U mbajt Konferenca Ndërkombëtare “Shkenca e hapur dhe infrastruktura e informacionit shkencor në Shqipëri”
Në datën 19 nëntor 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua Konferenca Ndërkombëtare “Shkenca e hapur dhe infrastruktura e informacionit shkencor në Shqipëri”.
Aktiviteti u organizua nga Akademia e Shkencave dhe Qendra për Koordinimin dhe Përhapjen e Informacionit Shkencor (QKPISH) në bashkëpunim me Institutin e Shkencës së Informacionit – IZUM (Slloveni).
Në konferencë morën pjesë rektorë dhe dekanë të universiteteve, kërkues shkencorë të instituteve, si dhe specialistë të përpunimit të informacionit e drejtues bibliotekash nga institucione të ndryshme akademike e kërkimore.
Qëllimi i konferencës ishte nxitja e dialogut shkencor e institucional për zhvillimin e shkencës së hapur në vend, duke theksuar rëndësinë e një infrastrukture moderne të informacionit shkencor që garanton transparencë, cilësi kërkimi dhe bashkëpunim të gjerë akademik.
Konferenca u hap nga sekretarja shkencore e Akademisë së Shkencave, akad. Anila Hoda, e cila theksoi rëndësinë dhe parimet e shkencës së hapur në funksion të kërkimit cilësor, transparencës dhe qarkullimit të lirë të informacionit shkencor.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe dr. Aleš Bošnjak, drejtori i IZUM-it (Slloveni) dhe znj. Tatjana Kovačič, zv. ambasadorja e Ambasadës së Sllovenisë në Shqipëri, të cilët vlerësuan thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe kontributin në modernizimin e sistemeve kombëtare të informacionit shkencor.
Drejtuesja e QKPISH, znj. Mirlona Buzo, hapi sesionet e punimeve duke prezantuar rolin, objektivat dhe strategjitë e Qendrës në funksion të aksesit të hapur, shkëmbimit të të dhënave dhe forcimit të sistemeve të përbashkëta të informacionit shkencor si themel të shkencës së hapur.
Gjatë sesioneve u mbajtën 10 kumtesa, nëpërmjet të cilave u paraqitën: zhvillimet më të fundit në platformat bashkëkohore të informacionit shkencor; praktikat moderne të bibliotekave, universiteteve dhe qendrave të informacionit, si dhe modelet e bashkëpunimit ndërinstitucional për rritjen e cilësisë dhe aksesit në kërkim.
Aktiviteti u mbyll me një diskutim të hapur, ku pjesëmarrësit dhanë rekomandime për hapat e ardhshëm drejt forcimit të infrastrukturës së informacionit shkencor, zgjerimit të aksesit të hapur dhe integrimit të Shqipërisë në rrjetet ndërkombëtare të shkencës së hapur.
Konferenca përfundoi me angazhimin e përbashkët për të vijuar hapat drejt aksesit të hapur dhe shkencës së hapur të informacionit shkencor në Shqipëri.