U promovua “Libri im i kujtimeve” me autor kompozitorin dhe dirigjentin Rafet Rudi
Veprimtaria u mbajt në kuadër të Javës Kombëtare të Kulturës në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë. Promovimi u moderua nga muzikologia Rreze Kryeziu Breznica.

Në fjalën e hapjes ajo falënderoi Akademinë e Shkencave dhe zëvendëskryetarin akad. Vasil Tole për organizmin e veprimtarisë. Gjithashtu, shprehu falënderimet për studiuesen prof. dr. Zana Shuteriqi dhe Dardan Selimaj, drejtuesin e Filarmonisë së Kosovës. Kryeziu falënderoi veçanërisht prof. Refat Rudin për botimin e librit, përmes të cilit ka ndërtuar narrativën e një kompozitori, dirigjenti dhe mendimtari në fushën e historisë dhe filozofisë së muzikës.
Akad. Skënder Gjinushi, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e vlerësoi, kompozitorin dhe dirigjentin Rafet Rudi si një ndër personalitetet më të shquar të artit dhe muzikës.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, ai i dorëzoi prof. Rafet Rudit dekoratën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”.

Pas ngjarjes ceremoniale, studiuesja e muzikës prof. dr. Zana Shuteriqi e vlerësoi kompozitorin Rafet Rudi si një prej figurave më unikale dhe përfaqësuese të kulturës muzikore shqiptare bashkëkohore. Me këtë rast, ajo e vlerësoi veprën e tij “Libri im i kujtimeve” për dëshmitë kohore dhe pasqyrimin e ndikimeve që kanë formuar autorin, duke i kapërcyer karakteristikat e një autobiografie. Prof. Shuteriqi tha se vepra e tejkalon kontekstin shqiptar. Është libri i një autori që ka hyrë në botën e muzikës dhe ka arritur të formojë profilin e një intelektuali e veprimtari të muzikës duke dhëne një ndihmesë të madhe edhe në fushën e pedagogjisë.
Akad. Vasil Tole tha se ky është libri i parë i plotë autobiografik i një kompozitori shqiptar, që e barabit me kompozitorë të shquar botërorë.
“Libri im i kujtimeve” paraqet një “kronikë të jetës muzikore” nga vitet ‘70 deri në 1999, parë nga perspektiva e autorit si kompozitor, dirigjent dhe publicist.
Sipas akad. Toles, libri paraqet dy aspekte të rëndësishme:
Nëpërmjet përshkrimit të jetës personale nga një protagonist me veprimtari të drejtpërdrejtë, mund të lexohet historia e muzikës së një vendi. Aspekti tjetër i rëndësishëm i librit ka të bëjë me dokumentimin e ngjarjeve muzikore në Kosovë, duke përfshirë edhe problematikat e mëdha. Në mungesë të dokumenteve për kushtet ku kaluar Kosova, kjo vepër është e rëndësishme. Kujtimet e librit sjellin dëshmi për identitetin kulturor në Shqipëri dhe në Kosovë.

Në fund të fjalës së tij, akad. Tole e vlerësoi veprën e prof. Rafet Rudit edhe për frymëzimin dhe motivimin që u jep brezave të rinj për të vijuar rrugën e muzikës. Libri përbën një pasuri të çmuar për trashëgiminë kulturore të Kosovës dhe historinë e muzikës shqiptare.
Rreze Kryeziu, në kumtesën për librin, e vlerësoi autorin si personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës. Libri vjen si një vepër për të ndriçuar një periudhë historike, profesionale dhe shpirtërore, që bart në vete kujtesën e një kohe dhe kontributin e një personaliteti të rëndësishëm, siç është profesori Rafet Rudi. Dëshmitë e librit shkruhen nga një kompozitor, i cili në krijimtarinë e tij përfshin një gamë të gjerë veprash nga ato vokale-instrumentale e deri tek kompozimet për ansamble të vogla, vepra këto që dëshmojnë një qasje krijuese që ndërthur përvojën personale me zhvillimet estetike bashkëkohore të muzikës shqiptare.
Dardan Selimaj, drejtues i Filarmonisë së Kosovës e vlerësoi librin e prof. Rauf Rudit si një dokument të gjallë, të argumentuar të fakteve historike të shekullit të kaluar dhe shekullit tonë, në lëmin e muzikës në Kosovë dhe më tej. Ai tha se studentët tanë të muzikologjisë kanë shumë nevojë për këto informacione.

Në fund, autori i librit, prof. Rafet Rudi falënderoi ligjëruesit dhe organizatorët e promovimit. Ai tha se libri ka karakteristika biografike, por më shumë është një kronikë e kohës në mungesë të dokumentacionit për shkak të ngjarjeve që ka kaluar Kosova dhe për shkak të institucioneve të pakta kulturore. Në këtë libër nëpërmjet kujtimeve jam munduar të lë informacione të vlefshme për periudha të rëndësishme të jetës muzikore, të cilat janë të vështira për t’u gjetur në arkiva zyrtare.
