Akad. Adrian Civici mbajti ligjëratën: “Drejt universiteteve 4.0. - Si po e revolucionarizon teknologjia dhe inteligjenca artificiale edukimin”
Në mbledhjen e Komisionit të përhershëm të ekonomisë, çështjeve sociale dhe juridike, zhvilluar sot, më 17 qershor 2025, akad. Adrian Civici paraqiti ligjëratën me temën: “Drejt universiteteve 4.0. – Si po e revolucionarizon teknologjia dhe inteligjenca artificiale edukimin”.
Veprimtarinë e hapi kryetari i Komisionit, akad. Anastas Angjeli, i cili e vuri theksin në domosdoshmërinë e rritjes së performancës së sistemit universitar dhe kërkimit shkencor, si rrjedhojë e zhvillimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, për të shkuar drejt formatimit të universitetit 4.0.

Fillimisht akad. Civici foli për rolin dhe vendin e universiteteve në shoqërinë tonë në shek. XXI, për misionin e universiteteve në funksion të përhapjes së dijes, cilësisë së studentëve të diplomuar, kërkimit shkencor, inovacionit dhe revolucionit 4.0, si dhe për ndikimin e globalizimit dhe revolucionit teknologjik në “formatimin” e universiteteve të së ardhmes. Ky formatim mbështetet në katër forcat e mëdha të ndryshimit të botës moderne: stimulimin e teknologjive të reja; përballimin dhe përfitimin nga efektet e globalizimit; formimin e kapitalit social cilësor; përmirësimin e mirëqeverisjes.

Ai paraqiti modelet më të mira të organizimit, si dhe elementet e ndikimit të IA-së në transformimin e universiteteve nëpërmjet një historiku të shkurtër të revolucioneve të universiteteve (1.0; 2.0; 3,0) dhe u ndal në rëndësinë e revolucionit të katërt dhe “Universitetet e së ardhmes 2050”, duke e përcaktuar si një epokë në të cilën do të sfidohen hierarkitë tradicionale të statusit të universiteteve. Universiteti 4.0 synon të zbatojë paradigmën e industrisë 4.0 dhe “spiralen e katërfishtë” në universitete për të nxitur automatizimin, përshtatjen dhe personalizimin e proceseve të të nxënit.

Në fund, akad. Civici dha disa konkluzione të rëndësishme, që dëshmojnë nevojën e vendit tonë për përmirësimin e universiteteve apo kolegjeve profesionale, të cilat janë ende shumë larg modelit të universiteteve 4.0. Në shumicën dërrmuese të rasteve mbizotërojnë format dhe modelet klasike të organizimit dhe funksionimit të universiteteve me elemente të modeleve 2.0 dhe 3.0. Në këtë drejtim mungojnë njohuritë e duhura dhe përvojat e përparuara, si dhe politikat specifike për transformimin e universiteteve shqiptare sipas modelit 4.0. Kjo situatë po ndikon dhe në performancën dhe përfitimet nga bashkëpunimi ndërkombëtar e procesi i ndërkombëtarizimit të universiteteve shqiptare.