Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi, priti në një takim pune drejtorin e Institutit të Shkencave të Informacionit – IZUM në Slloveni, dr. Aleš Bošnjak
Takimi u mbajt më 18 nëntor 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, ku u diskutua për një sërë çështjesh me rëndësi që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës së informacionit shkencor në Shqipëri.
Pjesë e takimit ishin z. Davor Bracko, koordinator i rrjetit Cobiss; znj. Arjeta Sadiku, specialiste e sistemit Cobiss; znj. Mirlona Buzo, drejtuesja e Qendrës për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH) dhe prof. asoc. Elda Zotaj, drejtuesja e Zyrës së Marrëdhënieve me Jashtë dhe Publikun.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Gjinushi dhe drejtori i IZUM-it dr. Bošnjak diskutuan për: Sfidat dhe mundësitë në zbatimin e shkencës së hapur dhe rritjen e aksesit në kërkimin shkencor; zgjerimin e rrjetit të kërkuesve shqiptarë në platformat e informacionit të hapur dhe rritjen e përfaqësimit të tyre në sistemet ndërkombëtare; Mundësitë e arkivimit dhe digjitalizimit përmes krijimit të depozitave digjitale për informacionin shkencor; Integrimin e inteligjencës artificiale në motorët e kërkimit dhe sistemet bibliografike për të përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e kërkimit shkencor, si dhe shkëmbimin e të dhënave dhe bashkëpunimi ndërmjet platformave të institucioneve shkencore e akademike në Shqipëri.
Në këtë takim, palët vlerësuan bashkëpunimin për organizimin e konferencës ndërkombëtare “Shkenca e hapur dhe infrastruktura e informacionit shkencor në Shqipëri”, që do të zhvillohet sot.
Gjithashtu theksuan dhe vullnetin e përbashkët për të forcuar partneritetin ASHSH–IZUM për të mbështetur ndërtimin e një infrastrukture moderne, të hapur dhe të standardizuar të informacionit shkencor në vend.
