U mbajt Festivali i 3-të i Shkencës
Veprimtaria u organizua në kuadër të 10 nëntorit Ditës Botërore të Shkencës me organizimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në bashkëpunim me EduAct Albania (OJQ për arsimin me fokus në shkencë, inovacion dhe teknologji).
Festivali u mbajt me qëllim promovimin e projekteve STEM nga mësimdhënës dhe nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kërkimore, studentëve, shkencëtarëve, si dhe angazhimin e publikut për çështjet shkencore, si inteligjenca artificiale, energjia e rinovueshme, shëndeti publik, etj.
Akad. Neki Frashëri, Kryetar i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike, përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave. Ai foli për rëndësinë e mbajtjes së kësaj veprimtarie në një kohë kur njohja e shkencës dhe njohja e teknologjisë janë të domosdoshme për vetë mbijetesën e njeriut në këtë botë dhe zhvillimi i shkencës e i teknologjisë fillon që me fëmijërinë.
Më tej, akad. Frashëri foli për misionin e Akademisë së Shkencave me qendrat dhe seksionet e saj për mbështetjen e projekteve ku aktivizohen qindra profesorë, doktorantë nga universitetet e ndryshme. Ai vuri në dukje edhe rolin e Akademisë së të Rinjve, duke shprehur bindjen se një pjesë e të rinjve të pranishëm në konferencë do të mund të bëhen anëtarë të saj. Në fund të fjalës së tij, akad. Frashëri i uroi pjesëmarrësit për një veprimtari sa më të suksesshme.
Prof. dr. Maringlen Spiro, anëtar i Komisionit të Matematikë-Fizikës në Akademinë e Shkencave, vlerësoi rritjen e numrit të pjesëmarrësve në Festivalin e 3-të të Shkencës dhe qasjen e ideve të reja.
Znj. Orjana Osmani, zëvendësministre e Ministrisë së Arsimit, përshëndeti konferencën. Ajo theksoi se është një kënaqësi e madhe, por edhe një përgjegjshmëri shumë e madhe, të ngjitesh në shtëpinë e shkencës, e në një moment që shoqëria jonë ka nevojë për shkencëtarë të mirë.
Zëvendësministrja falënderoi mësuesit dhe nxënësit për punën e bërë me projektet në këtë festival shkence, që do t’i paraprijë edhe festivalit të shkencës të organizuar nga Ministria e Arsimit.
Ajo vlerësoi në emër të Ministrisë së Arsimit veçanërisht punën e mësuesve dhe metodologjinë e tyre të udhëheqjes gjatë procesit mësimor duke u dhënë mundësinë studentëve për të garuar dhe shprehur idetë e tyre të strukturuara.
Znj. Mirjeta Domi, drejtore Ekzekutive e Edu Act Albania vlerësoi bashkëpunimin me Akademinë e Shkencave. Ku aktivitet do të ketë më shumë vlerë dhe për mësuesit, të cilët do të motivohen dhe do të tërheqin sa më shumë nxënës drejt shkencës dhe për t’i çuar idetë e tyre, aty ku e meritojnë.
Filmimin e punimeve të konferencës e përshëndeti znj. Stefanie Schlunk, drejtuese e Stage Europe (Rrjeti më i madh i mësuesve evropianë të STEM-it), e cila foli për perspektivat e aktiviteteve STEM që ndihmojnë në promovimin e përvojave gjithëpërfshirëse dhe tërheqëse të të nxënit STEM në mjedise të ndryshme arsimore.
Më tej, u prezantuan disa nga eksperiencat e suksesshme nga mësues pjesëmarrës në festivalin Europian 2024 organizuar në Finlandë.
Festivali i 3-të i Shkencës vijoi me prezantimin e projekteve të përzgjedhura që përfaqësojnë qasje të të nxënit përmes hulumtimit.
Në përfundim të prezantimeve u shpallën fituesit:
Entela Progri, Shkolla Profesionale Elbasan;
Anila Ziu, Shkolla “Fan S. Noli” Tiranë;
Elda Dyli Shkolla Jopublike “Kristaq Rama”.
Festivali u mbyll me diskutimet dhe konkluzionet rreth projekteve. Projektet fituese do të përfaqësojnë Shqipërinë në Festivalin Europian të Shkencës në Lituani, më 28-31 maj 2026, ku do të marrin pjesë 45 shtete.