Forum Shkencor
“Kultivarët e vendit të pemëve frutore, hardhisë, ullirit dhe agrumeve në Shqipëri dhe në Kosovë dhe ndërtimi i sistemit shkencor të certifikimit për prodhimin e fidanëve” (në këndvështrimin e botimit të ri shkencor Pemëtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe në Kosovë, në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit Shkencor dhe Artistik midis ASHSh dhe ASHAK)
Botimi i ri shkencor “Pemëtaria dhe vreshtaria në Shqipëri dhe Kosovë” (Kultivarët e vendit dhe prodhimi i fidanëve të pemëve frutorë, hardhisë, ullirit dhe agrumeve) ka si autorë kryesorë dhe redaktorë shkencorë akad. Efigjeni Kongjika, akad. Latif Susuri, prof. Agim Zajmi, prof. Arben Myrta. Vepra e përbashkët e realizuar në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit Shkencor dhe Artistik midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës mblodhi kërkues shkencorë, specialistë, fidanrritës dhe studentë nga Shqipëria dhe Kosova në një Forum Shkencor me temë “Kultivarët e vendit të pemëve frutore, hardhisë, ullirit dhe agrumeve në Shqipëri dhe në Kosovë dhe ndërtimi i sistemit shkencor të certifikimit për prodhimin e fidanëve” më 22 nëntor 2017 në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë. Kjo ngjarje vjen pas përurimit me sukses të librit në Prishtinë me rastin e Panairit të Librit në maj 2017.
Hartimi i botimit vjen pas një pune të gjatë për realizimin e projektit “Inventarizimi i virozave dhe shëndetësimi i materialit mbjellës të specieve frutore dhe vreshtave në Kosovë dhe Shqipëri”, përsëri në kuadër të Protokollit të Bashkëpunimit mes dy akademive me koordinatorë akad. Latif Susuri (AShAK) dhe akad. Efigjeni Kongjika (AShSh). Veçanërisht botimi i ri ka bashkuar një numër të madh specialistësh nga Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike të Akademisë, nga disa institucione shkencore dhe mësimore si të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të Universitetit të Tiranës, ekspertë italianë dhe shqiptarë nga Instituti Agronomik Mesdhetar në Valenzano të Barit në Itali, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore në Vlorë, kompania e mirënjohur Certis Europe, gjithashtu në Kosovë nga Seksioni i Shkencave Natyrore të AShAK-ut, Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural etj. Botimi i ri është fryt i punës së 27 autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, specialistë të njohur në fusha të ndryshme të frutikulturës, të fitopatologjisë, biologjisë molekulare, bioteknologjisë, njohës të legjislacionit evropian dhe shqiptar për certifikimin e fidanëve të drurëve frutorë. Pasi u diskutua në Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike rëndësia e këtij botimi në kohën e sotme, kur iniciativat private për zhvillimin e frutikulturës mbështeten fuqimisht nga Programi i Qeverisë, u mendua që kjo veprimtari të realizohet në formë forumi, ku specialistët në të dy anët e kufirit, që përballen me probleme shqetësuese të njëjta, të debatojnë dhe të paraqesin opsione shkencore për ngritjen e një sistemi të besueshëm certifikimi, që duhet realizuar në të dy vendet tona.
Kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Salvatore Bushati hapi forumin duke theksuar rëndësinë e botimit, jo vetëm si vepër e përbashkët e të dy akademive, por edhe për zgjedhjen e duhur të bashkësisë së autorëve të të dy vendeve dhe për zgjidhjet optimale për ngritjen e sistemit të certifikimit për prodhimin e fidanëve të drufrutorëve. Gjithashtu përshëndeti forumin shkencor përfaqësuesi i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dr. Grigor Gjeçi, i cili theksoi mbështetjen e Ministrisë për impaktin e kërkimit shkencor në ekonominë bujqësore në përgjithësi dhe në drejtimin e zhvillimit të frutikulturës në veçanti, si degë kryesore në kushtet e sotme të Shqipërisë. Dekanët e Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, prof. Fatbardh Sallaku dhe të Fakultetit të Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës, prof. Spiro Drushku vlerësuan bashkëpunimin shkencor të institucioneve të tyre me Akademinë e Shkencave në realizimin e projekteve, botimeve dhe konferencave të përbashkëta me synim përfitimin e një produkti shkencor që i vlen ekonomisë dhe shoqërisë.
Akad. Efigjeni Kongjika dha një vështrim panoramik të problemeve që trajtohen në botimin e ri duke ia lënë vendin autorëve të kapitujve të veçantë, që diskutuan për problemet që duhen zgjidhur urgjentisht për mbarëvajtjen e kultivimit të specieve drufrutore autoktone dhe për funksionimin e sistemit të certifikimit të prodhimit të fidanëve të këtyre specieve, që duhet të realizohet në institucione shkencore të specializuara dhe të akredituara për prodhim të materialit mbjellës fidanor sipas standardeve të njohura dhe të mirëpërcaktuara.
Megjithëse sistemi i certifikimit është objektivi kryesor i forumit, shumë probleme te tjera për sa i përket stimulimit të kultivimit të kultivarëve autoktone të drufrutorëve u debatuan duke i shtruar dhe duke dhënë zgjidhje shkencore. Rëndësi ka që këto zgjidhje të gjenden në këtë panoramë të zhvillimit të vendeve tona të vogla, që duhet të mbijetojnë në situatat e globalizmit.
Prof. Agim Zajmi pasqyroi pamje të gjermoplazmës së pasur të pemëve në Kosovë, ndërsa prof. Resmi Osmani në bashkëpunim me prof. as. Ilir Çiçi evidentoi fondin vendës të pemëve në Shqipëri të pasur me forma, ekotipe dhe kultivarë me origjinë të lashtë. Specialistët e mirënjohur në të dy vendet theksuan domosdoshmërinë e hartimit të një Programi Kombëtar me orientimet strategjike të politikave për ruajtjen e burimeve gjenetike si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. U shtrua detyra e grumbullimit, koleksionimit, shëndetësimit fitosanitar, ruajtjes e studimit të gjermoplazmës së pemëve frutore vendëse, si detyrë imediate për ruajtjen dhe shfrytëzimin, si pjesë e kulturës bujqësore tradicionale kombëtare, por edhe e zhvillimit perspektiv mbi bazën e kërkesës së konsumatorëve, industrisë përpunuese, por edhe të eksportit. Prof. Lush Susaj, specialist në UBT, bashkautor me prof. Bashkim Koronica nga Kosova për vreshtarinë dhe verëtarinë, pasi paraqiti kultivarët e hardhisë vendase me karakteristikat e tyre të vlefshme për treg, përshkroi perspektivën e zhvillimit të vreshtarisë si në rritjen e sipërfaqes totale të kultivimit, ashtu dhe për përmirësimin e strukturës varietore të mbjelljeve duke pakësuar numrin e kultivarëve më të mirë ndërkombëtarë dhe duke rritur sipërfaqen e mbjellë me kultivarët e seleksionuar e të përmirësuar të vendit. Prof. as. Hairi Ismaili me bashkëpunëtorët e tij paraqitën të dhëna mbi fondin gjenetik vendas të ullirit, si dhe të agrumeve, për rëndësinë e agroturizmit si element multifunksional në korrelacion me biodiversitetin, komercializimin e produkteve shumë tradicionale të vajit të ullirit, si dhe zhvillimin në harmoni me territorin për ferma të vogla multifunksionale. Vepra e re, që është në qendër të debatit kap një diapazon të gjerë problemesh, dhe autorët, specialistë të njohur në fusha të ndryshme të frutikulturës përpiqen tu japin zgjidhje problemeve shqetësuese të frutikulturës në kushtet e hapjes së kufijve të tregut evropian dhe të qarkullimit të lirë të produkteve bimore, kur ekziston potencialisht dhe praktikisht shfaqja në territorin kombëtar ose rajonal të patogjeneve të rrezikshëm me pasoja jo vetëm në nivel kombëtar, por dhe rajonal apo edhe më gjerë. Lind si domosdoshmëri rregullimi përmes një programi shkencor dhe legjislativ në nivel komunitar dhe kombëtar për prodhimin, certifikimin dhe tregtimin e materialit të shumimit të bimëve drurëfrutorë, që lëviz dhe tregtohet në të gjithë botën.
Përvoja e prof. Arben Myrta, ekspert i fushës së virusologjisë bimore në Kompaninë Certis Europe në Bruksel ka qenë në qendër të vëmendjes së auditorit për problemet e gjendjes fitosanitare të fidanishteve në Shqipëri dhe në Kosovë. Kjo përvojë e gjatë për identifikimin e fitopatogjenëve është rezultat i projekteve të përbashkëta edhe midis AShSh-së dhe AShAK-ut, që fatkeqësisht ka evidentuar praninë e patogjenëve karantinorë jo vetëm në fushë, por edhe në fidanishte. Gjithashtu është konstatuar prania e viruseve të reja si në Shqipëri edhe në Kosovë me rrezik jo vetëm në vend, por edhe në rajon e më gjerë. U shtrua me forcë përafrimi i legjislacionit për certifikimin e fidanëve të bimëve drufrutore dhe hardhisë me legjislacionin përkatës të BE-së në Shqipëri dhe në Kosovë. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të dy vendeve për përditësimin e tij, mbetet akoma për të bërë në mënyrë që ky legjislacion të jetë i njëjtë me atë të vendeve të BE-së. Autorët e specializuar në këtë fushë shtruan nevojën emergjente të ndërtimit të një sistemi certifikimi të besueshëm me institucione, detyra dhe përgjegjësi të përcaktuara për prodhimin e materialit shumues në dy drejtime: të sigurt gjenetikisht dhe të pastër ndaj problemeve fitosanitare. U theksua fuqimisht edhe roli i fidanrritësve, që duhen konsideruar komponent kryesor në sistemin e certifikimit, sepse produkti fidanor mirret prej tyre dhe ju kthehet si “burim bazë” i certifikuar.
Duket se zgjidhjet dalin nga institucione shkencore, në laboratorë të mirëpajisur, por veçanërisht nga kërkues të specializuar, me vizion, që njohin të kaluarën, por jetojnë të tashmen e vështirë me shumë probleme dhe që konsiderojnë mundësitë e ndryshimit të fuqishëm të bujqësisë me frutikulturën si drejtim kryesor. Është pikërisht kjo bazë që duhet të mbështetet nga politika stimuluese të Qeverisë dhe të Ministrisë së Bujqësisë e Zhvillimit Rural, që tashmë janë shpalosur në programe të Qeverisë me modelin e ekonomisë mbështetur në diversifikimin e produkteve dhe shërbimeve, adoptimin masiv të teknologjive të reja. Komuniteti shkencor që e ndjen veten përgjegjës për zhvillimin e sotëm të bujqësisë dhe agroturizmit po aq sa politika, ndofta më shumë, sepse ai komunitet mbetet, ndërsa qeveritë ndryshojnë, ndjehet po ashtu i respektuar, kur i dëgjohet mendimi i specializuar, ekspertiza, kur vihet në detyrën e kryesimit të trajnimit dhe të transferimit të njohurive bashkëkohore tek studentët, tek nxënësit në shkollat bujqësore rajonale që po shtohen dhe deri tek fermerët, që janë pjesëmarrësit më aktivë të interesuar për certifikimin e fidanëve të prodhuar. Në radhë të parë, departamenteve të Universitetit Bujqësor me specialistët duket se po ju kthehet roli dhe funksioni i tyre kryesor në zhvillimet e sotme në bujqësi e në ekonomi në përgjithësi. Natyrisht, edhe ky komunitet ka nevojë për bashkëpunim me specialistë në universitete të tjera të vendit. Të mos harrojmë se sot japin rezultate pozitive dhe të qëndrueshme projektet multidisiplinore si në nivel kombëtar, në trevat shqipfolëse, në nivel rajonal dhe europian.
Në forum u shfaq mendimi pozitiv se drejtuesit e sotëm të Ministrisë së Bujqësisë shohin me sy kritik papërgjegjshmërinë 25 vjeçare që çoi drejt mbylljes institucionet e kërkimit, që siç përmend Ministri Niko Peleshi duhen ringjallur për t’i kthyer ato në modele inteligjente për ta bërë prodhimin vendas më konkurrues në tregun ndërkombëtar.
Pjesëmarrësit e forumit diskutuan aktivisht për problemet e kultivimit të kultivarëve autoktonë dhe certifikimin e fidanëve të prodhuar, si dhe vlerësuan botimin e ri si mbështetje shkencore për studiuesit dhe specialistët e prodhimit të pemëve, vreshtit, atyre të fidanishteve dhe sidomos për forcimin e lidhjeve midis institucioneve kërkimore dhe mësimore, por edhe për një bashkëpunim më aktiv në fushën e prodhimit të fidanëve të drufrutorëve midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Së fundi, pjesëmarrësit në forumin shkencor miratuan Kartën e Forumit me rekomandime të komunitetit shkencor drejtuar institucioneve politikëbërëse e vendimmarrëse, komisioneve parlamentare, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, universiteteve dhe institucioneve shkencore.
Lexoni Kartën e Forumit