Për problematikat e teknologjive të reja u organizua (29–31 Maj, 2016) një workshop Shqipëri-Spanjë mbi Nanoteknologjinë – ndikimin në shëndet, mjedis, kujdesin dhe sigurinë në Shqipëri, rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Tiranës, Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me universitetet e Tiranës: atë Bujqësor, Politeknik e Mjekësor, me Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë (ICN2), si dhe me mbështetjen e Ministrisë së Inovacionit e Administratës Publike, Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, Ministrinë e Mjedisit, dhe Ambasadën e Spanjës në Tiranë. Akademia e Shkencave mori pjesë aktivisht në organizimin e workshop-it me anëtarët e Komitetit Organizativ: Akad. S. Bushati, Akad. Asoc. E. Kongjika dhe Akad. Asoc. A. Veveçka.

Duke e konsideruar Nanoshkencën dhe nanoteknologjinë sot si oportunitetet më të mëdha me impakt në çdo aspekt të jetës, qëllimi i takimit ishte paraqitja e gjendjes së kërkimit shkencor në përgjithësi në fushën e nanoteknologjisë dhe biosensorëve në Shqipëri dhe veçanërisht aplikimet në mbrojtjen e mjedisit, në shëndet, sigurinë ushqimore dhe biosigurinë, ku kërkuesit dhe përfaqësues të politikbërjes e vendimarrjes nga institucione të ndryshme nga vendi dhe bota, paraqitën përvojën e tyre në këtë fushë. Kërkues të ftuar nga Spanja, drejtori i CERCA-s, Dr. Lluis Rovira dhe drejtori i ICN2, Prof. Pablo Ordejon nga Barcelona paraqitën rezultate të kërkimit dhe strategjitë e zhvillimit në vendin e tyre dhe institucionet përkatëse. Prof. Giuseppe Palleschi nga Universiteti Tor Vergata në Romë, Itali si dhe rreth 70 pjesëmarrës me prezantime orale/poster nga më shumë se 10 institucione shqiptare me bashkëpunëtorë me universitete në Gjermani, Spanjë, Itali, Holandë, Turqi etj. Kërkuesit gjithashtu shkëmbyen ekspertizat e tyre në zhvillimin dhe aplikimet në nanoteknologji, nanomaterialet dhe biosensorët. Në konferencë, nga Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike të AShSh u paraqitën tre prezantime: (i) An excellence center of nanotechnology and biosensors – a necessity of scientific development and applications of new technologies in Albania (S. Bushati, E. Kongjika. 2016); (ii). New opportunities of plant biotechnology in Albania using nanomaterials. (E. Kongjika, V. Sota. 2016) dhe (iii) Bulk nanostructured materials produced by severe plastic deformation processing. (N. Izairi, A. Veveçka. 2016).

Të gjitha punimet shkencore të paraqitura në workshop do të botohen në një numër special të revistës shkencore periodike të Akademisë së Shkencave JNTS (Journal of Natural and Technical Sciences), që do të qarkullojë dhe on-line. Ky botim do të jetë i vlefshëm për lexuesit e JNTS-së të interesuar në këtë fushë për të shtuar bashkëpunimin midis kërkuesve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, që punojnë në fusha komplementare dhe sinergjike e që janë të gatshëm për të përdorur nanoteknologjinë, si dhe sensorët dhe biosensorët për aplikime të ndryshme.

Nga ana tjetër workshopi shkencor ndërkombëtar, hodhi bazat e bashkëpunimit të specialistëve të fushës së nanoteknologjisë e biosensorëve për ngritjen e një qendre shkencore ekselence (Albanian Centre of Nanobiotechnology and Biosensors, ALBNANO) për problematikat e paraqitura, e cila përfundoi me aplikimin e një projekt-propozimi në Programin HORIZON–2020 të BE-së.