U mbajt forumi shkencor me temën “Menaxhimi i burimeve gjenetike shtazore”
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në datën 21 nëntor 2025 u mbajt forumi shkencor me temën “Menaxhimi i burimeve gjenetike shtazore”
Veprimtaria u organizua në kuadër të projektit kërkimor “Integrimi i faktorëve mjedisorë dhe gjenetikë për të nxitur prodhimtarinë dhe shëndetin në delet autoktone”. Projekti realizohet nga ASHSH në bashkëpunim me Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore (QTTB) Korçë, Universitetin Bujqësor të Tiranës (UBT), Universitetin “Fan S. Noli” Korçë, dhe është pjesë e Programeve të Teknologjisë së Informacionit (PTI) mbështetetur nga AKKSHI.
Në forum morën pjesë përfaqësues nga institucione akademike, kërkimore dhe profesionale, si UBT, QTTB Korçë e Fushë-Krujë, AZ Group, Urdhëri i Mjekut Veterinar, si dhe studentë, me pjesëmarrje fizike dhe online.
Fjalën hyrëse e mbajti akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e ASHSH-së, e cila theksoi se ruajtja e racave autoktone është një domosdoshmëri kombëtare, pasi ato përfaqësojnë trashëgiminë gjenetike, qëndrueshmërinë ekologjike dhe identitetin agro-kulturor të vendit. Ajo vuri në dukje se projekte të tilla kërkojnë bashkëpunim të fortë ndërmjet institucioneve.
Forumin e përshëndetën edhe drejtues të institucioneve të ndryshme.
Dr. Marsela Robo, Drejtore e Programeve Kombëtare në AKKSHI, vlerësoi bashkëpunimin e suksesshëm me Akademinë e Shkencave dhe theksoi se projektet kërkimore duhet të orientohen drejt zgjidhjes së problemeve konkrete në sektorin blegtoral dhe drejt rritjes së ndikimit të kërkimit shkencor në zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo nënvizoi se projektet e tipit PTI janë veçanërisht të rëndësishme, sepse orientojnë kërkimin drejt aplikimit praktik, duke krijuar ura mes shkencës, terrenit dhe nevojave reale të sektorit. Sipas saj, AKKSHI do të vijojë të mbështesë iniciativat që sjellin inovacion dhe kontribute të matshme në fushat prioritare të vendit.
Drejtori i Qendrës Kërkimore të Bioteknologjisë dhe Gjenetikës (ASHSH), akad. Genc Sulçebe e vlerësoi projektin si një arritje të rëndësishme të sektorit të bioteknologjisë shtazore. Ai theksoi përdorimin e metodave moderne të biologjisë molekulare dhe inkurajoi grupin e punës që të vazhdojë kërkimet në këtë fushë me rëndësi të madhe shkencore dhe praktike.
Prof. dr. Ilir Kapaj, zv. rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, u shpreh se bashkëpunime të tilla përforcojnë lidhjen midis universiteteve dhe institucioneve kërkimore, duke krijuar një bazë të qëndrueshme për studime të avancuara. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes së studentëve në kërkim, duke e parë këtë si një mundësi për formimin e brezit të ri të specialistëve në blegtorinë shqiptare.
Z. Roland Meçaj, Drejtor i QTTB-së Korçë, u ndal te rëndësia praktike e gjetjeve të projektit, të cilat, sipas tij, ndihmojnë fermerët, ekspertët dhe institucionet të ndërmarrin vendimmarrje më të informuar për menaxhimin e racave autoktone. Ai e vlerësoi këtë bashkëpunim të parë me ASHSH-në dhe shprehu gatishmërinë për projekte të mëtejshme të përbashkëta.
Z. Ervin Resuli, President i Urdhërit të Mjekut Veterinar, theksoi se racat autoktone janë një aset për shëndetin publik dhe sigurinë ushqimore. Ai u shpreh se bashkëpunimi me ASHSH është i domosdoshëm për të integruar kërkimin shkencor me nevojat e terrenit dhe për të nxitur politika të mbështetura në evidenca shkencore.
Pas përshëndetjeve, akad. Anila Hoda prezantoi rezultatet kryesore të projektit.
Studimi paraqet vlerësimin e parë të integruar fenotipik, molekular dhe bioinformatik të racave të deleve, duke krijuar një model bashkëkohor për analizimin e diversitetit gjenetik dhe për përdorimin e tij në ruajtjen e burimeve gjenetike shtazore. Kjo qasje ndërdisiplinore përbën një risi për kërkimin zooteknik në Shqipëri dhe kontribuon në zhvillimin e metodave të avancuara të përzgjedhjes gjenetike të bazuar në markerë molekularë, si edhe në analizat in silico të peptideve bioaktive me rëndësi për shëndetin dhe prodhimtarinë. Akad. Hoda paraqiti objektiva specifike dhe rekomandime shkencore që lidhen me seleksionimin, menaxhimin dhe ruajtjen e racave autoktone.
Në forum, studiues të shumtë, si akad. Ilia Mikerezi, prof. dr. Lumturi Papa, prof. dr. Luigj Turmalaj, Roland Meçaj, Sulltanë Ajçe, Fidel Gjurgji, Petrit Dobi dhe Alban Zusi e Ilri Pecnikaj, prezantuan gjetjet e tyre mbi diversitetin gjenetik, shëndetin, riprodhimin dhe rezistencën ndaj sëmundjeve në racat vendase të deleve.
Të gjithë pjesëmarrësit ndanë bindjen se puna kërkimore mbi burimet gjenetike shtazore duhet të vazhdojë dhe të zgjerohet, pasi ajo përbën bazën për politikat e ardhshme të ruajtjes së biodiversitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm rural.