Akademik Nazim Gruda vlerësohet me diplomën “Shkencëtar i shquar” nga Akademia Kineze e Shkencave
Akademiku shqiptar prof. dr. Nazim S. Gruda u nderua nga Akademia Kineze e Shkencave (CAS) me diplomën “Shkencëtar i shquar” (Distinguished Scientist Award), një nga vlerësimet më prestigjioze që jepet nga ky institucion për kontributin e shquar në kërkimin shkencor ndërkombëtar.
Ceremonia e dorëzimit të diplomës u mbajt sot, më 21 tetor 2025, në ambientet e Institutit të Ruajtjes së Tokës dhe Ujit (Institute of Soil and Water Conservation), CAS.
Drejtori i Institutit, prof. dr. Renfang Shen, në prani të anëtarëve të Akademisë, studiuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kërkimore kineze mbajti fjalën e mirëseardhjes dhe i dorëzoi diplomën akad. Grudës.
Ai tha se prof. dr. Gruda është një shkencëtar ndërkombëtarisht i njohur në fushën e hortikulturës së qëndrueshme, bujqësisë inteligjente ndaj klimës, sistemeve të kultivimit pa tokë dhe cilësisë së produkteve hortikulture. Me mbi 40 vite përvojë shkencore, ai ka kontribuar në mënyrë të jashtëzakonshme në zhvillimin e metodave efikase të prodhimit, strategjive të përshtatjes ndaj klimës dhe rritjes së cilësisë ushqimore në nivel global. Ai ka mbi 400 publikime shkencore dhe teknike, përfshirë 36 libra dhe kapituj librash, ndërsa rreth 200 punime janë të indeksuara në Scopus, të realizuara në bashkëpunim me studiues nga më shumë se 40 vende. Ai jo vetëm listohet për gjashtë vite me radhë në “Stanford Top Most Influential Scientists in the World”, por në vitin 2025 është renditur ndër 100 shkencëtarët më të cituar në botë në fushën e biologjisë së bimëve.”
Pas dorëzimit të diplomës, akad. Gruda mbajti fjalën e tij të falënderimit. Ai u shpreh se ndihet thellësisht i nderuar. Në fakt, diplomimi ishte planifikuar për vitin 2020, por për shkak të pandemisë nuk u bë e mundur. “Ndihem i prekur që këtë vlerësim e ka marrë për herë të dytë nga Akademia Kineze e Shkencave – një institucion me prestigj të jashtëzakonshëm ndërkombëtar. Jam gjithmonë i mahnitur nga përparimi i jashtëzakonshëm i shkencës kineze, e cila po udhëheq zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.”
Akad. Gruda shtoi se “ky vlerësim është një nxitje për të forcuar bashkëpunimin mes Akademisë Kineze të Shkencave dhe Universitetit të Bonit (Gjermani), ku ai vepron si profesor, si dhe për të zgjeruar marrëdhëniet mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë Kineze të Shkencave.”
Pas ceremonisë, akad. Gruda mbajti kumtesën e tij të parë shkencore me temë:
“Climate-Smart Agriculture and Sustainable Intensification – Vegetable Production” (Bujqësi e mençur ndaj klimës dhe intensifikim i qëndrueshëm – Prodhimi i perimeve”, ku trajtoi ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe faktorëve para-korrjes në cilësinë e prodhimeve në serra.
Në vijim të qëndrimit të tij dyjavor në Kinë, akad. Gruda do të zhvillojë edhe një sërë aktivitetesh akademike, përfshirë kumtesa edhe në Institutin e Ruajtjes së Tokës dhe Ujit) në Xi’an, si dhe vizita kërkimore në serrat e platformat eksperimentale në Yangling (Provinca Shanxi) dhe Nanjing.
Ky vlerësim dëshmon kontributin e shkencës shqiptare në zhvillimin e bujqësisë së qëndrueshme dhe inovacionit shkencor global.