U promovua botimi “Studime albanologjike në indoeuropianistikë, filologji dhe gjuhësi kontakti”, në nderim të prof. Bardhyl Demiraj

Më 27 mars 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u zhvillua veprimtaria promovuese e botimit shkencor Festschrift “Studime albanologjike në indoeuropianistikë, filologji dhe gjuhësi kontakti”, kushtuar prof. dr. Bardhyl Demiraj. Aktiviteti u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, në bashkëpunim me Komisionin e përhershëm të gjuhësisë dhe të letërsisë.
Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, i cili vlerësoi prof. dr. Bardhyl Demirajn si një ndër përfaqësuesit më të spikatur të studimeve albanologjike në hapësirën akademike europiane. Ai vuri në dukje veprimtarinë e tij të rëndësishme si gjuhëtar dhe filolog në Universitetin “Ludwig Maximilian” të Mynihut, si dhe rolin e tij në drejtimin e njësisë së shqipes në një prej qendrave më të rëndësishme të albanologjisë në Europë.
Akad. Hoxha nënvizoi se vëllimi i botuar përbën jo vetëm një nderim për figurën e prof. Demirajt, por edhe një pasqyrë të zhvillimeve bashkëkohore të studimeve albanologjike në kontekstin europian. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e tij si një urë lidhëse midis albanologjisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare, duke theksuar se është nder për Akademinë që ai është pjesë e saj si akademik i jashtëm.
Në përfundim, ai përgëzoi përgatitësit e vëllimit prof. dr. Anila Omari, akad. Shaban Sinani dhe Ledio Hala, si dhe të gjithë autorët pjesëmarrës, duke e cilësuar botimin si një dëshmi të qëndrueshme të vlerësimit të komunitetit shkencor për veprën dhe personalitetin e prof. Bardhyl Demiraj.
Në vijim, prof. Seit Mansaku e cilësoi vëllimin si një arritje të rëndësishme shkencore, duke vlerësuar njëherazi bashkëpunimin e tij shumëvjeçar me prof. dr. Demiraj dhe kontributin e hartuesve të botimit.
Bashkëhartuesja e vëllimit prof.dr. Anila Omari vlerësoi botimin kremtues, i cili nderon një nga figurat më të spikatura të albanologjisë bashkëkohore. Ajo vuri në dukje se vëllimi është realizuar me pjesëmarrjen e studiuesve nga fusha të ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, duke përbërë një dëshmi të gjerë të ndikimit shkencor të prof. dr. Demirajt. Po ashtu, ajo nënvizoi se botimi pasqyron zhvillimet më të fundit në studimet albanologjike dhe indoeuropiane, përmes një game të larmishme qasjesh teorike dhe metodologjike.

Më tej, prof. dr. Omari vlerësoi fjalën hyrëse të kryetarit të Akademisë së Shkencave, akad. Skënder Gjinushi dhe një shkrim laudativ nga akad. Shaban Sinani, kushtuar veprimtarisë shkencore të prof. Demiraj. Në përmbajtjen e tij përfshihen 25 artikuj shkencorë, të strukturuar sipas fushave kryesore të albanologjisë.
Akad. Shaban Sinani foli për traditën e Akademisë së Shkencave për botime të këtij formati, duke e vlerësuar veprën si një ndër kontributet më të rëndësishme të viteve të fundit në nderim të figurave të shquara të albanologjisë. Ai theksoi se botimi pasqyron në mënyrë dinjitoze veprën dhe ndikimin shkencor të prof. dr. Bardhyl Demiraj në studimet gjuhësore dhe filologjike. Ky Festschrift, që i kushtohet Bardhyl Demirajt, profesor universiteti, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë; historian i gjuhës dhe etimolog, historian i shkrimit dhe alfabetizimit të shqipes, përfaqësues i shquar i filologjisë së tekstit me kërkimet dhe botimet që ka realizuar ndër vite; organizator tubimesh shkencore ndërkombëtare të suksesshme; nyje ndërlidhëse e albanologjisë në Europë; është titulluar në shërbim të dijes sonë të shenjtë, duke nënkuptuar me të shenjtën e albanologjisë, së cilës, sikurse nënshkruan shpesh në letrat shoqërore, i qëndroi besnik gjatë gjithë veprimtarisë së tij studiuese.
Në vijim të veprimtarisë shkencore, programi u pasurua me referime të mirëfillta akademike mbi vëllimin në fjalë, duke sjellë në vëmendje dimensione të ndryshme të studimit të gjuhës shqipe dhe trashëgimisë së saj. Mbi këtë vëllim referuan edhe studiueset e njohura: prof. as. dr. Evalda Paci, e cila në kumtesën e saj me titull “Filologjia e teksteve të vjetra në vëllimin kushtuar prof. Bardhyl Demirajt” ndaloi në rëndësinë e analizës filologjike dhe metodologjive bashkëkohore për shqyrtimin e teksteve të hershme shqipe, duke vënë në pah kontributin e tyre në ndriçimin e historisë së gjuhës.
Më tej, prof. dr. Mimoza Kore mbajti kumtesën “Historia e gjuhës shqipe dhe e trevave shqiptare në librin dedikuar prof. Bardhyl Demirajt”, ku trajtoi ndërthurjen e zhvillimeve gjuhësore me kontekstin historik e kulturor të trevave shqiptare, duke theksuar rolin e studimeve ndërdisiplinore në këtë drejtim.
Ndërkohë, prof. dr. Mimoza Priku, në kumtesën e saj “Gjuhësi variantesh dhe shqipja në kontakt në vëllimin festiv për nder të prof. Bardhyl Demirajt”, u përqendrua në fenomenet e variacionit gjuhësor dhe kontaktit të shqipes me gjuhë të tjera, duke analizuar ndikimet dhe dinamikat që këto procese sjellin në zhvillimin e gjuhës.
Në përmbyllje të aktivitetit, prof. dr. Bardhyl Demiraj shprehu mirënjohjen e tij për vlerësimin dhe përkushtimin e kolegëve, duke theksuar se ky botim zë një vend të veçantë në punën dhe kujtesën e tij. Ai nënvizoi rëndësinë e lidhjeve të qëndrueshme me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, institucionet akademike dhe kolegët, si dhe rolin e përvojës së tij akademike në Shqipëri dhe jashtë saj në formësimin e rrugëtimit të tij shkencor.



