Konsorciumi i Bibliotekave të Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të EIFL (Electronic Information for Libraries) 2025
Konsorciumi i Bibliotekave të Shqipërisë mori pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të EIFL (Electronic Information for Libraries) 2025, një ndër ngjarjet më prestigjioze ndërkombëtare që mbledh drejtues bibliotekash, konsorciume dhe institucione kërkimore nga mbarë bota për të ndarë përvoja, praktika dhe vizione mbi qasjen e hapur dhe inovacionin në fushën e bibliotekave.
Këtë vit, Asambleja u zhvillua në datat 30 shtator – 2 tetor 2025, në Bibliotekën Kombëtare të Jerevanit, Armeni.
Shqipëria u përfaqësua nga dr. Albana Velianj, Koordinatore e Përgjithshme e Konsorciumit të Bibliotekave të Shqipërisë dhe drejtuese e Bibliotekës së Akademisë së Shkencave dhe znj. Jorida Tollkuçi, drejtuese e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” të Korçës.
Punimet e Asamblesë u përqendruan në disa tematika kyçe si forcimi i bashkëpunimit ndërmjet konsorciumeve bibliotekare, sigurimi dhe shpërndarja efikase e burimeve elektronike si dhe përmirësimi i cilësisë së publikimeve shkencore me qasje të hapur. Përvojat e ndara nga universitete prestigjioze të Francës dhe Holandës u shërbyen pjesëmarrësve si modele frymëzuese për zhvillime të reja.
Dr. Velianj kontribuoi me prezantimin e saj mbi rolin e bibliotekave shqiptare në nxitjen e qasjes së hapur. Në këtë kontekst rëndësi merr shpërndarja e burimeve elektronike për bibliotekat universitare dhe publike, si dhe organizimi i trajnimeve për bibliotekarët për përdorimin e tyre në funksion të kërkimit shkencor dhe procesit mësimor universitar.
Electronic Information for Libraries (EIFL) është një organizatë ndërkombëtare që vepron në 40 vende në mbarë boten, me misionin për të zgjeruar aksesin ndaj njohurive. Ajo mbështet bibliotekat dhe konsorciumet bibliotekare në negociimin e licencave për burime elektronike shkencore, promovimin e publikimeve me qasje të hapur dhe zhvillimin e kapaciteteve për inovacion në shërbimet bibliotekare. Përmes veprimtarisë së saj, EIFL ndihmon institucionet akademike, kërkimore dhe publike të vendeve anëtare të ofrojnë mundësi më të barabarta për studim, kërkim dhe zhvillim.
Duhet theksuar se Akademia e Shkencave luan një rol thelbësor në anëtarësimin e Shqipërisë në EIFL, duke mundësuar akses çdo vit në burime elektronike të domosdoshme për kërkimin shkencor, për ngritjen e cilësisë së studimeve dhe për procesin e akreditimit universitar.
Në kuadër të strategjisë kombëtare për shkencën e hapur, Konsorciumi i Bibliotekave të Shqipërisë mbetet një partner i pazëvendësueshëm, duke vepruar si negociator kryesor për sigurimin e burimeve ndërkombëtare dhe duke mbështetur autorët shqiptarë në botimet me qasje të hapur.