U mbajt konferenca shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes”
Veprimtaria shkencore kushtuar Martin Camajt në 100-vjetorin e lindjes u mbajt më 15 dhjetor 2025, me organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë (ASHSH) dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.
Konferenca u zhvillua me praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi dhe anëtarëve të tjerë të Kryesisë.
Akad. Gëzim Hoxha, Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike (ASHSH), mbajti fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, duke u ndalur në kompleksitetin e vlerave të veprës së Martin Camajt, që reflektohen në krijimtarinë letrare, në kontributet qenësore në fushë të gjurmimeve albanologjike, në ndihmesat në fushë të gramatologjisë dhe të filologjisë së tekstit. Ai u shpreh se ky përvjetor nuk është vetëm një përkujtim, por një rikthim i domosdoshëm te burimet e mendimit, të gjuhës dhe të estetikës që Camaj i la kulturës sonë si një trashëgimi e pashtershme. Ndërsa bëri një pasqyrë të shkurtër të temave që përmban programi i konferencës, akad. Hoxha tha se Camaj mbetet një figurë që ende kërkon, madje kërkon me ngulm, një rivlerësim të vazhdueshëm kritik. Ai e vlerësoi konferencën, jo vetëm si një homazh, por edhe si një nxitje për të thelluar kërkimin shkencor mbi veprën e tij, për ta vendosur Camajn në qendër të debatit bashkëkohor letrar, gjuhësor dhe kulturor, aty ku ai realisht e meriton të qëndrojë.

Në këtë konferencë mbajti një fjalë përshëndetëse dhe z. Bujar Hudhri, botues i veprës së plotë të Martin Camajt ndër vite, më së fundi dhe i një formati krejt të ri të kësaj të fundit, të pajisur dhe me parathënie studimore nga akademik Matteo Mandalà. Receptimi i veprës së Martin Camajt orientohet më së miri dhe nga realizimi i botimeve të kësaj natyre, që merr parasysh gjinitë dhe veprat më të rëndësishme të këtij autori.
Seancën e parë e hapi prof. dr. Bashkim Kuçuku me kumtesën me titull “Arketipia, traditë dhe identitete”. Ai u ndal në çështje të receptueshmërisë së veprës së Camajt, në interpretimin e gjenezës së stilit krijues dhe motivet themelore e komplekse që reflektohen në krijimtarinë e tij letrare.
Prof. asoc. dr. Evalda Paci mbajti kumtesën me titull “Kultura e librit të shtypur dhe çështje të receptimit të tekstit biblik në studimet e Martin Camajt”. Ajo u ndal në çështje të interpretimit të disa të dhënave që kanë të bëjnë me kulturën e librit të shtypur, aspekte të teknologjisë përkatëse në shekullin XVI, si dhe në analizat tekstore me burim pasazhe ungjillore që mundësojnë dhe një brendësim të thelluar të teksteve të vjetra shqipe në optikën e M.Camajt.
Në kumtesën me titull “Midis strukturës dhe lirisë: Paralele Camaj – Jakobson mbi gjuhën si sistem dhe përvojë estetike”, prof. dr. Aljula Jubani në bashkautorësi me A. Jankon trajtoi çështje të pranisë së ndikimit në formimin gjuhësor të Camajt të elementeve e shkollës së rrethit gjuhësor të Pragës, fakt që dëshmohet dhe në qëmtimet e tij në fushë të gramatologjisë.
Në kumtesën me titull “Shumëgjuhësia në veprën e Camajt dhe marrëdhëniet e saj me kontekstin e sotëm gjuhësor” të Mimoza Prikut u trajtuan çështje të zgjedhjeve gjuhësore në krijimtarinë letrare të Camajt, duke u mbështetur në analiza të tekstit dhe të varianteve të fjalëve të caktuara, me një peshë të caktuar në leksikun krahinor dhe mbarëshqiptar.
Në kumtesën me titull “Dranja, emblema e veprës letrare të Camajt”, të Arben Prendit u trajtuan aspekte të klasifikimit e shestimit zhanror në veprat e Martin Camajt, duke nënvizuar veçanërisht thyerjen e tipologjisë së llojit, dukurinë e palimpsestit, vëzhgimet mbi tekstin e kodifikuar.
Në kumtesën “Burime klasike në poezinë e Camajt”, prof. asoc. dr. Lili Sula u përqendrua në aspekte të pranisë së motiveve të botës klasike në krijimtarinë e Camajt, duke u ndalur në tekste të përveçme poetike të tij, si dhe duke nënvizuar disa vështrime studimore në lidhje me këtë dimension të shkrimtarisë së tij.

Në kumtesën “Camaj si përkthyes i Ungaretit”, prof. asoc. dr. Alva Dani trajtoi me anë analizash krahasimtare disa hollësi të përkthimeve të krijimtarisë poetike të letërsisë italiane nga Camaj, duke interpretuar dhe diferencimet përkatëse në përftesa mes varianteve të tij në gjuhën shqipe dhe të teksteve gjegjëse poetike të Ungarettit.
Në kumtesën me titull “Ndër mijëra trajta ideja (një qasje fenomenologjike dhe hermeneutike në tekstin poetik të M.Camajt)”, prof. asoc. dr. Viola Isufaj u ndal në çështje të interpretimit të simbologjisë komplekse përmes personazhesh në veprën e Martin Camajt, duke ilustruar me analiza konkrete tekstore nga kjo e fundit, për të nënvizuar më tej dhe përsosmërinë e strukturave poetike dhe figurshmërinë komplekse në to.
Në kumtesën “Novelat e Martin Camajt: “Pishtarët e natës”, “Shkundullima”, “Rrungaja në mars”, – mes njëmendësisë e legjendës”, studiuesi Virion Graçi u ndal hollësisht në çështje të leximit e interpretimit të përmbajtjes në një gjini të përveçme letrare të lëvruar nga Martin Camaj.
Dr. Belfjore Qose mbajti kumtesën ”Modernizmi i M. Camajt, një estetikë “e huaj”, ku trajtoi çështje të rinjohjes së prirjeve letrare dhe estetike në veprën e Camajt.
Studiueset Zamira Shkreli, Anisa Kosteri, u paraqitën me kumtesën me titull “Martin Camaj si etnolinguist. Ndërlidhja e dialektit, mitit dhe identitetit kombëtar”, duke u përqendruar në vlerat etnokulturore të shkrimtarisë së Camajt e në veçanti në tipare të shprehësisë në novelën me titull “Shkundullimat”.
Gjithashtu, Behar Gjoka mbajti kumtesën e titulluar “Dramaturgjia ekzistenciale e Martin Camajt”. Ai e vlerësoi dramaturgjinë si pjesën më të vlertë dhe impresionuese të autorit.
Ledio Hala mbajti kumtesën “Arkivi që flet: strategjitë e Martin Camajt për albanologjinë e së nesërmes”.
Më tej, Jorina Kryeziu (Shkreta) mbajti kumtesën “Evolucioni zhanror; Fillesa, Djella”; Alma Abdullahu mbajti kumtesën “Limiti i autorit: “Vetëpërcaktimi” i Camajt”; Rafaela Marteta mbajti kumtesën “Skaje identitare te Djella. Një histori shoqnore dhe gjuhësore sipas Camajt”; Rrezarta Draçini mbajti kumtesën “Loja e fjalëve dhe loja e jetës: psikeja malësore në krijimtarinë e Camajt; Rovena Vata mbajti kumtesën “Vendlindja, identitetet dhe pjesë të kujtesës antropologjike në vargjet poetike të Martin Camajt” dhe Neli Naço mbajti kumtesën “Shenja të modernitetit: poetika e arkaikes në poezinë e Martin Camajt”.
Me tematikat e cekura gjatë punimeve të konferencës shkencore “Gjurmët e fjalës – Martin Camaj në 100-vjetorin e lindjes” synohej të thelloheshin disa linja studimore që kanë të bëjnë me studimin e prozës dhe poezisë së Camajt, por dhe të analizoheshin tipare të përveçme të krijimtarisë së tij (dramaturgjia ndër të tjera) si dhe arketipia, mitet dhe receptimi i burimeve klasike, gjithashtu dhe kërkime specialistike në fushë të gjuhësisë, filologjisë së tekstit dhe analizës së krahasuar tekstore, një metodë kjo e pranishme në disa punime shkencore të tij, për të cilat dhe ka vend të flitet më gjerë. Personaliteti shumëdimensional i Martin Camajt u shtjellua gjerësisht dhe në përputhje me tiparet qenësore të krijimtarisë dhe të kontributeve të tij në disa disiplina. Një fakt i tillë u nënvizua sërish dhe në përmbyllje të punimeve të konferencës.
