Akad. Arben Merkoçi zgjidhet anëtar i Komitetit të Përhershëm për Politikat Shkencore të ALLEA-s (All European Academies)
Me krenari njoftojmë përzgjedhjen e akademikut Arben Merkoçi, përfaqësues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si anëtar i Komitetit të Përhershëm për Politikat Shkencore të ALLEA-s (All European Academies), një nga strukturat më të rëndësishme të bashkëpunimit akademik në nivel evropian.
Ky komitet luan një rol kyç në hartimin, analizimin dhe promovimin e politikave shkencore evropiane, duke synuar forcimin e ndikimit të shkencës në zhvillimin e qëndrueshëm, inovacionin dhe politikat publike në hapësirën europiane të kërkimit.
Përzgjedhja e akad. Merkoçit në këtë strukturë të lartë përfaqëson një vlerësim të kontributit të tij shkencor ndërkombëtar, si dhe një arritje të rëndësishme për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, e cila vazhdon të zgjerojë praninë dhe rolin e saj në rrjetet akademike europiane.