Akademia e Shkencave e Shqipërisë nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Urdhrin Profesional të Mjekut Veterinar
Marrëveshja e bashkëpunimit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH) dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë (UPMVSH) u nënshkrua sot me rastin e 98-vjetorit të mjekësisë veterinare në vendin tonë.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe presidenti i Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar, zoti Ervin Resuli.
Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi e vlerësoi nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje si një dëshmi të vullnetit të përbashkët për të lidhur më ngushtë kërkimin shkencor, formimin profesional dhe praktikën veterinare.
Akad. Gjinushi më tej u shpreh se Akademia e Shkencave e ka për mision që të luaje rolin e një qendre koordinimi, për promovimin e kërkimit shkencor në tërësi dhe këtu shkencat e veterinarisë zënë një vend të veçantë. Ai theksoi se në ASHSH funksionon, krahas 11 komisioneve të përhershme,një komision që mbulon këtë fushë që është komisioni që i kushtohet bujqësisë, biologjisë dhe veterinarisë.
Akademia e Shkencave në kuadër të reformimit të sistemit të kërkimit ka si prioritet ngritjen e një qendre të shkencave të jetës sipas konceptit “Një shëndet” e cila do të forconte kërkimin edhe në shkencat veterinare.
Duke falenderuar për ftesën, akad. Gjinushi shprehu vullnetin e Akademisë për të bashkëpunuar në konkretizimin e marrëveshjes si për ngritjen e qendrës, ashtu edhe për mbështetjen e reformës së ndërmarrë nga UBT, për një përgatitje në nivel europian të specialistëve të rinj e posaçërisht të mjekëve veterinerë.
