Botimet më të fundit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Tri vepra të reja, dy nga fusha e historisë së artit dhe një nga mjekësia, i shtohen kolanës së botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
1. “Veshjet tradicionale në artin pamor shqiptar”
Autor: Abaz Hado
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2024.
291 faqe
ISBN 9789928809469

Vepra synon të pasurojë me informacionin e nevojshëm njohjen, ndikimin, bashkëpunimin dhe pasurimin e artit pamor me bukurinë, larminë dhe pasurinë e veshjes tradicionale. Në të do të gjeni të përmbledhur në mënyrë selektive veprat kryesore të artit shqiptar, prej mbi 150 vjetësh, por dhe më parë, ku qartësisht është i dukshëm ndikimi nga vlerat, fryma dhe larmia e artit popullor.
Sipas recensentes së këtij botimi, Afërdita Onuzi, ky studim afron analizën konkrete, duke sjellë konkluzione mbi atë produkt tashmë të krijuar, si formë origjinale e artit pamor, përmes së cilës ka shprehur një unitet etnik kombëtar. “Studimi i mundëson kujtdo të njihet me artin popullor dhe me ndikimin e tij në artin e kultivuar shqiptar. Sepse ky art, që në krijimet e para, u formua, u modelua dhe u zhvillua përmes një platforme filozofike, estetike dhe metodike e lidhur me artin popullor. Këto studime janë mirëfilli punë kërkimore, që tentojnë të sjellin një kontribut real, mbi ndikimin, lidhjen, shfrytëzimin e etnografisë, folklorit mitologjik në pikturën, skulpturën, grafikën, vizatimin shqiptar. Nëse dollmaja, xhubleta, tirqet, herkat e bardhë të burrave në Kosovë, poturet, fustanellat, dollamet etj. janë të bukura nga ana estetike me pasuri të madhe ngjyrash, kanë ndikimin e tyre në artin pamor.”
2. “Piktura e kishave e shekujve V-XV në Shqipëri”
Autore: Dhorka Dhamo
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2024
295 faqe
ISBN 9789928809438

“Piktura e kishave e shekujve V-XV në Shqipëri” vjen si një botim special për pikturën mesjetare shqiptare, në të cilin lexuesi do të informohet për monumentet kryesore të pikturës që mbushin muret e kishave e manastireve në periudhën e sipërpërmendur. Ky botim u vlen studiuesve, historianëve të artit, bizantinologëve anembanë botës, studentëve e promovuesve të turizmit kulturor në Shqipëri.
Dy recensentët e botimit, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, kanë vlerësuar veprën për trajtimin që i bën artit kishtar në të gjitha shfaqjet e tij gjinore e tipologjike, në mozaikë, miniatura, ikona etj. Sipas tyre, analizat për monumente të veçanta shoqërohen me një material të bollshëm ilustrativ dhe nga një bibliografi e pasur, që i bën bindëse përfundimet e arritura. Informacioni i shumanshëm që përftohet, si dhe gjuha e kuptueshme e përdorur, bën që monografia të jetë e vlefshme jo vetëm për specialistët e fushës, por dhe për opinionin e gjerë shoqëror të interesuar për njohjen e pasurisë kulturore të vendit. Gjithashtu, ajo mund të shërbejë edhe për hartimin e teksteve mësimore për studentët e degëve përkatëse.
3. “Protokollet e trajtimit sistemik të kancerit”
Autorë: Bledi Kreka & Manika Kreka Face
Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2025
446 faqe
ISBN 9789928809605

“Protokollet e trajtimit sistemik të kancerit”, konceptuar në kapituj lehtësisht të kuptueshëm për mjekët dhe stafet mjekësore, renditur sipas peshës specifike të çdo patologjie, trajton 17 neoplazitë më të shpeshta në adultët: kanceri i gjirit, i pulmonit, i traktit digjestiv, i gjakut, i aparatit urogjenital, të lëkurës.
Ky manual, sipas recensentes dr. Anila Kristo, është një instrument i mirë pune për onkologët mjekësorë dhe personelin infermieror në spitalin onkologjik, onkopediatri dhe në qendrat e trajtimit me kimioterapi në spitalet rajonale. “Në të përshkruhen qartësisht skemat e aplikimit të kimioterapisë, kohëzgjatja e trajtimit dhe radha e infuzioneve. Në mënyrë të qartë e koncize përshkruhen efektet anësore kryesore dhe menaxhimi i tyre kryesisht nëpërmjet modifikimit të dozave në varësi të shkallëve të ndryshme të toksicitetit. Përveç të dhënave praktike të aplikimit të çdo skeme, autorët ndërfusin edhe indikacionet terapeutike kryesore, pra skenarin në të cilin çdo skemë do të mund të aplikohej”- vlerëson ajo.
Ndërkohë, recensentja tjetër, prof. dr. Anila Godo, thekson se vlera e madhe e këtij libri është që synon dhe realizon më së miri një skemë mjaft të gjerë e të thellë, me tërësinë e detajuar të tërë elementëve që duhen konsideruar e përballuar në menaxhimin e kancerëve më të shpeshtë tek adultët. “Ky botim përbën një vlerë të çmuar për onkologjinë shqiptare, pasi konkretisht çdo onkolog, por edhe çdo specialist tjetër që gjendet i përfshirë në trajtimin e kancerit, do të ndihmohet me një udhërrëfyes për menaxhimin e pothuaj tërë neoplazive të adultit. Ky udhërrëfyes është tepër i plotë, i kohës, i gjerë e i thellë, tepër i hollësishëm, duke ofruar sjelljen e përshtatshme të klinicistit, në menaxhimin e tërësisë së problemeve të shumta me të cilat të përball trajtimi e ndjekja e një pacienti me kancer”-vlerëson ajo.
Për botimet e ASHSH-së shih linkun: https://akad.gov.al/viti-2024/
Librat i gjeni pranë godinës së Librit Akademik në Akademinë e Shkencave