Fjala e kryetarit të ASHSH, akad. Skënder Gjinushi, e mbajtur në simpoziumin Solemn dedikuar akad. Eduard Sulstarova dhe sizmologut e shkrimtarit akad. Betim Muço
Të nderuar kolegë akademikë dhe profesorë, miq e të ftuar, familjarë dhe të afërm të akademikut Eduard Sulstarova dhe të sizmologut e shkrimtarit Betim Muço,
Të nderuar pjesëmarrës në këtë veprimtari nderimi, që bashkoheni me ne në distancë, për shkak të largësimit fizik që na është imponuar,
Ia kushtojmë këtë simpozium dy personaliteteve të shquar të shkencës dhe krijimtarisë, që i bashkoi jo vetëm kalendari i jetës, por mbi të gjitha fusha e përbashkët ku ata krijuan emrin dhe zunë vende kyçe si dijetarë: sizmologjia, e cila për disa dekada me radhë ishte pjesë e rrjetit të institucioneve kërkimore të Akademisë së Shkencave.
Akademiku Eduard Sulstarova e nisi rrugën e dijes pikërisht si kërkues mbi sizmicitetin e Shqipërisë; thelloi studimet jashtë vendit për të marrë përsipër ngritjen dhe stabilizimin e shërbimit sizmik të vendit; i fitoi një pas një dhe me një ritëm e durim të admirueshëm të gjitha gradat dhe titujt shkencorë në këtë fushë me specializime të mëtejshme në vendin e tij, në Perëndim dhe në Lindje, që nga gradat kandidat dhe doktor i shkencave dhe titujt pedagogjikë docent, bashkëpunëtor shkencor dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor, deri tek titujt e lartë profesor e akademik.
Përgjatë 25 vjetëve që i kushtoi vetëformimit, duke u certifikuar me rezultat të shkëlqyeshëm në të gjitha fazat, me të drejtë konsiderohet se Eduard Sulstarova e ktheu sizmologjinë nga shërbim në shkencë, duke marrë meritën e themeluesit të një disipline që shkencave shqiptare u mungonte. Ai e kapërceu sizmologjinë prej interpretimeve empirike popullore folklorike, me shenja dhe koincidenca kalendarike, në një specialitet të disiplinuar universitar dhe akademik, duke e lartësuar vetveten vit pas viti deri në shkallën e personalitetit-strumbullar për të gjithë ata të paktë individë që kishin vullnet e pasion për t’iu kushtuar kësaj fushe të ngushtë e të vështirë. Eduard Sulstarova nuk qe thjesht një personalitet lokal, shquar prej më të mirëve ndër sizmologët shqiptarë. Me kompetencën shkencore që shfaqi në mënyrë të vijueshme në kërkime e botime shumë shpejt ai u veçua si dijetar cilësor edhe në shkallë europiane e ndërkombëtare.
U shqua e u veçua jo thjesht për shkak të natyrës së sizmologjisë, që nuk njeh kufij shtetesh e rajonesh, midis kontinenteve dhe oqeaneve, por sepse ishte kontribuues me punime origjinale dhe njëherësh organizator i efektshëm. Pasi kishte drejtur në mënyrë rezultative qendrën e më pas institutin sizmologjik shqiptar dhe pasi kishte shërbyer pothuajse në të gjitha institucionet vendëse të kësaj fushe, ai mori përsipër detyra e përgjegjësi të rëndësishme shkencore ndërkombëtare, që nga përfaqësimi i vendit të tij në komitetin e përhershëm koordinues për pakësimin e rreziqeve sizmike në Ballkan dhe anëtarësia si titullar në komisionin sizmologjik të Europës, deri tek funksioni i kryetarit të komitetit të përhershëm koordinues të sizmologjisë në Ballkan dhe anëtar i komitetit drejtues të projektit të PNUD-it për kufizimin e rreziqeve sizmike në rajonin e Mesdheut. Meritat e tij profesionale u konfirmuan me pranimin si anëtar në Akademinë e Shkencave të Neë York-ut.
Pak e çuditshme për ne pse në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u pranua tre vjet më vonë, por jo dhe aq e papritur duke pasur parasysh natyrën dhe karakterin e Eduard Sulstarovës, njeri modest dhe që u qendroi në largësi autoreklamës dhe publicitetit, siç ishte në edukatën e atij brezi që i takoi. Eduard SulStarova jo vetëm vuri bazat e mikrozonimit sizmik të vendit, por formoi disa breza studiuesish të rinj, si ligjërues i lëndëve të kësaj fushe në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera jashtë vendit. Nën drejtimin e tij u konceptuan për herë të parë dhe morën formën e standardeve teknike të detyrueshme nocione themelore të parambrojtjes sizmike të veprave ndërtimore, që prej banesave popullore deri tek digat e liqeneve artificialë e ndërtesat industriale. Ai bashkoi në veprën e tij, që numëron jo pak por mbi 12 tituj, pa llogaritur rreth 200 raporte e relacione shërbimi, historinë sizmologjike të Shqipërisë, vlerësimin dhe paravlerësimin e rrezikut sizmik të saj, përshkrimin e diversitetit të qendrueshmërisë dhe ndjeshmërisë sizmike në shkallën mikrozonale dhe rekomandimet për të ndarë përgjegjësinë subjektive të ndërtuesit prej pasojave objektive të fatkeqësive natyrore të pashmangshme. Ndërthurja e studimeve mbi aktivitetin sizmik me inxhinierinë e tërmeteve bën pjesë në referencat e nderit në jetëshkrimin profesional të Eduard Sulstarovës.
Ndër meritat e tjera profesionale të tij bën shquarje zotësia për të krijuar skuadra të efektshme pune në grup, dhe për këtë mund të dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij të pranishëm këtu, që nga Shyqyri Aliaj deri tek Siasi Koçiaj, me të cilët botoi pjesën më të madhe të artikujve studimorë të tij – mbi 25 studime në gjuhën angleze dhe në gjuhë të tjera – si kontribute në sizmologjinë ballkanike dhe europiane, në editorinë profesionale më cilësore të kësaj fushe. Akademiku Eduard Sulstarova kreu detyrën e sekretarit shkencor të Akademisë së Shkencave qysh në vitin e pranimit deri më 2008, kur një pseudoreformë arbitrare u bë shkak që të ndërprisnin karrierën profesionale dhe madje edhe që të humbnin të drejtën e votës shumë prej anëtarëve të Asamblesë së saj. Kjo ndodhi pikërisht në përmbyllje të dy dekadave më të rëndësishme në aspektin dhënës të dijeve të tij.
Studimet sizmologjike ballkanike dhe europiane u kthehen e u rikthehen konkluzioneve të artikujve të tij sidomos në kohëra të shfaqjes së rreziqeve dhe fatkeqësive natyrore, siç qe dhe tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019. Në mendjen e punonjësve të Akademisë së Shkencave, jo vetëm të trupës akademike, por edhe të administratës ndihmëse, Eduard Sulstarova do të mbetet njeriu i urtë dhe qytetari i komunikueshëm, gjithnjë buzëqeshur dhe fjalëpakë për punën e tij. Betim Muçon shumica e shqiptarëve e njohin si shkrimtar. Kjo jo vetëm për shkak se pritshmëritë e letërsisë janë shumë më të mëdha se ato të specialiteteve shumë të ngushta, si sizmologjia, por edhe për arsye të dhuntive cilësore krijuese të tij. Betim Muço i takon brezit post-Kadare, brez që bashkoi disa shkrimtarë që bënë emër duke qenë përkrah njëri-tjetrit, si Bardhyl Londo, Moikom Zeqo, Nasi Lera, Kiço Blushi, Xhevahir Spahiu, Natasha Lako, Ndoc Gjetja e Hamit Aliaj.
Betim Muço, ashtu si brezi i tij, megjithëse pa ndonjë poetikë të shpallur, pa ndonjë kod estetik të ndryshëm prej paraardhësve, pati individualitet krijues, duke qendruar larg temave madhështore dhe duke iu drejtuar botës së brendshme të njeriut, emancipimit të mendësisë qytetare, ndarjes prej provincializmit, shijimit të peizazhit të natyrës, problemeve metafizike të botës njerëzore, duke përfshirë gjykimin mbi jetën dhe vdekjen, pezimizmin dhe optimizmin. Të gjitha këto provohen edhe nga shija e tij në të zgjedhur të autorëve të huaj që përktheu në gjuhën shqipe, thuajse të gjithë të këtyre rrjedhave.
Ne e kemi për detyrë të bëjmë të njohura në të njëjtën kohë meritat e karrierës profesionale të tij në fushën e sizmologjisë, ku ai u formua si kërkues i ri dhe mbrojti një tezë doktorate, për të arritur deri tek titulli i profesorit dhe për t’u afirmuar në këtë fushë edhe në vende me shërbim të gjerë e rrjet kërkimor edhe më të gjerë në sizmologji, si Japonia e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku punoi për më shumë se një dekadë si ligjërues universiteti dhe si kërkues në inxhinierinë sizmike. Kur të shkruhet një histori e sizmologjisë shqiptare, pa dyshim që emri i Betim Muços do të jetë në rendin e figurave të rendit parësor.
Dhe ne e kemi për detyrë të bashkëpunojmë me familjen për t’u dhënë dritë botimi dorëshkrimeve të tij në këtë fushë. Nuk më mbetet gjë tjetër veçse t’ju falënderoj për vëmendjen dhe të ftoj ekspertët e fushës të marrin fjalën për të paraqitur me kompetencën e nevojshme profilet intelektuale të këtyre dy dijetarëve.