Konferenca ndërkombëtare “Menaxhimi i integruar i burimeve ujore për zhvillim të qëndrueshëm të turizmit” – një platformë bashkëpunimi shkencor mbarëkombëtar
Në datat 29–30 maj 2025, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua konferenca e dytë ndërdisiplinore në fushën e ujërave, një bashkorganizim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) nëpërmjet Njësisë kërkimore “Burimet ujore”, Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK) dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit (MTM).
Veprimtaria u mbajt në nderim të akad. Salih Gashit, një nga themeluesit e kësaj nisme dhe pjesëmarrës i përhershëm në këto takime, i cili u nda nga jeta pak kohë përpara zhvillimit të kësaj konference.

Në këtë konferencë morën pjesë akademikë, lektorë dhe profesionistë nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe lektorë të ftuar nga Austria dhe Polonia, duke e bërë aktivitetin një platformë të gjerë shkëmbimi idesh dhe përvojash.
Në fjalën e hapjes, dr. Roza Allabashi theksoi rëndësinë e kësaj platforme si një urë bashkëpunimi ndërshqiptar e ndërkombëtar për çështjet e menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve ujore.
Konferenca u përshëndet në emër të Kryesisë dhe të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nga zëvendëskryetari i saj, akad. Vasil Tole, i cili nënvizoi se kjo veprimtari përbën vazhdimësinë e një bashkëpunimi të nisur me sukses në Prishtinë dhe përfaqëson një model të shkëlqyer të integrimit shkencor në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Anila Denaj, e vuri theksin në rëndësinë e bashkëpunimeve akademike me rrjetin europian të kërkimit. Ajo theksoi sfidat e menaxhimit të burimeve ujore në kontekstin e ndryshimeve klimatike dhe nevojën për mbështetje të vazhdueshme institucionale.

Zëvendësministri i Turizmit dhe Mjedisit, z. Sofjan Jaupaj, theksoi se zhvillimi i turizmit duhet të jetë i pandarë nga menaxhimi i integruar i burimeve ujore dhe se përmbushja e kërkesave të Kapitullit 27 të Acquis Communautaire – i cili trajton mjedisin dhe ndryshimet klimatike – në kontekstin e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, kërkon investime të mëdha dhe bashkëpunim ndërsektorial e ndërkufitar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, akad. Fetah Podvorica theksoi rëndësinë e menaxhimit të përmirësuar të burimeve ujore si bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, veçanërisht në sektorë të ndjeshëm si turizmi dhe bujqësia. Ai nënvizoi nevojën për pastrimin dhe rikuperimin e burimeve të ndotura, si dhe për përfshirjen e institucioneve kërkimore në hartimin e politikave të qëndrueshme. Ndërkohë, akad. asoc. Besnik Baraj vuri në dukje rolin kyç të komunitetit shkencor në përballimin e sfidave të menaxhimit të ujërave, veçanërisht në kushtet e presioneve nga ndotja, urbanizimi dhe ndryshimet klimatike. Ai theksoi rëndësinë e përdorimit të informacionit shkencor për ndërtimin e politikave efektive dhe të qëndrueshme, si dhe rolin e edukimit për ndërgjegjësimin publik dhe forcimin e kapaciteteve vendimmarrëse.
Prof. Thomas Ertl, nga Universiteti BOKU, Austri, paraqiti risitë e direktivës së re të BE-së për trajtimin e ujërave të zeza urbane (2025), e cila promovon një qasje të integruar dhe të qëndrueshme në përputhje me Marrëveshjen e Gjelbër Europiane. Një theks të veçantë në prezantimin e tij iu dha menaxhimit të ujërave të përmbytjeve nëpërmjet zgjidhjeve natyrore, si çatitë e gjelbra dhe sipërfaqet e depërtueshme, për të përmirësuar qëndrueshmërinë klimatike në mjediset urbane.

Në dy ditët e konferencës u zhvilluan pesë sesione shkencore, gjatë të cilave u trajtuan çështje kyçe për menaxhimin e integruar të burimeve ujore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së mjedisit. Temat u paraqitën në mënyrë ndërdisiplinore, duke përfshirë qasje nga shkencat natyrore, inxhinierike, mjedisore dhe sociale.
Temat e trajtuara ngjallën interes të veçantë në mesin e pjesëmarrësve, duke nxitur diskutime të hapura dhe interaktive. U theksua rëndësia e ndërthurjes së dijes shkencore me politikëbërjen dhe përfshirja aktive e institucioneve akademike në hartimin e strategjive për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve ujore. Diskutimet dëshmuan qartë se ruajtja e cilësisë së ujit është thelbësore për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, si dhe për forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore dhe sociale në nivel kombëtar dhe rajonal.
Në përmbyllje, akad. asoc. Besnik Baraj dhe akad. Fetah Podvorica nënvizuan se bashkëpunimi ndërmjet dy akademive ka krijuar një platformë të qëndrueshme për ndarjen e njohurive, nxitjen e projekteve të përbashkëta shkencore dhe ndërtimin e politikave të bazuara në evidenca shkencore. Konferenca e radhës do të mbahet në Prishtinë në maj të vitit 2026.

Ky aktivitet forcon rolin e shkencës si motor të zhvillimit të qëndrueshëm dhe konfirmon rëndësinë e menaxhimit të burimeve ujore si sfidë dhe mundësi për Shqipërinë, Kosovën dhe më gjerë.