“Shën Sofia: Kishat e Mençurisë së Tënëzoti nëpër botë” promovohet vepra shqip që u bashkohet 15 gjuhëve të botës

Në ambientet e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë është zhvilluar veprimtaria promovuese e botimit në gjuhën shqipe të vëllimit “Shën Sofia: Kishat e Mençurisë së Tënëzoti nëpër botë”.
Aktiviteti u zhvillua më 13 shkurt 2026 me organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e Kuvendit të Shqipërisë dhe Asamblesë Ndërparlamentare për Ortodoksinë. Në këtë veprimtari të pranishëm ishin kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z.Niko Peleshi, z. Ioan Vulpescu, President i Asamblesë së Përgjithshme Ndërparlamentare për Ortodoksinë, dhe Anëtar i Parlamentit të Rumanisë; z. Maksimos Karakopulos, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Ndërparlamentare për Ortodoksinë dhe Anëtar i Parlamentit të Greqisë; Fortlumturia e Tij, Joani, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Kryegjyshi Botëror Baba Edmond Brahimaj, drejtues të komuniteteve fetare në vend, anëtarë të delegacionit të Asamblesë së Përgjithshme Ndërparlamentare, akademikë, studiues, përfaqësues të institucioneve kulturore dhe diplomatike, miq e të ftuar. Veprimtaria u drejtua nga sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave akad. Anila Hoda.
Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie ishte pasqyrimi i trashëgiminë historike, kulturore dhe shpirtërore të Kishave të ndryshme në botë që mbajnë këtë emër.
Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe falënderoi veçanërisht kryetarin e Kuvendit dhe dhe presidentin e sekretarin e përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare për Ortodoksinë për bashkëpunimin në organizimin e këtij eventi, ku botimi në shqip u bashkohet botimeve në 15 gjuhë të botës, si një dëshmi e përpjekjeve të përbashkëta për të shpërndarë njohuri, reflektime dhe respekt për monumentet historike që simbolizojnë besimin, dashurinë dhe shpresën.
Akad. Gjinushi u shpreh se Akademia e Shkencave, ashtu si simotrat e saj i kushtohet shkencës dhe dijes, është e hapur e mikpritëse edhe ndaj promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore universale, të cilat na bashkojnë përtej kufijve etnikë, gjuhësore, fetarë dhe atyre kulturorë. Në fund të fjalës së tij theksoi se Akademia e Shkencave ka një angazhim të palëkundur për mbrojtjen, studimin dhe promovimin e këtyre vlerave, duke krijuar një hapësirë ku dijetarë e studiues mund të bashkëpunojnë për të ndriçuar më tej rëndësinë e tyre për brezat e sotëm dhe të nesërm.

Gjithashtu Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Niko Peleshi në fjalën e tij nënvizoi rëndësinë e Shën Sofisë, jo vetëm si simbol fetar i krishterë, por edhe si një referencë qytetëruese, frymëzuese dhe humaniste e botës ortodokse për njerëzimin, përgjatë shekujve dhe në ditët tona. Ai theksoi se tradita shqiptare e tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës fetare përbën një shembull të rrallë harmonie, ku diversiteti shihet si mundësi për zhvillim dhe prosperitet.
Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe anëtar i I.A.O., z. Vangjel Dule, në fjalën e tij njohu të pranishmit me rolin dhe veprimtarinë e Asamblesë Ndërparlamentare për Ortodoksinë (I.A.O.). Më pas veprimtaria vijoi me shfaqjen e dy dokumentarëve të shkurtër mbi Asamblenë Ndërparlamentare për Ortodoksinë (I.A.O.) dhe “Shën Sofia. Kishat e Mençurisë së Tënëzoti nëpër botë”.

Fortlumturia e tij Kryepeshkopi Joan i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë në fjalën përshëndetëse vuri në dukje se vëllimi që prezantohet dokumenton se Shën Sofia përfshin kisha historike kushtuar urtësisë së Perëndisë pothuajse në gjithë botën. Duke provuar se Shën Sofia, ndonëse është një ikonë arkitekturore dhe kulturore e qytetërimit bizantin dhe ortodoks, nuk i përket vetëm Kostandinopojës dhe ortodoksisë, sepse urtësia e Perëndisë është themeli, jo vetëm i besimit të krishterë. Rrezatimi i saj botëror i tejkaloi kufijtë e feve. Shën Sofia shërbeu gjithashtu si frymëzim arkitektonik për shumë ndërtesa të tjera fetare, të krishtera dhe jo të krishtera, duke përfshirë Shën Sofinë në Selanik, Të Tërëshenjtën e njëqind dyerve, Xhaminë Şehzade, Xhaminë Sulejmanije, Xhaminë Rustem Pasha dhe Kompleksin Kılıç Ali Pasha dhe shumë ndërtesa të tjera, duke dëshmuar se Shën Sofia ndikoi shprehjen e ndjenjës fetare në gjithë Lindjen dhe mbetet një nga ndërtimet më të rëndësishme të historisë njerëzore.
Më tej mbajti një referencë mbi vëllimin edhe ish-Ministri dhe bashkëpunëtor i I.A.O., z. Genc Pollo. Ai e vlerësoi botimin e albumit si të rëndësishëm, jo vetëm për ortodoksinë, por për të gjitha besimet fetare, ndërsa vuri në dukje se përveç 37 kishave monumentale historike kushtuar mençurisë së Zotit që janë në këtë vëllim, ka dhe dy kisha në vendin tonë. Është ajo e Beratit, një kishë shumë e bukur në kalanë e qytetit, si dhe një tjetër më pak e njohur në Mirditë.

Prof. Pirro Thomo prezantoi vëllimin duke spikatur strukturat origjinale arkitekturore të kishave të Shën Sofisë në botë. Ai vuri në dukje se Mygdalis bën me dije se në kërkimin për t’i gjetur këto kisha ka patur edhe probleme, pasi shpesh ngatërrohen kishat e quajtura Shën Sofia si person dhe atyre të kushtuara Urtësisë së Zotit, ndaj dhe lind nevoja, që specialistët të verifikojnë dhe sqarojnë ekzistencën e Kishave të tjera të Shën Sofisë në të ardhmen.
Në mbyllje të veprimtarisë, sekretari i përgjithshëm i I.A.O, Maximos Charakopoulos shprehu vlerësimet për bashkëpunimin mes institucioneve dhe rëndësinë e dokumentimit të trashëgimisë ortodokse në nivel ndërkombëtar. Ai u shpreh se Shqipëria nuk duhej të mungonte në listën e gjatë të këtij vëllimi, duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm me vendin tonë. Krahas prezantimit të botimit, në mjediset e Akademisë së Shkencave u hap edhe një ekspozitë fotografike e kishave të Shën Sofisë nga e gjithë bota.
