U zhvillua tryeza shkencore me temën “Gjeografia përtej stigmës si shkencë/disiplinë e fakteve dhe informacionit”

Takimi u mbajt më 24 mars 2024, me organizmin e Njësisë së përkohshme të kërkimeve gjeografike (NJKGJ), pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Kjo tryezë çeli serinë e aktiviteteve të shumta shkencore, të planifikuara për vitin 2026 nga NJKGJ, ku morën pjesë akademikë e studiues të gjeografisë e të fushave të afërta; studiues të angazhuar me kurrikulat; trajnues të mësuesve dhe mësues me përvojë. Drejtimi i takimit u bë nga prof. asoc. Merita Karaguni dhe prof. asoc. Jostina Dhimitri.
Prof. asoc. Karaguni falënderoi pjesëmarrësit dhe organizatorët dhe e vlerësoi takimin të domosdoshëm për trajtimin e çështjeve me rëndësi, që lidhen me identitetin shkencor të gjeografisë dhe vendin e saj në politikat arsimore dhe institucionale.
Akad. Gëzim Hoxha, kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike të ASHSH-së, përshëndeti në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai tha se ASHSH-ja e vlerëson nismën për të rishqyrtuar vendin dhe rolin e gjeografisë në sistemin tonë arsimor dhe në kërkimin shkencor bashkëkohor, që synon forcimin e profilit shkencor të disiplinave tona, si dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe të kërkimit shkencor në vend.
Akad. Hoxha e vuri theksin në domosdoshmërinë e diskutimeve mbi identitetin shkencor të gjeografisë në kurrikulën shkollore dhe mbi vendin e saj në politikat arsimore dhe institucionale, duke shkuar përtej perceptimit e paragjykimeve si një disiplinë përshkruese, e lidhur me memorizimin e fakteve dhe të dhënave. Diskutimet e kësaj tryeze lidhen drejtpërdrejt me formimin e brezave të rinj dhe me aftësinë e tyre për të kuptuar dhe përballuar sfidat e zhvillimit të qëndrueshëm, të ndryshimeve klimatike dhe të transformimeve socio-ekonomike. -tha akad. Hoxha.
Prof. dr. Perikli Qiriazi, drejtues i Njësisë së përkohshme të kërkimeve gjeografike, falënderoi Kryesinë e Akademisë së Shkencave për mbështetjen e NJKGJ-së, që u miratua në shkurt 2025, si strukturë e qëndrueshme kërkimore në fushën e gjeografisë. Më tej paraqiti një sërë aktivitetesh shkencore dhe arritje të Njësisë gjatë vitit 2025, ku veçoi organizimin e dy konferencave të mëdha shkencore ndërkombëtare si: forumi “Arkitektura e peizazhit në Shqipëri: sfida e potenciale”, që hapi një dritare të re të studimeve gjeografike, në bashkëpunim me Departamentin e Hortikulturës dhe “Konferenca 2025: Qytetet pas tranzicionit”, ku u referuan 160 studime, 130 nga Europa e Bota dhe 30 studime nga Shqipëria e Kosova. Ky kuvend i madh gjeografik, për katër ditë (23-26 shtator 2025), e ktheu Tiranën në “qendër të gjeografisë europiane”. Ajo na hapi horizont mbi problemet e sotme europiane të qyteteve post-socialiste, për rrugët dhe metodat e reja të studimit të tyre.

Prof. dr. Qiriazi vlerësoi edhe veprimtaritë e tjera të realizuara gjatë 2025-s, që kanë dhënë ndihmesë në studime të thelluara gjeografike dhe në disa shkenca natyrore, sociale, ekonomike, politike e më gjerë.
Në dy seancat e tryezës shkencore, referuesit prof asoc. Merita Karaguni, prof. asoc. Fitim Humolli, prof. asoc. Valbona Duri, prof. asoc. Jostina Dhimitri, dr. Shkëlqim Sirika u përqendruan në disa çështje si: problemet e kurrikulave dhe të procesit mësimor gjeografik, në qasje analitike përmes studimit të rasteve në programet/tekstet shkollore; identiteti kulturor dhe rritja e shkallës së ndërgjegjësimit për problematikat lokale e globale, dinamikat e tyre; konceptet gjeografike dhe marrëdhënia me konceptet e tjera; hartimi i kurrikulave dhe teksteve mësimore etj. Gjithashtu, ligjëruesit e vunë theksin në pozicionin e gjeografisë në epokën e digitalizimit e novacionit teknologjik, ndikimin e IA-së në të ardhmen e gjeografisë si shkencë dhe si disiplinë shkollore, duke ngritur çështje të tilla si: sa reflektohen sfidat e shekullit XXI mbi zhvillimin e qëndrueshëm, transformimet teknologjike e digjitale e ndërvarësitë globale në kurrikulat e gjeografisë në arsimin parauniversitar e më gjerë.
Ne fund, u bënë analiza, diskutime dhe konkluzione shkencore për problemet komplekse që lidhen me konceptimin rëndësinë dhe vlerat e gjeografisë si shkencë e disiplinë mësimore në arsimin parauniversitar, universitar dhe pasuniversitar, si dhe u diskutua bashkëpunimi me Njësinë për realizimin e projekteve të miratuara për vitin 2026 dhe u u propozuan projekte të tjera, në kuadër të bashkëpunimeve ndërinstitucionale.
