Androkli KOSTALLARI

Fusha: Gjuhësi

KOSTALLARI Androkli (1922–1992). Gjuhëtar, profesor, akademik, Mësues i Popullit. Lindi në Leusë të Përmetit. Ndoqi gjimnazin në Shkodër e në Tiranë. Mori pjesë në Luftën ANÇ; në vitet e para pas luftës punoi në organet e shtypit, ku pati dhe funksione drejtuese. Studimet e larta filologjike i kreu në Universitetin “Lomonosov” në Moskë (1954). Filloi punën në Institutin e Shkencave dhe më pas në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT, ku ka qenë dhe dekan. Androkli Kostallari ka drejtuar Institutin e Historisë e të Gjuhësisë (prej v. 1958) dhe në vijim Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë deri në vitin 1990; kryeredaktor i revistës “Studime filologjike” (1964–1991) e “Studia albanica” (1964–1980). Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Fushat kryesore të veprimtarisë shkencore dhe pedagogjike të Androkli Kostallari janë leksikologjia e leksikografia, formimi i fjalëve, onomastika, gjuhësia e përgjithshme dhe gjuha letrare shqipe (historia dhe gjendja e saj). Ka kryer një varg studimesh për leksikun e shqipes, për veçoritë e fjalëve të përbëra në gjuhën shqipe dhe për çështje të ndryshme teorike në fushën e leksikografisë shqipe. Ka qenë përgjegjës i sektorit të leksikologjisë e leksikografisë (1955–1990) dhe drejtues shkencor e kryeredaktor i dy fjalorëve shpjegues të shqipes: “Fjalor i gjuhës së sotme shqipe” (1980) dhe “Fjalor i shqipes së sotme” (1984). Një objekt i rëndësishëm i veprimtarisë shkencore të Androkli Kostallari ka qenë historia e formimit dhe e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe dhe veçoritë strukturore dhe funksionale të saj. Mori pjesë në komisionin hartues të “Ortografisë së gjuhës shqipe” (1956), kryesoi komisionin hartues të “Rregullave të drejtshkrimit të shqipe” (Projekt, 1967), ishte kryetar i komisionit organizues të Kongresit të Drejtshkrimit (1972, shih), ku mbajti referatin “Gjuha letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj” (1973) dhe kryesoi komisionin për hartimin e “Drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1973) e të “Fjalorit drejtshkrimor” (1976) etj. Ka marrë pjesë në komisionet hartuese të një vargu fjalorësh terminologjikë etj. Prej v. 1957 ka dhënë ligjërata në UT e UP për lëndët formimi i fjalëve, gjuhësi e përgjithshme, histori e gjuhës letrare shqipe. Ka dhënë ndihmesë të veçantë edhe në organizimin e drejtimin e shumë veprimtarive shkencore kombëtare e ndërkombëtare, si konferencat e studimeve albanologjike (1962, 1968), konferenca për gjuhën letrare (1984) dhe në botimin e materialeve të tyre. Ka përfaqësuar shkencën shqiptare në forume ndërkombëtare: më 1960 u zgjodh anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të Shkencave Onomastike (ISO), më 1963 anëtar i Komitetit Ndërkombëtar të AIESEE-së dhe më 1974 anëtar i Byrosë së këtij komiteti e nënkryetar i tij. Mbante titullin “Doctor honoris causa” i Universitetit të Goteborgut (Suedi). Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.