Akademik Gëzim Hoxha merr pjesë në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare të Studimeve Ballkanike në Universitetin Sllav të Baku-së, Azerbajxhan
Konferenca e Dytë Ndërkombëtare e Studimeve Ballkanike u zhvillua më 26 shtator 2025, në Universitetin Sllav të Baku-së (BSU), me pjesëmarrjen e personaliteteve akademike e shkencore nga vende të ndryshme të Botës.
Akademinë e Shkencave të Shqipërisë e përfaqësoi akad. Gëzim Hoxha, Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike.

Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Hoxha mbajti fjalën përshëndetëse me temën “Perspektivat e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit Sllav të Baku-së”. Ai theksoi angazhimin e palëve për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të frytshëm në fushën e shkencës dhe arsimit ndërmjet Shqipërisë dhe Azerbajxhanit, me fokus të veçantë nxitjen dhe zhvillimin e studimeve të gjuhës shqipe në kontekstin shumë të pasur linguistik të vendeve të Ballkanit.
Fjala e plotë:
E nderuar kryesi e konferencës, të dashur kolegë dhe pjesëmarrës,
Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të përfaqësoj Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në këtë konferencë, e cila ka për qëllim krijimin e një platforme të gjallë për dialog shkencor dhe shkëmbim kritik mbi studimin dhe mësimdhënien e gjuhëve dhe letërsive ballkanike.
Rajoni ynë, me shumëllojshmërinë e tij gjuhësore, kulturore dhe historike, mbetet një laborator i pasur për kërkime ndërdisiplinore, ku ndërthuren traditat e lashta me sfidat bashkëkohore. Republika e Shqipërisë është palë nënshkruese dhe ka ratifikuar shumicën e konventave ndërkombëtare që promovojnë bashkëpunimin multietnik dhe garantojnë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, qoftë ajo materiale apo jomateriale. Pikërisht për këtë arsye, angazhimi ynë i përbashkët për të bashkëpunuar në kuadër të shkencave shoqërore, si në nivel teorik ashtu edhe në atë empirik, merr një rëndësi të veçantë.

Kërkimet bashkëkohore në shkencat sociale në Ballkan kanë një mision të dyfishtë. Nga njëra anë, të kuptojnë më thellë proceset historike dhe kulturore që na kanë formuar. Nga ana tjetër, të japin përgjigje ndaj dinamikave të reja të shoqërisë. Të tilla janë: migracionet, transformimet urbane, dialogu ndërkulturor, si dhe roli i gjuhës dhe i identitetit në ndërtimin e hapësirave të përbashkëta europiane. Këto kërkime jo vetëm që pasurojnë njohjen tonë akademike, por gjithashtu kontribuojnë në forcimin e kohezionit social dhe të bashkëpunimit rajonal.
Akademia jonë bashkëpunon veçanërisht me katedrat e gjuhës shqipe në universitetet e Napolit, Mynihut, Beogradit dhe Pekinit, si edhe me një numër studiuesish të gjuhësisë indoevropiane që merren me këtë gjuhë të lashtë të Ballkanit. Aktualisht, jemi në fazën përfundimtare të një projekti madhor shkencor: hartimi i “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe”.

Në këtë atmosferë bashkëpunimi, më 7 prill 2025, patëm nderin të presim në një vizitë në Akademinë së Shkencave të Shqipërisë rektorin e Universitetit Sllavistik të Baku-së, prof. dr. Anar Naghiyev; ambasadorin të Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë, z. Anar Huseynov, si dhe anëtarët e tjerë të delegacionit. Në këtë takim u shpreh angazhimi i palëve për ndërtimin e një bashkëpunimi të qëndrueshëm dhe të frytshëm në fushën e shkencës dhe të arsimit në Shqipëri dhe në Azerbajxhan, me fokus të veçantë nxitjen dhe zhvillimin e studimeve të gjuhës shqipe në kontekstin shumë të pasur linguistik të vendeve të Ballkanit.
Jam i bindur se kjo konferencë do të shërbejë jo vetëm si hapësirë reflektimi dhe debati mbi problematikat dhe arritjet në fushën tonë, por edhe si urë bashkëpunimi për të ndërtuar projekte të reja, të dobishme për komunitetin akademik ndërkombëtar.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për organizatorët dhe të uroj që punimet tona të sjellin fryte të vlefshme për shkencën dhe për ndërlidhjen e traditave akademike në hapësirën ballkanike dhe më gjerë.
Ju faleminderit dhe ju uroj punë të mbarë!