U mbajt forumi me temën “Prodhimi i perimeve në serë, metodë shumë intensive dhe sfidat aktuale”
Veprimtaria u mbajt sot, më 6 tetor 2025, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizuar nga Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike dhe Komisioni i Biologjisë, Bujqësisë dhe Veterinarisë i ASHSH-së, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Morën pjesë profesorë dhe studiues nga Italia, Spanja, Greqia, Gjermania dhe Shqipëria, të cilët trajtuan temat më të fundit në prodhimin e perimeve në sera, duke përfshirë inovacionet teknologjike, efikasitetin energjetik, bujqësinë urbane dhe kultivimin pa tokë.
Forumi u moderua nga akad. Nazim Gruda, Universiteti i Bonn-it, Gjermani; Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Në fjalën e hapjes, akad. Gruda përshëndeti të pranishmit dhe e vlerësoi prodhimin e perimeve në sera si një komponent themelor të bujqësisë moderne dhe një nga metodat më intensive dhe më efikase të kultivimit. Ai tha se Shqipëria, si një vend mesdhetar, ka kushte të favorshme për kultivimin e perimeve dhe me menaxhim të duhur, serat mund të kontribuojnë ndjeshëm në një sektor bujqësor më të qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin. Gjithashtu, foli edhe për shqetësimet që ngre përdorimi intensiv i burimeve natyrore, energjisë dhe inputeve kimike për qëndrueshmërinë e kësaj metode, të cilat u trajtuan më tej në punimet e këtij forumi.
Akad. Anila Hoda, sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë. Ajo vuri në dukje se tema që trajtohet në këtë forum është jo vetëm aktuale, por edhe strategjike. Prodhimi në sera është shndërruar në një motor të zhvillimit të bujqësisë intensive, duke mbuluar një pjesë të madhe të nevojave ushqimore të vendit dhe duke krijuar hapësira të reja për konkurrencë në tregjet e jashtme. Por, njëkohësisht, ai na vendos përballë sfidave që lidhen me qëndrueshmërinë mjedisore, përdorimin racional të burimeve natyrore dhe përballimin e ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

Akad. Hoda e vlerësoi forumin si një dëshmi të rolit të Akademisë së Shkencave, jo vetëm si qendër e dijes, por edhe si urë bashkëpunimi mes kërkimit shkencor, universiteteve dhe politikëbërjes. “Ne synojmë që shkenca shqiptare të mos mbetet vetëm pjesë e debatit akademik, por të shndërrohet në një forcë orientuese për zhvillimin ekonomik, politikat bujqësore dhe strategjitë kombëtare të së ardhmes.”-tha ajo.
Forumin e përshëndeti ambasadori i Spanjës në Shqipëri, z. Gabriel Cremades Ventura. Ai shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në këtë veprimtari të rëndësishme. Ambasadori e vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit shkencor mes Shqipërisë dhe Spanjës për të kontribuar në zhvillimin e dijes dhe inovacionit dhe veçanërisht në modernizmin e prodhimit në sera, por edhe në sektorët e bujqësisë, industrisë dhe fusha të tjera të ekonomisë. Z. Cremades, rikonfirmoi që përmes këtyre bashkëpunimeve, Shqipëria do të mbështetet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në fund, përgëzoi organizatorët dhe u uroi suksese në zhvillimin e forumit shkencor.

Nga Ambasada e Greqisë ishte e pranishme znj. Maria Koumoutsakou, Kryetare e Zyrës së Punëve Ekonomike dhe Tregtare të Ambasadës së Greqisë dhe z. Efthymios Masouras, sekretar për Punët Ekonomike dhe Tregtare.
Prof. dr. Stefania de Pascale, Universiteti Bujqësor i Napolit “Federico II”, Itali, bëri prezantimin e risive për rritjen e qëndrueshmërisë në serat mesdhetare dhe sisteme të tjera hortikulturore me mjedis të kontrolluar, si rezultat i bashkëpunimit të një ekipi shkencëtarësh që kanë dhënë kontributet e tyre për prodhimin e kulturave serë në rajonin mesdhetar. Ajo e vuri theksin në gjendjen e teknologjisë dhe perspektivat për sektorin e hortikulturës me mjedis të kontrolluar lidhur me çështjet e qëndrueshmërisë, si dhe në gjendjen e teknologjisë dhe perspektivat për sektorin e hortikulturës me mjedis të kontrolluar.

Forumi vijoi me paraqitjen e punimeve shkencore nga prof. dr. Juan Fernandez, Universiteti Teknik i Kartagjenës, Spanjë; prof. dr. Dimitrios Savvas, Universiteti Bujqësor i Athinës, Greqi; prof. dr. Jesus Ochoa, Universiteti Teknik i Kartagenës, Spanjë; prof. dr. Astrit Balliu dhe Glenda Sallaku, Universiteti Bujqësor i Tiranës, Shqipëri.
Diskutimet theksuan sfidat aktuale dhe potencialin e bujqësisë së mbrojtur në Shqipëri dhe në rajonin e Mesdheut, duke nënvizuar rëndësinë e kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.
Në fund, u bënë propozime për nisma të reja bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe institucioneve kërkimore në fushën e hortikulturës dhe bujqësisë së qëndrueshme.

Prezantimet dhe diskutimet i ndoqën me interes fermerë e studentë.
Mbas forumit, pjesëmarrësit dhe miqtë e ftuar, të shoqëruar nga akad. Nazim Gruda dhe dy profesorë, vizituan serat në Divjakë.