U mbajt ligjërata “Thoma Nassi dhe banda kombëtare ‘Vatra’ në historiografinë muzikore shqiptare” nga dr. Denis Bizhga
Veprimtaria u organizua nga Komisioni i Përhershëm i Arteve (KPA), Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.
Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryetar i Komisionit, në fjalën e hapjes së veprimtarisë e vlerësoi Thoma Nassi-n si një nga figurat që kanë ndikuar thellësisht në artin, kulturën dhe identitetin shqiptar.

Dr. Denis Bizhga, anëtar i Komisionit të Përhershëm të Arteve, nëpërmjet ligjëratës paraqiti jetën dhe veprën e Thoma Nassi-t në mënyrë kronologjike. Ai e vuri theksin në misionin kombëtar me themelimin e Bandës “Vatra” , me të cilën mori pjesë në ngjarjet e mëdha të historisë sonë moderne, duke e kthyer muzikën në një akt patriotik.
Gjithashtu, dr. Bizhga përshkroi sfidat e jetës, që nga emigrimi në SHBA (1910), studimet dhe gjithë veprimtarinë e tij patriotike në Federatën “Vatra” të themeluar nga Fan Noli dhe Faik Konica. Në 1915-n, ai ngriti orkestrën e harqeve “Përparimi”, dhe pak më vonë klubin shqiptar të mandolinatave. Dy grupet u bashkuan duke formësuar orkestrën “Dodona”, e cila kishte 40 instrumentistë. Në vitin 1915 në Jamestown, New York, ishte formuar banda e parë shqiptare “Queen Sophia” nën drejtimin e Thomas Vishnja (dhe ky nga Dardha).
Në vitet 1915–1918, Thoma Nassi u shqua për talentin e spikatur, dhe si organizator komunitar me ndikim të drejtpërdrejtë te diasporën shqiptare të New England. Ai u pranua në konservatorin e muzikës (NEC) në Boston, një nga institucionet më prestigjioze të vendit, ku specializua në flaut dhe dirigjim. U cilësua si një nga instrumentistët më të mirë. Ishte pjesë e orkestrës simfonike të Bostonit si zëvendësues flautist, nën drejtimin e dirigjentëve Karl Muck dhe Pierre Monteux.
Në vitin 1916, Nassi formoi korin e katedrales Katedrales së Shën Gjergjit, ku së bashku me Fan Nolin kontribuoi duke krijuar themele për një traditë kishtare me identitet kombëtar brenda kornizës ortodokse amerikane.
Në 1918-n, pas diplomimit në NEC, Nassi u rekrutua në Ushtrinë Amerikane dhe u bë drejtues i një bande ushtarake në Camp Devens, Massachusetts. Ai mori shtetësisë amerikane më 20 shtator 1918.

Dr. Bizhga e vuri theksin në veprimtarinë e Thoma Nasit në Bandën “Vatra” në Worecester (1917–1919). Në pranverën e vitit 1920, ai mobilizoi Bandën “Vatra” dhe u nis për në Shqipëri. Banda dha kontribut në Luftën e Vlorës dhe në pavarësinë shqiptare (1920–1923). Kishte 29 anëtarë dhe ishte vendosur në Drashovicë, e mbështetur nga Kryqi i Kuq Amerikan nën drejtimin e Charles Hollingshead, i cili më pas organizoi Shkollën Teknike në Tiranë. Kënga “Vlora, Vlora, bjeri me të lumtë dora!” u bë shpejt himn popullor i fitores, duke sintetizuar frymën e qëndresës dhe shpresës për çlirim. Pas armëpushimit, banda dhe Nasi ndërmorën turne në qytetet kryesore të Shqipërisë, duke sjellë për herë të parë për publikun muzikë perëndimore: transkriptime të Ëagner, fragmente nga Handel – Messiah.
Gjatë viteve 1920–‘23, bashkë me bashkëshorten Olympia, ai kontribuoi në organizimin e sistemit të muzikës së shkollave. Thoma Nasi krijoi një orkestër me profil simfonik në Korçë. Koncerti i parë përurues i kësaj trupe u dha më 6 prill 1924, në kopshtin e Mitropolisë së Korçës. Kjo datë konsiderohet si krijimi i së parës orkestër simfonike në Shqipëri, themeluar e drejtuar nga Nassi, me instrumentistë të bandës “Vatra”. Në nivel shtetëror, “Vatra” u konsiderua në retrospektivë si bërthama e traditës zyrtare të bandës shtetërore. Mbi këtë formacion u ngrit Orkestra Frymore Presidenciale (1925) dhe më pas Banda Mbretërore (1928); linja e trashëgimisë vazhdon sot me Orkestrën Frymore të Forcave të Armatosura. Nassi organizoi mësimin e lëndës së muzikës në gjithë Shqipërinë, veçanërisht në shkolla. Disa nga muzikantët, të cilët i formoi dhe i solli nga Shkodra e Korça ishin të rinj, si Juri Trebicka, Luigi Filai, Kristaq Antoniu etj., të cilët sot janë kokat e muzikës në Shqipëri.

Qëndrimi i Nasit në Korçë zgjati rreth viteve 1920–1925. Më 1926-n vendosi të kthehet në Amerikë. U vendos në Massachusetts në (1926–‘30). Punoi si mësues muzike në shkollën e tij, Nassi Music School. Më pas familja u zhvendos në Chatham, Massachusetts. Z. George Goodspeed organizoi një bandë në Chatham në vitin 1931 dhe Thomas Nassi ishte drejtori i saj i parë. Deri në vitin 1935 familja banonte në 180 Main Street, Orleans, Qarku Barnstable, Massachusetts, dhe Thomas Nassi jepte mësim muzikë në shkollën publike të Orleans.
Thomas Nassi themeloi Filarmoninë e Cape Cod, pararendëse e Simfonisë së sotme të Cape Cod. Roli i familjes Nasi në Cape Cod la gjurmë edhe përtej sallave të provave.
Djali i tyre, Albert Nassi ishte violinist i arrirë që në moshën 11-vjeçare. U regjistrua për thirrjen ushtarake në Qarkun Barnstable, Massachusetts, më 1 korrik 1941 në Army Air Corps. U thirr në shërbim aktiv gjatë Luftës se Dytë Botërore dhe ra dëshmor më 17 korrik 1944. Orleans ka sot një shesh qarkullimi të quajtur “Albert P. Nassi Square”.
Thoma Nassi ndërroi jetë në dhjetor 1964 në Orleans, MA dhe u varros në Orleans Cemetery më 24 dhjetor 1964.
