U zhvillua tryeza shkencore për prezantimin e librit “Shëndeti dhe sëmundja” të prof. dr. Eduard Kakarriqit

Takimi u mbajt më 26 mars 2026 me organizimin e Komisionit të përhershëm të mjekësisë, me synimin për të vlerësuar kontributin e veprës në fushën e shëndetit publik dhe epidemiologjisë. Në këtë tryezë morën pjesë anëtarë të kryesisë, si dhe profesionistë të shquar të mjekësisë nga vendi dhe Kosova.
Kryetari i Komisionit të përhershëm të mjekësisë, akad. Genc Sulçebe, fillimisht foli për karrierën e shkëlqyer të prof. Kakarriqit si mjek dhe pedagog universitar në fushën e mjekësisë, i angazhuar në mësimdhënie dhe në kërkimin shkencor për një periudhë të gjatë. Ai e vlerësoi si nga figurat e shquara të shkencave mjekësore shqiptare që ka dhënë kontributin prej disa dekadash veçanërisht në fushën e mikrobiologjisë dhe vaksinimit, për të motivuar të gjithë shqiptarët, duke kryer ndër të parët vaksinën për të parandaluar sëmundjen COVID-19.
Më tej ai e vlerësoi prof.dr. Kakarriqin si autorin e veprës “Shëndeti dhe sëmundja – vështrim gjithëpërfshirës filozofik dhe epidemiologjik”, një libër voluminoz me rreth 1100–1200 faqe. Akad. Sulçebe e cilësoi veprën si një ndërmarrje ambicioze dhe të rrallë në literaturën mjekësore shqiptare. Sipas tij, libri synon të trajtojë në mënyrë të integruar dy dimensione themelore të mjekësisë: atë filozofik dhe atë epidemiologjik.
Ai theksoi se autori shkon përtej një qasjeje të ngushtë biomjekësore, duke ndërtuar një analizë të gjerë që përfshin konceptet filozofike të shëndetit dhe sëmundjes, teoritë bashkëkohore si natyralizmi dhe normativizmi, evolucionin historik të këtyre koncepteve, si dhe dimensionet biologjike, sociale, psikologjike dhe etike. Në këtë kontekst, libri u vlerësua si një sintezë e rrallë ndërdisiplinore, ku mjekësia trajtohet jo vetëm si shkencë biologjike, por edhe si shkencë sociale dhe humaniste. Dimensioni epidemiologjik i veprës e bën atë një udhëzues të vlefshëm edhe për politikëbërjen shëndetësore, duke ofruar analiza të bazuara në faktorë biologjikë, mjedisorë, socialë dhe kulturore, tha akad. Sulçebe.

Prof. dr. Naser Ramadani vlerësoi në këtë vepër trajtimin e marrëdhënies komplekse midis shëndetit dhe sëmundjes, duke ofruar një perspektivë të thellë filozofike dhe epidemiologjike. Ai nënvizoi se vepra ndihmon në kuptimin e shëndetit përtej kufijve të ngushtë mjekësorë, duke e konsideruar atë si një vlerë themelore që ndikohet nga faktorë socialë, mjedisorë dhe kulturorë. Sipas tij, libri e trajton shëndetin si një mekanizëm dinamik, i cili ndryshon gjatë jetës dhe që, në kushtet e devijimit nga baraspesha e funksionimit normal të trupit dhe mendjes, mund të kalojë drejt sëmundjes përmes ndërveprimit të faktorëve etiologjikë kompleksë.
Në reflektimet mbi përvojën personale dhe akademike prof.dr. Albana Fico vlerësoi qasjen origjinale të autorit në trajtimin e koncepteve dhe përdorimin e një strukture të veçantë analitike, e cila ndihmon në kuptimin më të mirë dhe aplikimin praktik të ideve të paraqitura në libër, përfshirë edhe dimensionin klinik.
Pjesëmarrës të tjerë në diskutim theksuan vlerën e librit në drejtim të informimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit mbi sjelljet që promovojnë shëndetin dhe ato që e dëmtojnë atë. U vlerësua gjithashtu pasuria e burimeve shkencore të përdorura, me mbi 1500 referenca dhe një strukturë të ndërtuar në 46 kapituj, që reflekton një punë të gjerë kërkimore dhe akademike.
Në këtë veprimtari u prezantua varianti E-Book, i disponueshëm online nga Shtepi Botuese e Librit Shkollor e Re. Versioni PDF përmban të dy vëllimet e librit, me gjithsej 1178 faqe dhe rreth 124 MB.
Në përfundim, pjesëmarrësit në këtë tryezë shkencore evidentuan rëndësinë e veprës “Shëndeti dhe sëmundja” të prof. dr. Eduard Kakarriqit si një kontribut i vyer në mendimin mjekësor shqiptar dhe si një pikë referimi për studiuesit, profesionistët e shëndetësisë dhe politikëbërësit.

