Filloi punimet dyditore konferenca e 3-të Kombëtare e Matematikës NMC-2025
Konferenca u organizua nga Instituti Kombëtar i Matematikës, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dhe Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës.
Konferenca bëri bashkë matematikanë, profesorë, doktorantë nga universitete dhe institucione shkencore shqiptare e të huaja.
Akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe prof. dr. Fatmir Hoxha, Instituti Kombëtar i Matematikës hapën punimet e konferencës.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi, drejtues i komitetit organizator të konferencës, përshëndeti pjesëmarrësit dhe vlerësoi faktin që konferenca mbahet në një kohë që shkencat e matematikës kanë dalë në plan të parë.
Matematika dhe gjuha janë dy shtyllat kryesore të formimit të nxënësve në shkollë. Duhet theksuar fort se roli i matematikës në shkollë, nuk është thjesht të mësohen disa formula, por të forcohet të menduarit racional.
Akad. Gjinushi shprehu kënaqësinë që ende ka mjaft të rinj, të cilët angazhohen dhe sakrifikojnë që të zgjedhin degën më të vështirë të matematikës si një investim i vyer për të ardhmen. Zhvillimi i kërkimit matematik në Shqipëri nuk ka një traditë të hershme, sepse vetë shkolla shqiptare e matematikës në vendin tonë, e themeluar nga akad. Petraq Pilika, është e re, por megjithatë ka arritur që të realizojë misionin e saj bazë: të kemi një shkollë matematike që formimi i specialistëve të lartë, formimi i të rinjve, formimi matematik në tërësi të jetë i krahasueshëm dhe i konkurrueshëm me homologët. Ky është misioni kryesor, rezultantja e tërë investimit që bëhet në drejtim të matematikës; këtë e dëshmon fakti që shumë të rinj pas viteve 1990 shkuan të studiojnë dhe të punojnë në qendra kërkimore e universitete të tjera, jashtë vendit dhe nuk e ndjenë veten aspak inferiorë, por u konvertuan dhe u përshtatën edhe në nëndisiplina të tjera.
Kryetari i Akademisë së Shkencave e vuri theksin në reformimin dhe strategjitë e kërkimit shkencor në përputhje me ritmet e reja të shkencës në Europë e më gjerë, si dhe në nevojën e shumëfishimit të investimeve në kërkimin shkencor, duke krijuar sektorët e duhur për t’i thithur këto investime.
Ne do të mbështesim punën në këtë drejtim, vetë Institutin e Matematikës, i cili u ngrit me synimin për të mbajtur afër si ata që punojnë jashtë dhe ata që punojnë brenda vendit. Pas 1990-s ishte një avantazh i madh për këdo që shkonte jashtë vendit, por ka qenë edhe një plagë për vendin, sepse shumë njerëz të talentuar u larguan. Nën ndikimin e tregut të punës, rinia preferoi degët më të lehta e më fitimprurëse duke ulur prurjet në degët e matematikës dhe të shkencave fondamentale në tërësi në universitete. Ndaj ne kemi detyrë të ftojmë kolegët tanë që fizikisht nuk janë këtu, të punojnë në drejtimin e riforcimit të shkollës shqiptare të matematikës. Ky është dhe një nga qëllimet kryesore të kësaj konference. -tha ndër të tjera akad. Gjinushi.
Prof. dr. Eglantina Kalluçi, dekane e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, përshëndeti të pranishmit dhe u ndal në çështjen e zhvillimit të shkencës së matematikës në erën e zhvillimit të inteligjencës artificiale. Matematika, fizika, në tërësi shkencat fondamentale janë ato që ndërtojnë një zhvillim shumë të rëndësishëm.
Opinioni publik dhe shoqëria mbarë duhet të kuptojë se matematika është një shkencë fondamentale dhe duhet kuptuar si e tillë, pa transformime gjatë rrugës. Inteligjenca artificiale, apo shkenca digjitale në përgjithësi i ka themelet në shkencat fondamentale. Ajo që mund të theksojmë nuk është gjë tjetër veçse një mendje e mprehtë me formimin bazë në këto shkenca.
Më tej prof. dr. Kalluçi e vuri theksin në riorganizimin e programeve të studimit në përputhje me atë që kërkon tregu i punës, por pa u cenuar ajo që është formimi bazë fondamental. Zhvillimi teknologjik nuk bën gjë tjetër veçse i vjen në ndihmë zhvillimit të teorive. Të kontribuojmë në zhvillimet e shkencës por duke prekur mendjet e rinisë shqiptare, sepse misioni ynë do të trashëgohet dhe do të japë efektet e tij në brezat që vijnë.
Konferencën e përshëndeti edhe prof. dr. Teuta Myftiu, dekane e Fakultetit të Inxhinierisë, UT. Ajo vlerësoi punën e bërë për organizmin e konferencës, rëndësinë e saj, dhe shprehu falënderimet për Kryesinë e Akademisë së Shkencave dhe komitetin organizator.
Akad. Neki Frashëri drejtoi seancën e parë të konferencës.
Gjatë seancës prezantuan punimet shkencore akad. Davis Kalaj, Universiteti i Malit të Zi, Podgoricë, anëtar i jashtëm i ASHSH-së; prof. Stefan Janaqi, Shkolla Kombëtare e Mineraleve të Alesit, Francë, si dhe studiues nga universitetet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Tetovës në Maqedoninë e Veriut, etj.
Gjithashtu u bënë prezantime nga doktorantët me një tematikë të larmishme si analiza funksionale dhe topologjia, algjebra, ekuacionet diferenciale, metoda numerike, fraktalet, probleme didaktike të përdorimit të teknologjisë në arsimin e lartë në përgjithësi dhe atë matematik në veçanti, aplikime etj.
Konferenca do të vijojë edhe ditën e premte, më 24 tetor 2025, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.