Fjalë përshëndetëse nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi në konferencën shkencore ndërkombëtare “Qytetet pas tranzicionit në vendet postkomuniste”
Të nderuar pjesëmarrës, kolegë, miq e të ftuar,
Është një kënaqësi e veçantë për mua t’ju përcjell përshëndetjet e Akademisë së Shkencave, duke i uruar punime të mbara konferencës së 11-të me temën: “Qytetet pas tranzicionit në vendet postkomuniste”.

Ne i falënderojmë organizatorët që zgjodhën Tiranën për zhvillimin e këtij eventi të rëndësishëm shkencor, si dhe për ta përfshirë Akademinë si bashkorganizatore.
Pjesëmarrja e gjerë në këtë konferencë të rreth 200 specialistëve nga e gjithë bota janë një tregues për interesin në rritje ndaj kësaj iniciative, si dhe me sa duket, edhe për kërshërinë në rritje që po tregon zhvillimi kontrovers i qytetit të Tiranës.
Termi tranzicion është bërë mjaft stresues për popujt e vendeve tona, kuptimi e kalimi i kësaj periudhe përbënin një sfidë të panjohur për nga rrugëtimi e kohëzgjatja për të gjitha vendet në tërësi e për qytetet në veçanti. Pavarësisht nga pritshmëritë e parashikimet, një gjë ishte e qartë se qytetet do të luanin rolin promotor në këtë periudhë, ndërsa kryeqytet atë të lokomotivës, si dhe do të përjetonin më drejtpërdrejt problematikat e tij. Sigurisht, çdo vend e qytet ka pasur pikënisje të ndryshme e zgjodhi rrugë e zgjidhje të ndryshme.

Me gjithë diferencat ka qenë e mbetet i domosdoshëm shkëmbimi i përvojës midis vetë qyteteve, politikëbërësve, si dhe midis profesionistëve, gjeografëve, urbanistëve, sociologëve etj., për të përfituar nga praktikat më të mira, sidomos në përballimin e problemeve të përbashkëta a të ngjashme.
Qytetet tona u ndeshën me problemet e lëvizjeve të mëdha demografike me pasojë mbipopullimin e disave, veçanërisht qyteteve të mëdha, a zbrazjen e disa të tjerëve, me zëvendësimin e një zhvillimi urban të supercentralizuar me ndërtimet e pakontrolluara, ato ndeshen veçanërisht me problemet e zhvillimit perspektiv në zgjedhjen e zhvillimit horizontal a vertikal, me problemet e ndotjes e mbetjeve urbane, e ndikimit në ngrohjen globale në ruajtjen e trashëgimisë kulturore në qytetet patrimuan të UNESCO-s, raportet midis së resë e së vjetrës, zgjidhjes në afatgjatë të problemeve të infrastrukturës bazë e jetësore e përballimin e tërmeteve, e së fundi në raport me kthimin në smart city.

Qyteti i Tiranës është një shembull i mirë si për të kuptuar se çfarë s’duhet bërë, siç ishte modeli i ndërtimeve pa leje, ashtu dhe për të parë se çfarë duhet bërë, duke u nisur me ritmet e prirjet e reja e kalimit nga kioskat pa leje në kullat me leje.
Por këto do t’i thonë më mirë specialistët e profesionistët; për të gjitha këto ju do të keni rastin të debatoni midis jush, prandaj duke falënderuar edhe një herë organizatorët, përfshirë dhe Njësinë tonë të re të gjeografisë, i uroj punime të mbara konferencës së 11-të e të gjithë pjesëmarrësve një qëndrim të këndshëm në qytetin e Tiranës.