Workshop ndërkombëtar në Tiranë mbi trajtimet biofizike në bujqësi dhe akuakulturë
Më 16 prill 2026, në Tiranë, u zhvillua workshop-i ndërkombëtar me temën: “Efekti i trajtimeve biofizike në performancën e rritjes së materialit biologjik te bimët dhe kafshët”. Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me: Akademinë e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore Gheorghe Ionescu-Șișești”; Qendrën e Kërkim-Zhvillimit për Peshkimin Nucet; Institutin e Kërkim-Zhvillimit për Ekologji Ujore, Peshkim dhe Akuakulturë Galați (ICDEAPA Galați); Departamentin e Bioteknologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës, si dhe partnerë nga Rumania dhe sektori privat.
Koordinimi i aktivitetit u realizua nga prof. dr. Ariola Bacu, anëtare e Komisionit të përhershëm të Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë dhe përgjegjëse e Grupit të Bioteknologjisë Molekulare në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, si dhe nga z. Radu Mihailov, president i Bio Top Romania Agriculture Cooperative.
Workshop-i u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një kuadri rajonal të strukturuar për kërkime të aplikuara biofizike në bujqësi dhe akuakulturë, duke synuar kalimin nga bashkëpunime eksploruese drejt partneriteteve strategjike dhe të qëndrueshme.
Sekretarja Shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Anila Hodo, përshëndeti të pranishmit dhe e vlerësoi workshop-in si një moment të rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar dhe për thellimin e dialogut akademik ndërmjet institucioneve kërkimore dhe universitare.
Ajo theksoi se është një kënaqësi e veçantë për ASHSH-në të mirëpriten në Tiranë kolegë nga Akademia e Shkencave Bujqësore dhe Pyjore e Rumanisë, si dhe përfaqësues nga universitete, qendra kërkimore dhe sektori privat, duke vënë në dukje se prania e tyre dëshmon rëndësinë në rritje të bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar dhe shkëmbimit të njohurive ndërmjet vendeve dhe disiplinave të ndryshme.
Nga pala rumune, znj. Costache Mioara vlerësoi rëndësinë e vazhdimësisë së bashkëpunimit ndërinstitucional dhe zhvillimit të partneriteteve afatgjata në funksion të kërkimit dhe inovacionit, ndërsa z. Radu Mihailov foli për rolin e kërkimit të aplikuar në adresimin e sfidave globale, si ndryshimet klimatike dhe siguria ushqimore. Ai u shpreh se ishte një nder të merrte pjesë në këtë ngjarje që bashkon përpjekjet ndërkombëtare për zhvillimin e bujqësisë dhe akuakulturës, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit institucional dhe të kërkimit të aplikuar në përballimin e sfidave globale, si ndryshimet klimatike, rritja e kërkesës për ushqim dhe nevoja për sisteme prodhimi më të qëndrueshme.
Gjatë sesioneve u trajtuan çështje që lidhen me legjislacionin europian dhe kombëtar, prioritetet e kërkimit shkencor dhe aplikimet konkrete të metodave biofizike në bujqësi dhe akuakulturë.
Znj. Valdete Buca, përfaqësuese e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe z. Radu Mihailov drejtuan sesionin e parë për legjislacionin europian dhe atë vendor, lidhur me mundësitë e kërkimit shkencor të aplikuar në bujqësi. Gjatë prezantimeve u trajtuan kuadri ligjor dhe mundësitë për zhvillimin e kërkimit të aplikuar në sektorin bujqësor.
Në sesionin e dytë me temën “Efekti i trajtimeve biofizike mbi performancën e rritjes së materialit biologjik bimor”, që u moderua nga prof. dr. Ariola Bacu dhe dr. Roxana Ciceoi u mbajtën shtatë prezantime shkencore. Punimet shkencore u përqendruan në aplikimin e teknikave biofizike për përmirësimin e rritjes dhe zhvillimit të bimëve.
Sesioni i tretë me temën “Efekti i trajtimeve biofizike mbi performancën e rritjes së materialit biologjik shtazor” u moderua nga akad. Anila Hodo dhe z. Ion Jiha. Prezantimet e këtij sesioni sollën rezultate dhe diskutime mbi ndikimin e trajtimeve biofizike në shëndetin dhe performancën e organizmave shtazorë.
U prezantuan rezultate kërkimore mbi përdorimin e bio-rezonancës, priming-ut të farave, diagnostikës molekulare dhe teknikave të tjera inovative, me fokus në rritjen e rendimentit, përmirësimin e shëndetit të bimëve dhe kafshëve, si dhe në përballimin e stresit biotik dhe abiotik.
Workshop-i shërbeu si një platformë konkrete për thellimin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri–Rumani, duke synuar harmonizimin e metodologjive, zhvillimin e projekteve pilot, publikime të përbashkëta shkencore dhe identifikimin e mundësive të financimit në kuadër të programeve evropiane. Ambicia e përbashkët e partnerëve mbetet krijimi i një qendre rajonale reference për teknologjitë biofizike të aplikuara në sistemet bimore dhe shtazore, të bazuara në evidencë shkencore dhe të zbatueshme në nivel europian.
