Kryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi pret në një vizitë zyrtare drejtorin e Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Shkup, dr. Besnik Eminin
Takimi u zhvillua sot më 13 tetor 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Ishin të pranishëm, zëvendëskryetari i ASHSH-së, akad. Vasil Tole dhe dr. Ardian Limani, bashkëpunëtor shkencor në ITSHKSH.
Ky takim u organizua në vijim të bashkëpunimit të vazhdueshëm të ASHSH-së me ITSHKSH-në.
Akad. Gjinushi dhe drejtori i ITSHKSH-së, Shkup, dr. Emini, diskutuan për iniciativa të përbashkëta dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha me interes të ndërsjellët.
Palët shprehën mirëkuptimin që raportet e bashkëpunimit të forcohen e të thellohen më tej edhe në të ardhmen.
Akademia e Shkencave ka vendosur një bashkëpunim të qëndrueshëm me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, kjo e formalizuar edhe me një marrëveshje institucionale. Veprimtari të përbashkëta, konferenca e projekte janë zhvilluar e priten të mbahen më tej.
Ndër to është edhe angazhimi i kërkuesve shkencorë të ITSHKSH-së në projektet madhore në albanologji që drejton ASHSH-ja dhe ASHAK-u, sidomos në projektin e “Historisë së shqiptarëve” dhe “Enciklopedisë shqiptare”, ku do të japin ndihmesën e tyre edhe kërkuesit shkencorë të ITSHKSH-së. Në takim u përcaktuan modalitetet e bashkëpunimeve të tjera në të ardhmen, ku ASHSH dhe institutet dhe qendrat pranë saj do mbështesin nismat që ISHTKSH-ja do të ndërmarrë për studimin dhe dokumentimin e pasurisë së madhe të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në fusha si muzika popullore, arkitektura dhe kostumografia.