Kompozitori dhe dirigjenti Rafet Rudi vlerësohet me dekoratën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”
Dekorata iu dha kompozitorit dhe dirigjentit të njohur kosovar me rastin e promovimit të veprës së tij “Libri im i kujtimeve”.
Akad. Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shpalli vendimin e jurisë dhe i dorëzoi dekoratën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë” Rafet Rudit, me motivacionin:
“Kompozitor, dirigjent dhe muzikolog i shquar i muzikës mbarëshqiptare, veçanërisht asaj në Kosovë; protagonist i ngjarjeve më të rëndësishme muzikore, artistike e kulturore nga vitet 1970 e deri më sot; promovues aktiv i bashkëpunimeve muzikore mes Kosovës dhe Shqipërisë; pedagog dhe personalitet publik me peshë të veçantë në jetën tonë muzikore; interpretues i krijimtarisë muzikore të kompozitorëve shqiptarë në skena të rëndësishme të botës, përmes formacioneve muzikore vokale e instrumentale; mbështetës dhe inkurajues i brezave të rinj të krijuesve e interpretuesve; vlerësuar me disa çmime kombëtare e ndërkombëtare; themelues i festivalit të rëndësishëm muzikor REMUSICA.”
Në ceremoni ishte i pranishëm ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Skënder Durmishi, dhe personalitete të njohura të shkencës dhe arteve të Shqipërisë e Kosovës.