Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (ASHAK) feston 50-vjetorin e themelimit
Fjala përshëndetëse e akad. Skënder Gjinushit kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në ceremoninë solemne të mbajtur sot në Prishtinë
Fjala e plotë:
I nderuar kryetar i ASHAK, mik e koleg Mehmet Kraja,
Të nderuar anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,
Të nderuar drejtues dhe përfaqësues të Akademive simotra,
Të nderuar akademikë, profesorë, studiues dhe krijues,
Të nderuar të pranishëm,
Është një kënaqësi e përjetim i veçantë të jemi sot së bashku për të shënuar 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës; për të kremtuar një gjysmë shekulli histori të dijes, mendimit të lirë dhe të përpjekjeve të pareshtura për ta vendosur shkencën, artin dhe kulturën në vendin që meritojnë në shoqëri, arsim e ekonomi.

Akademia e Kosovës lindi në kohë të vështira, si një nevojë e domosdoshme dhe e paevitueshme; lindi si fryt i formimit, rritjes e ndërgjegjësimit të inteligjencës Kosovare e i përpjekjeve të saj të vazhdueshme për të zënë e luajtur rolin e misionin që i takonte në ato vite të historisë, përcaktuese për mbijetesën e të ardhmen e Kosovës. Hedhja e themeleve të shkencave albanologjike me krijimin e Institutit të Albanologjisë në vitet 50-të; formimi i arsimit të lartë me Universitetin e Prishtinës në vitet ’60-70 u kurorëzua me krijimin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës si institucioni më i lartë shkencor që do ta përfaqësonte denjësisht inteligjencën e shkencën shqiptare në Kosovë.
Që nga ajo ditë Akademia ka qenë jo vetëm një institucion i dijes e i standardit shkencor, por edhe një simbol identiteti, dinjiteti dhe vetëdijeje kombëtare. Në periudhat më të vështira të historisë sonë kur hapësira e lirisë ngushtohej dhe të drejtat themelore mohoheshin, Akademia u shndërrua në një kala të rezistencës intelektuale. Këtu u mbrojt fjala shqipe, kultura, trashëgimia e historia e popullit shqiptar në Kosovë; këtu u ruajt vijueshmëria e mendimit shkencor; këtu u mbajt gjallë ideja se e vërteta dhe dija nuk mund të shtypen. Ky kontribut, i bërë pa bujë, është një nga faqet më të ndritshme të historisë së ASHAK-ut.
Pas vitit 1999, në Kosovën të lirë e të pavarur, Akademia e Kosovës rifilloi punën në kushte e me energji të re, duke u shndërruar në një prej institucioneve me ndikimin më të madh në orientimin e proceseve të dijes dhe kulturës në Kosovë. Studimet, botimet dhe qëndrimet e saj e të anëtareve të saj kanë ndikuar në studimin e ruajtjen e trashëgimisë, në zhvillimin akademik dhe në ndërtimin e urave të bashkëpunimit me botën shkencore mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare.

Akademitë tona, që në fillimet e tyre, një nga dimensionet më të rëndësishme të punës kanë pasur bashkëpunimin e vazhdueshëm, të besueshëm dhe të strukturuar midis tyre. Ky bashkëpunim ka qenë vazhdim i natyrshëm i bashkëpunimit midis institucioneve arsimore e shkencore pararendëse, Universitetit të Tiranës e atij të Prishtinës e midis instituteve albanologjike, që kulmon me bashkëpunimin model midis emblemave të Akademizmit shqiptar personaliteteve të paharruara Idriz Ajeti, Besim Bokshi e Ali Hadri, në Prishtinë, me Eqrem Çabejn, Androki Kostallarin, Shaban Demirajn e Mahir Domin, në Tiranë, që çoi në realizimin e projektit më madhor të albanologjisë e kontributin tonë më të vyer, në atë të njehsimit të gjuhës letrare shqipe, në vendosjen e shqipes standarde si gjuhë e përbashkët, bashkëpunim i cili përcillte e udhëhiqej nga fryma në të cilën u zhvilluan kongreset e Manastirit e konsultat e Shkodrës e të Prishtinës për gjuhën.
Nisur nga kjo përvojë, bashkëpunimi ynë ka ardhur duke u rritur, mbështetur tashmë në protokolle e projekte konkrete, marrëveshje dhe programe të përbashkëta, duke u bërë një shembull i shkëlqyer se si dy institucione të dijes dhe mendimit akademik brenda së njëjtës hapësirë kombëtare e kulturore mund të rrisin kapacitetet e tyre duke punuar së bashku. Produktet janë të shumta, por, më lejoni të veçoj një, projektin për hartimin e Enciklopedisë Shqiptare. Ky projekt është një prej nismave më të mëdha dhe më ambicioze të ndërmarra prej shkencave shqiptare, që prej krijimit të akademive tona, i krahasueshëm me atë për gjuhën standarde, si për nga dimensioni e numri i institucioneve e specialistëve të angazhuar, ashtu dhe për nga kërkesa e lartë për kompetencë, vërtetësi shkencore, standarde akademike e koordinim ndërinstitucional. Fakti që dy akademitë tona po e zhvillojnë së bashku këtë detyrë të madhe, tregon jo vetëm pjekurinë e bashkëpunimit, por edhe ndërgjegjen e përbashkët për përgjegjësinë që kemi ndaj historisë, trashëgimisë e kulturës sonë kombëtare, të bazuara mbi të vërteta shkencore. Enciklopedia Shqiptare, ashtu si dhe Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe nuk janë vetëm vepra reference, ato janë dhe instrumente identitare, arkitektura të dijeve tona, botime që do t’u shërbejnë brezave e studiuesve për dekada.
Ne jetojmë në një kohë kur integrimi europian është projekti strategjik i shoqërisë sonë e synimi i përbashkët mbarëpopullor në të dyja shtetet tona. Shqiptarët në Kosovë e Shqipëri janë përkrahësit më të mëdhenj të BE-së e NATO-s. Procesi integrimit, ndër të tjera, përtej negociatave dhe rregullave kërkon dije, kërkon rritje të investimeve në kërkimin shkencor e forcim të institucioneve shkencore.
Integrimi europian do të thotë e nuk mund të realizohet pa u shoqëruar e paraprirë nga integrimi në shkencë e arsim, domethënë pa arritjen e standardeve europiane prej institucioneve tona të arsimit e të shkencës, e këtu, roli i akademive tona është parësor. Për këtë, krahas zhvillimit e forcimit të shkencave identitare lipset të forcohen dhe shkencat integruese ku prapambetja relative është më e madhe, shkenca që ndikojnë më drejtpërdrejt në zhvillimin e ekonomisë e futjen e teknologjive të reja. Gara sot, në nivel rajonal e global, përcaktohet nga shkalla e përdorimit të inteligjencës artificiale. Prandaj, forcimi i bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në fushat kryesore të dijes, sigurisht e kombinuar kjo me bashkëpunimin me akademitë e tjera, anëtare të ALLEAS, është më i rëndësishëm se kurrë. Vetëm me strategji e projekte të përbashkëta, me standarde të unifikuara, me platforma të koordinuara të kërkimit dhe me përfaqësim të përbashkët në strukturat europiane, hapësira jonë shkencore mund të ketë peshën që meriton e të kryejë misionin e saj.
Me përvojën tashmë 50-vjeçare, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka mundësinë dhe kompetencën që të jetë udhëheqëse e oponente në vizionin e zhvillimit të Kosovës, duke qenë zëri i arsyes, i dijes dhe i mendimit shkencor, në përballimin e sfidave të reja.
Me këtë rast jubilar dua të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë akademikët ndër vite, studiuesit, krijuesit dhe bashkëpunëtorët e Akademisë, për punën, integritetin dhe përkushtimin e tyre. Në mënyrë të veçantë përulemi para veprës e jetës së anëtarëve të larguar nga jeta, kontributi i të cilëve është një pasuri e çmuar për gjithë shkencën shqiptare.
I urojmë Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës suksese të reja në misionin e saj të rëndësishëm, me bindjen se akademizmi shqiptar në Kosovë do të jetë gjithnjë në lartësinë e kohës, duke e forcuar rolin e vet shkencor dhe kombëtar në hapësirën mbarëshqiptare, e duke zënë një vend të denjë në radhët e akademive europiane.
Urime për 50-vjetorin e themelimit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës!
Ju faleminderit.
