U zhvillua tryeza e rrumbullakët me rastin e 70-vjetorit të Konferencës së Partisë së Tiranës

Më 30 prill 2026 u zhvillua tryeza e rrumbullakët kushtuar 70-vjetorit të Konferencës së Partisë së Tiranës, e organizuar nga Komisioni i Përhershëm i Historisë dhe Instituti i Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrje fizike dhe online të akademikëve, studiuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kërkimore-shkencore.
Në fjalën përshëndetëse, zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akad. Vasil Tole, e vlerësoi Konferencën e Tiranës si një ngjarje komplekse dhe domethënëse në historinë politike të Shqipërisë së shek. XX, duke theksuar nevojën për qasje kritike dhe shumëdimensionale në interpretimin e saj. Sipas tij, kjo konferencë përbën një rast studimor ku tensioni midis reformimit të brendshëm dhe kufizimeve strukturore të sistemit politik të kohës shfaqet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Në këtë kuadër u evidentua edhe roli i figurave që shprehën qëndrime kritike brenda fushës së artit dhe kulturës, ndër të cilat u përmend kompozitorja e parë shqiptare, Dhora Leka, e cila mbetet një nga artistet më të anatemuara, ndaj së cilës u morën masa drastike dhe të dhunshme.
Në hapje të seancës, z. Njazi Jaho e vendosi Konferencën e Tiranës në kontekstin e ngjarjeve që ndodhën pas Kongresit XX të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik (1956), i cili shënoi një kthesë të rëndësishme me kritikën e Hrushovit ndaj kultit të individit të Stalinit. Fryma e këtij kongresi u reflektua edhe në Shqipëri. Si rrjedhojë, u dënuan disa komunistë që kërkonin më shumë hapje brenda partisë dhe që shprehën kritika ndaj mënyrës autoritare të drejtimit, si dhe ndaj problemeve ekonomike e sociale të vendit.
Udhëheqja i konsideroi kritikat si fillimin e një lëvizjeje që mund të dobësonte kontrollin e partisë dhe të sillte përçarje të brendshme. Pas konferencës, kritikët u etiketuan si “revizionistë” ose “armiq”, një pjesë e madhe e të cilëve iu nënshtruan ndëshkimeve, përjashtimeve dhe goditjeve politike.

Drejtori i Institutit të Historisë, akad. Hamit Kaba, e interpretoi Konferencën e Tiranës si një projeksion të Kongresit XX të PKBS dhe proceseve destalinizuese, që kishin filluar pas vdekjes së Stalinit. Ai theksoi se raporti sekret i Hrushovit mbi kultin e individit shënoi pikën kulmore të procesit të destalinizimit dhe solli pështjellime në botën komuniste. Akad. Kaba nënvizoi se Shqipëria reagoi në mënyrë të kufizuar ndaj frymës së liberalizimit, por pas ndarjes nga Bashkimin Sovjetik, linja staliniste u forcua më tej. Kumtuesi trajtoi në mënyrë të veçantë rastin e Jugosllavisë, duke e parë atë si reflektim të marrëdhënieve të saj me Bashkimin Sovjetik dhe SHBA.
Kumtesat shkencore të paraqitura në vijim trajtuan aspekte të ndryshme të kësaj periudhe historike. Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi analizoi kufijtë e debatit politik brenda Partisë së Punës së Shqipërisë në vitin 1956, duke e shtrirë analizën deri në gjenezën e vetë krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë.
Dr. Ylber Marku trajtoi zhvillimet politike dhe sociale të pranverës së vitit 1956 në një perspektivë krahasuese me vendet e tjera komuniste dhe ndryshimet që ndodhën në vitet e mëpasshme.
Prof. asoc. dr. Gjon Boriçi e interpretoi Konferencën e Partisë së Tiranës si një përpjekje për riformësim të kufizuar të strukturave të regjimit komunist. Interpretimi i tij u përqendrua te marrëdhëniet ekonomike dhe rëndësia e tyre në raportet me Bashkimin Sovjetik.
Konferenca u pasua nga një seancë debatesh. Diskutuan prof. dr. Paskal Milo, dr. Edon Qesari, dr. Ylber Marku, dr. Artan Hoxha etj. U theksua rëndësia e burimeve komplekse dhe sidomos e qasjeve teorike bashkëkohore.
Në përmbyllje, tryeza u vlerësua si një kontribut që nxit debatin shkencor mbi një periudhë kyçe të historisë politike shqiptare.