Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti i Elbasanit forcojnë bashkëpunimin në kërkimin shkencor dhe arsimin universitar

Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”, më 19 mars 2026, kanë firmosur një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon të thellojë lidhjet ndërinstitucionale dhe të nxisë zhvillimin e përbashkët në fushën e kërkimit shkencor dhe formimit akademik të brezave të rinj.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe rektorja e Universitetit të Elbasanit prof. dr. Elvira Fetahu.
Kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një platforme të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve, me synim avancimin e dijes dhe rritjen e cilësisë në arsimin e lartë.
Në fokus të saj është zhvillimi i studimeve dhe hulumtimeve shkencore në të gjitha fushat e dijes, si dhe përfshirja aktive e studentëve dhe studiuesve të rinj në projekte kërkimore. Nisma është në përputhje me strategjinë e Akademisë së Shkencave për hapje dhe bashkëpunim me komunitetin akademik, si dhe me politikat e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” për zgjerimin e partneriteteve dhe rritjen e ndërveprimit institucional.
Përmes kësaj marrëveshjeje synohet krijimi i një kuadri të qartë bashkëpunimi, i cili përcakton format dhe mekanizmat e ndërveprimit ndërmjet strukturave përkatëse të të dyja institucioneve. Bashkëpunimi do të përfshijë organizimin e aktiviteteve të përbashkëta, projekte kërkimore, konferenca shkencore dhe shkëmbime akademike.



