Delegacioni i ASHAK-ut, vizitë zyrtare në Tiranë, takim me përfaqësues të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Në datën 2 mars 2026, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u prit për një vizitë zyrtare delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), i përbërë nga kryesia e re. Takimi u mbajt me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërakademik dhe institucional ndërmjet dy institucioneve më të larta shkencore në hapësirën shqiptare.
Delegacioni i ASHAK-ut përbëhej nga kryetarja akad. Justina Shiroka Pula, sekretari shkencor akad. Bardh Rugova, si dhe sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore akad. Frashër Demaj.
Në ditën e parë të vizitës zyrtare delegacioni u prit nga kryetari i ASHSH-së akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarët e kryesisë së Akademisë. Pjesë e takimit ishte edhe zëvendëskryetarja e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet pranë Kuvendit të Shqipërisë znj. Evis Kushi.
Gjatë takimit me kryesinë e ASHAK-ut, kryetari i ASHSH-së akad. Gjinushi theksoi se aktivitetet kryesore i zhvillojmë së bashku në bazë të protokollit dhe se fokusi kryesor janë projekti i enciklopedisë shqiptare dhe ngritja e dy qendrave elitare në nano e bioteknologji. Në takim u diskutua për konkretizimin e bashkëpunimit shkencor ndërmjet dy akademive, nëpërmjet projekteve të përbashkëta kërkimore. Të dyja palët vlerësuan rëndësinë e intensifikimit të komunikimit dhe bashkërendimit në fusha me interes të përbashkët, duke theksuar rolin e institucioneve akademike në mbështetje të proceseve zhvillimore dhe politikave publike në ekonomi dhe arsim.
Znj. Evis Kushi shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin për zgjedhjen e akad. Justina Shiroka Pula si kryetare e ASHAK-ut me bindjen se ajo do t’i japë një impuls te ri si rritjes së punës nga ASHAK-u, ashtu dhe bashkëpunimit me ASHSH-në. Ajo u shpreh gjithashtu se Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka pësuar një reformim të thellë gjatë këtyre viteve të fundit dhe nga një Akademi që para ca vitesh ishte pasive, sot është avangardë e shkencës dhe ka një mbështetje të jashtëzakonshme për të gjitha këto projekte të rëndësishme.
Kryesia e re e ASHAK-ut në shoqërimin e zv. kryetarit të ASHSH-së, akad. Vasil S. Tole, zhvilloi një takim me kryetarët e komisioneve dhe njësive përkatëse të institucionit. Në fokus të takimit ishte konfirmimi i vullnetit të ndërsjellë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive, forcimi i koordinimit institucional dhe rritja e kontributit të tyre në zhvillimin shkencor, arsimor dhe shoqëror në hapësirën shqiptare. Takimi shërbeu për një njohje më të mirë me strukturat që punojnë pranë ASHSH-së e me fushat e tyre të interesit.
Vizita e delegacionit të ASHAK-ut vijoi me takimin me drejtorët e instituteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Pas takimit u bë një vizitë në Muzeun e Arkeologjisë në Tiranë.
Më vonë delegacioni i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, i përberë nga kryetarja e ASHAK-ut akad. Justina Shiroka Pula, sekretari shkencor akad. Bardh Rugova, si dhe sekretari i Seksionit të Shkencave Shoqërore të ASHAK-ut akad. Frashër Demaj, i shoqëruar nga zëvendëskryetari akad. Vasil Tole dhe kryetari i Komisionit të Shkencave të Ekonomisë dhe Juridike akad. Anastas Angjeli, bëri një takim me rektorin e Universitetit të Tiranës prof. dr. Artan Hoxha.
Kryetarja e ASHAK-ut paraqiti një analizë të shkurtër të gjendjes së arsimit të lartë në Kosovë dhe foli për nismat e marra për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.
Ajo bëri një pasqyrim të punësimit të të diplomuarve dhe theksoi se universiteti duhet të bëjë një punë më të mirë për profilizimin e kuadrit, ndërkohë që universitetet private janë më atraktive për tregun e punës, por jo gjithmonë më cilësoret. Nga ana tjetër rektori i UT-së, prof. dr. Hoxha, e falënderoi akad. Justina Pula Shirokën për përkujdesjen e treguar të Akademisë së Kosovës për arsimin dhe u shpreh se edhe kërkimi shkencor duhet të bashkohet me strategjinë e arsimit të lartë.
Në kuadër të vizitës dyditore në Republikën e Shqipërisë, delegacioni i ASHAK-ut do të zhvillojë disa takime me drejtues të institucioneve kryesore në vend.
