Takime të përbashkëta mes redaksive të religjioneve për projektin e “Enciklopedisë shqiptare”

Ditën e sotme akad. Skënder Gjinushi, Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, priti në një vizitë zyrtare ambasadorin e Rumanisë z. Octavian Şerban.
Ambasadori shoqërohej dhe nga akad. Nicolae Saramandu, kryetar i Shoqatës Arumune “SCMR” në Rumani, si dhe studiueset Manuela Nevaci dhe Irina Florea, anëtarë të Institutit Linguistik “Iorgu Iordan” të Akademisë së Shkencave të Rumanisë. Në takim ishin dhe zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Vasil Tole, drejtori i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë akad. Valter Memishaj dhe akad. Anila Hoda.
Ambasadori i Rumanisë z. Octavian Şerban vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe kontributin që kanë dhënë studiues dhe albanologë të shquar në thellimin e këtyre marrëdhënieve.
Akad. Gjinushi në fjalën e tij e vuri theksin tek bashkëpunimet e deritanishme, të cilat janë përforcuar me lidhjen e marrëveshjes mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me Akademinë e Shkencave të Rumanisë dhe me Akademnë Rumune të Shkencave Bujqësore dhe Pyjeve “Gheorghe Ionescu-Sisesti”.
Akad. Gjinushi bëri një prezantim të disa qendrave kërkimore-shkencore dhe komisioneve drejtuese të punës shkencore pranë ASHSH. Ai theksoi se tashmë me institutet që i janë bashkuar kësaj akademie pritet të realizohen bashkëpunime edhe më të mira në të ardhmen.
Akad. Nicolae Saramandu kujtoi se për herë të parë ka ardhur në Shqipëri në vitin 1973, kohë kur Akademia e Shkencave nuk kishte as një vit që ishte themeluar. Ai u ndal në punën e akademikëve Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Gjovalin Shkurtaj etj., si dhe në kontributin me rastin e veprimtarive kushtuar 250-vjetorit të qytetërimit të Voskopojës dhe shekullit të iluminizmit në Ballkan, por edhe për pjesëmarrjen e studiuesve rumunë në Kuvendin e Studimeve Albanologjike (24-28 nëntor 2021 në Tiranë). Me këtë rast akademiku N. Saramandu u prezantoi kolegëve shqiptarë edicionin e parë në dialektin arumun të manualit në arumanisht “Manual për të mësuar arumanishten”, në gjuhën letrare rumune. Anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e vlerësuan këtë iniciativë, e cila do të forcojë lidhjet shkencore midis dy vendeve dhe njëkohësisht do të ndihmojë komunitetin arumun të Shqipërisë në ruajtjen e dialektit arumun dhe të kulturës së vet në dobi të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Rumanisë.
Akad. Vasil Tole përmendi se studiues rumunë, albanologë e antropologë, kanë dhënë kontribute me vlerë në vendin tonë, dhe theksoi se shqiptarët dhe rumunët kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të ndërsjellët. Ai përmendi kontributin në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe u ndal veçanërisht tek ruajtja e dialektit arumun në interpretimin e muzikës polifonike shqiptare. Gjithashtu akad. Tole u ndal tek muzika e Himnit Kombëtar, e krijuar nga kompozitori rumun Ciprian Porumbescu.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka në rrethin e saj edhe anëtarë nderi rumunë, – tha akad. Tole, dhe vuri në dukje edhe bashkëpunimet mes instituteve të antropologjisë.
Të pranishmit vunë në dukje lidhjet e drejtpërdrejta me rumunët në arealin ballkanistik, ku theksuan se kultura, letërsia, gjuhësia kanë qenë burim i mirëfilltë shkencor dhe vlerësuan se ekspeditat linguistike dhe shkëmbimet e literaturave shkencore kanë qenë një komunikim i pandërprerë mes dy vendeve. Këtë komunikim e përforcojnë edhe lidhjet mijëravjeçare në historinë e dy popujve, dhe sidomos bashkëjetesa me popullsinë arumune të shpërndarë kryesisht në trevat jugore shqiptare.