U mbajt tryeza shkencore “Përmbytjet – Shkaqet dhe masat për parandalimin e tyre”
Më 29 prill 2026 u zhvillua tryeza shkencore me temën “Përmbytjet – Shkaqet dhe masat për parandalimin e tyre”, e organizuar nga Njësia e përkohshme e kërkimeve gjeografike, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Aktiviteti u mbajt me pjesëmarrje fizike dhe online.
Veprimtaria u hap nga prof. dr. Zydi Teqja, i cili theksoi se ky aktivitet bashkon rreth temës së përmbytjeve aktorë të ndryshëm dhe se është shumë e rëndësishme që kjo çështje të trajtohet në mënyrë sistemike dhe gjithpërfshirëse.
Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, akad. Gëzim Hoxha, në fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave, e vlerësoi takimin për rëndësinë që ka trajtimi i një prej çështjeve më aktuale dhe të ndjeshme për vendin: përmbytjet, shkaqet dhe masat parandaluese. Ai nënvizoi se programi i tryezës pasqyron një qasje të gjerë ndërdisiplinore, duke përfshirë analiza mbi shtimin e përmbytjeve në Shqipëri pas viteve ’90, krahasime rajonale me Kosovën, vështrime historike, studime mbi bonifikimet, urbanizimin, menaxhimin e ujërave të stuhive dhe ndikimin e mbulesës pyjore.
Akad. Hoxha i vlerësoi studimet e paraqitura si mjetin më të mirë për të nxitur dialogun shkencor dhe për të kontribuar në hartimin e strategjive të qëndrueshme për zhvillimin dhe mbrojtjen e territorit. Në fund, ai premtoi mbështetjen e ASHSH-së për studime të kësaj natyre.
Drejtuesi i Njësisë së pasurive ujore, akad. Besnik Baraj, falënderoi bashkëpunëtorët dhe pjesëmarrësit e tryezës, duke e vënë theksin te domosdoshmëria e bashkëpunimit të gjerë ndërinstitucional dhe roli i ekspertizës shkencore në trajtimin e fenomenit.
Prof. asoc. dr. Jostina Dhimitri prezantoi veprimtarinë e njësisë organizatore, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të përmbytjeve si fenomen i përsëritur dhe problematik për Shqipërinë.
Veprimtaria u pasurua me një varg kumtesash shkencore, ku studiues të njohur sollën analiza të thelluara mbi fenomenin e përmbytjeve dhe menaxhimin e ujit. Prof. dr. Perikli Qiriazi veçoi disa nga arsyet kryesore të shtimit të përmbytjeve në Shqipëri pas vitit 1990, ndërsa prof. asoc. dr. Valbon Bytyqi u ndal te faktorët natyrorë dhe ndërhyrjet njerëzore që kanë ndikuar në Kosovë. Dr. Rudina Uruçi riktheu vështrimin te historia e përmbytjeve në vend, kurse Margarita Lutaj dhe Andi Sholla analizuan shkaqet dhe masat parandaluese. Ing. Dhimitër Vogli solli shembuj mbi bonifikimet në Maliq, Shkodër e Thumanë, duke evidentuar konceptet bazë, rezultatet dhe pasojat, ndërsa arkitekti Kreshnik Merxhani prezantoi studimin mbi sterat e ujit në banesat tradicionale të Gjirokastrës.
Nëpërmjet një studimi të thelluar prof. dr. Zydi Teqja trajtoi menaxhimin e ujit të stuhive në epokën e urbanizimit, prof. asoc. Ferim Gashi dhe msc. Amir Rexha paraqitën një qasje integruese mbi faktorët topografikë, klimatikë dhe antropogjenë, kurse Ledio Allkja foli për statusin e planifikimit me përshtatje në Shqipëri. Në fund, Abdulla Diku foli mbi qasjet shkencore dhe institucionale për parandalimin e përmbytjeve dhe theksoi rolin e mbulesës pyjore në dinamikën e tyre.
Një aspekt i rëndësishëm i aktivitetit ishte orientimi jo vetëm drejt identifikimit të shkaqeve, por edhe drejt ofrimit të zgjidhjeve konkrete. U theksua nevoja për integrimin e faktorëve natyrorë dhe antropogjenë, planifikim të qëndrueshëm dhe rikthimin e vëmendjes ndaj praktikave tradicionale të menaxhimit të ujit, siç është rasti i sterave në Gjirokastër.
Pas referimeve u zhvilluan diskutime të hapura, të cilat sollën konkluzione të rëndësishme mbi qasjet shkencore dhe institucionale për parandalimin e përmbytjeve. Në përfundim, tryeza shkencore evidentoi nevojën për politika të bazuara në evidencë, bashkërendim institucional dhe një vizion afatgjatë për menaxhimin e territorit dhe mbrojtjen nga përmbytjet.
