Leksion shkencor mbi veprimtarinë dhe kontributin e akademikut Zeqirja Ballata
Në kuadër të veprimtarive shkencore dhe artistike, Komisioni i Përhershëm i Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi një leksion shkencor kushtuar veprimtarisë dhe kontributit të akademikut Zeqirja Ballata, nën moderimin e dr. Denis Bizhgës.
Zëvendësdekania e Fakultetit të Muzikës në Universitetin e Arteve, prof. asoc. Silvana Skënderi në fjalën e hapjes të veprimtarinë shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për organizatorët e leksionit akademik kushtuar një figure të shquar të muzikës dhe mendimit muzikologjik shqiptar. Ajo vlerësoi veçanërisht Akademinë e Shkencave të Shqipërisë për mbështetjen dhe për krijimin e vazhdueshëm të hapësirave për diskutime dhe veprimtari shkencore në fushën e arteve.
Në kuadër të Lectio Magistralis kushtuar akademikut Zeqirja Ballata, kompozitori Jetmir Zaganjori theksoi se qëllimi i kumtesës ishte trajtimi analitik i jetës, veprës dhe kontributit të tij në muzikologjinë dhe krijimtarinë muzikore shqiptare. Ai e cilësoi Ballatën si një figurë qendrore të mendimit muzikor në Kosovë, i cili ka ndërthurur rolin e kompozitorit me atë të muzikologut, duke ndërtuar ura lidhëse ndërmjet traditës muzikore dhe zhvillimeve bashkëkohore evropiane.
Zaganjori nënvizoi gjithashtu rëndësinë e kontekstit historik dhe kulturor të Kosovës në formësimin e kësaj figure, duke e paraqitur zhvillimin e jetës muzikore si një proces kompleks, të ndikuar nga rrethana politike dhe shoqërore. Ai theksoi kalimin nga tradita gojore dhe folklorike drejt institucionalizimit të jetës muzikore pas Luftës së Dytë Botërore, proces që ka ndikuar drejtpërdrejt në formimin e brezit të kompozitorëve, ku bën pjesë edhe Zeqirja Ballata.
Më tej, u vu në dukje evoluimi i muzikës në Kosovë nga praktikat tradicionale drejt strukturave institucionale dhe ndikimeve të muzikës bashkëkohore evropiane, duke krijuar një terren të ri për zhvillimin e gjuhës muzikore dhe të krijimtarisë artistike.
Në aktivitet mori pjesë edhe familjari i akademikut, z. Ragip Ballata, i cili përcolli përshëndetjet e familjes dhe theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti për vlerësimin e figurës dhe trashëgimisë së tij. Ai shprehu mirënjohje ndaj Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Komisionit të Arteve, instrumentistëve dhe të pranishmëve, si dhe përshëndeti pjesëmarrjen e Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri. Ai u shpreh më tej se ndihej i nderuar që ishte pjesë e këtij aktiviteti kushtuar një figure dhe një trashëgimie të rëndësishme për muzikën dhe kulturën shqiptare, duke uruar suksese në vijimin e punës shkencore dhe artistike.
Aktiviteti u mbyll me interpretime muzikore: Silvana Skënderi interpretoi në piano veprën “Jehonë nga Bjeshkët e Nemuna”, ndërsa, në një interpretim të përbashkët në piano dhe fizarmonikë nga Silvana Skënderi dhe Elton Balla, u soll vepra “Canticum Scodrense”, duke i dhënë aktivitetit një mbyllje artistike të denjë, në harmoni me frymën e leksionit shkencor kushtuar figurës së akademikut Zeqirja Ballata.
