndër vite, përballë mediokritetit, amatorizmit, diletantizmit e dashakeqësisë, qofshin këto dhe të motivuara nga “pasioni”, tipare që shfaqen nga pjesë e individë të shoqërisë a të politikës.
Veçanërisht e domosdoshme është kjo aleancë në dy aspekte kryesore në pasqyrimin e drejtë të tezave të albanologjisë e njohjen e meritave sipas kontributit shkencor të atyre që i formuluan e provuan shkencërisht e atë të punës e kontributit të trupës akademike në institute e IAL-ve, në tërësi.
Edhe veprimtaria e rezultatet e këtyre 6 viteve të fundit kanë shërbyer në konsolidimin e këtyre tezave për origjinën e lashtësinë e popullit e të gjuhës shqipe, për origjinën indoeuropiane e rrugëtimin e tyre mbi 8 mijë vjeçar e këtu roli i Akademisë e akademikëve, në kuptimin e gjerë, ka qenë parësor. Këto të vërteta do të rikonfirmohen e pasqyrohen në historinë e re e në enciklopedi, të argumentuara edhe me faktet e studimet e reja. Ne duhet të jemi zëdhënës të tyre, jo deformues e zhvleftësues, duke u bërë pa dashje zëdhënës të diletantizmit”, theksoi akad. Gjinushi.
Më tej ai u shpreh se “Trupa e kërkuesve dhe studiuesve duhet mbështetur, duke respektuar figurën e shkencëtarit, të ikonave të shkencës e të çdo punonjësi kërkimor-shkencor në Institute a IAL. Brezi i ri ka nevojë për modele e për t’i krijuar bindjen se edhe këtu bëhet shkencë, se edhe në Shqipëri mund të zhvillosh talentin tënd.”
Në vitin e 6-të të përfshirjes së Akademisë së Shkencave në procesin e reformimit, Kryetari i njohu shkurtimisht gazetarët me rezultatet e punëve dhe projekteve të realizuara nga ASHSH-ja.
Ai vuri në dukje ndër të tjera se nën drejtimin e akademikëve a të njësive e komisioneve të saj, janë realizuar a janë në proces mbi 40 projekte shkencore në fusha të ndryshme të shkencës si dhe 3 projektet madhore të albanologjisë, në të cilat janë aktivizuar mbi 200 punonjës kërkimorë-shkencorë e specialistë të lartë, e në perspektivë ky numër do të shkojë në rreth 1500 autorë artikujsh enciklopedikë.
Akademia e institutet e saj botojnë 11 periodikë në vit dhe mbi 40 tituj librash e monografish, produkt i punonjësve të saj a të studiuesve jashtë institucionit. Strukturat pranë Akademisë së Shkencave me aktivitetin e tyre kanë bërë që të organizohen në vit rreth 140-150 veprimtari si: kuvende, konferenca, simpoziume, shkolla verore etj., në bashkëpunim me tërë institucionet e arsimit të lartë e shkencës në vend.
Me rastin e prezantimit për gazetarët të kopjes së parë të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”, akad. Gjinushi falënderoi autorët së bashku me ata që po përmbyllin hartimin e Historisë dhe fjalësit të Enciklopedisë.
Në fund të fjalës së tij, akad. Gjinushi shprehu falënderime në emër të gjithë trupës akademike: anëtarëve të Asamblesë, seksioneve, komisioneve, njësive e bashkëpunëtorëve për ndjekjen e pasqyrimin e veprimtarisë së tyre dhe iu uroi një vit të mbarë në 2026-ën.
Më pas gazetarët u ftuan në një koktej dhe u ndanë dhurata simbolike.
Në fund të takimit, akad. Vasil Tole, zv. kryetar i ASHSH-së, i ftoi gazetarët në sallën “Aleks Buda” për të ndjekur recitalin violinë-piano me artistët Kledis Rexho (violinë) dhe Elvina Gurra (piano), që u organizua me mbështetjen e Komisionit të përhershëm të arteve, pranë Akademisë së Shkencave.