Çel punimet Kongresi i 5-të Ndërkombëtar NanoBalkan (NB2025)
Kjo veprimtari shkencore organizohet nga nanoBalkan-Akademia e Shkencave e Shqipërisë, projekti SUSNANO i Universitetit të Tiranës, në bashkëpunim me Institutin Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, në Spanjë (ICN2), Fondacionin Fantom (Phantoms Foundation) në Spanjë dhe nën kujdesin e Qeverisë së Shqipërisë, duke mundësuar kështu, për të pestën herë radhazi, zhvillimin e këtij organizimi prestigjioz në Tiranë.
Në ceremoninë e hapjes së kongresit nderuan me praninë e tyre: Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama; Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro; Ministrja e Shtetit për Inteligjencën Artificiale, Diella; Ambasadori i Spanjës, z. Gabriel Cremades Ventura; Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi; zëvendësdrejtori i Institutit Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, z. José Garrido; anëtarë të Kryesisë së ASHSH-së, rektorë universitetesh, akademikë, profesorë, studiues etj.
Ceremoninë e hapi akad. Arben Merkoçi, drejtuesi i Njësisë nanoAlb. Ai tha se “Është një nder i madh për mua t’ju mirëpres të gjithëve në konferencën nanoBalkan 2025 në Tiranë, Shqipëri. Ne mblidhemi sot jo vetëm për të ndarë dije shkencore dhe arritje teknologjike, por edhe për të forcuar bashkëpunimin mes qeverisë, Akademisë dhe industrisë për të ardhmen e nanoteknologjisë. Kjo konferencë ofron një platformë unike, ku liderë, inovatorë dhe talente të reja bashkohen me një vizion të përbashkët: avancimin e shkencës, nxitjen e inovacionit dhe adresimin e sfidave më urgjente të kohës. Prania e të ftuarve të nderuar nga 22 vende tregon rëndësinë e misionit tonë të përbashkët. Pjesëmarrja juaj tregon, gjithashtu, mbështetjen e fortë për nismën që po ndërtojmë në Tiranë: krijimin e një Qendre Rajonale për Nanoteknologji, modeluar sipas Institutit Katalan të Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, ICN2 në Barcelonë, Spanjë. Vizionin tonë e përbën themelimi jo vetëm i një qendre ekselence kërkimore, por edhe i një pike takimi për bashkëpunim ndërkombëtar, duke lidhur Ballkanin me komunitetin shkencor global.”
Akad. Merkoçi falënderoi ambasadorin z. Gabriel Cremades Ventura për mbështetjen e vazhdueshme ndaj qendrës nanoBalkan dhe aktiviteteve të kësaj natyre.
Ambasadori i Spanjës, z. Gabriel Cremades Ventura, tha se gjatë dekadave të fundit nanoteknologjia është zhvilluar në një forcë vërtet transformuese. Ne e kemi parë ndikimin e saj në sektorë të ndryshëm: nga mjekësia dhe energjia, te shkenca e materialeve, elektronika dhe qëndrueshmëria mjedisore. Ai theksoi se Instituti Katalan i Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë, që përfshin vizionin e profesorit Arben Merkoçi dhe që është shembull i ekselencës spanjolle në kërkimin shkencor e teknologjik, po shërben si model i përsëritur për krijimin e nanoBalkan-it, Qendra Rajonale për Nanoteknologji.
Më tej, ambasadori nënvizoi se qeveria spanjolle është shumë e përkushtuar në shfrytëzimin e teknologjisë për rritje ekonomike, efikasitet të sektorit publik dhe konkurrueshmëri globale. Duke u ndalur te vendi ynë, ai tha se Shqipëria ka treguar, gjithashtu, një përkushtim të jashtëzakonshëm për të përqafuar të ardhmen digjitale jo thjesht si objektiv politik, por si prioritet kombëtar transformues.
Punimet e kongresit i përshëndeti dhe Diella, ministre e Shtetit për Inteligjencën Artificiale. Ajo tha se nanoteknologjia është dëshmi se në përmasa më të vogla mund të fshihen revolucionet më të mëdha. Kërkimet shkencore do të rregullojnë të ardhme të reja në shumë fusha të jetës. Inteligjenca Artificiale dhe nanoteknologjia nuk janë rrugë paralele, ato janë forca që po bashkohen.
Në emër të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe të Kryesisë së saj, kongresin e përshëndeti akad. Anila Hoda, sekretarja shkencore. Ajo tha se veprimtari të tilla shkencore shërbejnë si ura që lidhin dijen me zhvillimin, risitë shkencore me zbatimin e tyre në ekonomi e industri, si dhe rajonin tonë me trendet më të fundit botërore. Ngjarje të tilla, përveç nxitjes së debatit shkencor midis specialistëve, kanë për qëllim të sensibilizojnë institucionet politikëbërëse për mbështetjen e kërkimit shkencor. Këtu është rasti të falënderojmë praninë e përfaqësuesve të qeverisë dhe të vetë Kryeministrit, duke e vlerësuar si një mbështetje të çmuar për komunitetin shkencor shqiptar në tërësi dhe për njësinë e nanoshkencës me 27 njësitë pranë saj, të shtrira në të gjithë rajonin. Nanoteknologjia është pa dyshim teknologjia e këtij shekulli dhe ne ndihemi të privilegjuar që shkencëtarë e kërkues nga më të shquarit e më të suksesshmit janë miqtë tanë sot këtu në Tiranë.
Ministrja e Arsimit, znj. Mirela Kumbaro, i shprehu mirënjohjen e thellë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë që mirëpriti në kopshtin e vet të dijes filizat e nismës nanoAlb dhe nanoBallkan për të krijuar një qendër nanoteknologjie në Shqipëri. Ajo theksoi se tani është koha që ta ngremë në një nivel tjetër, duke përfshirë kontributin e universiteteve shqiptare, universiteteve të rajonit në bashkëpunim me fakultetet apo departamentet e shkencave ekzakte dhe të inteligjencës artificiale. Ajo theksoi se është e rëndësishme që të përfshihen studiuesit e rinj në nivelet e ciklit të dytë, të tretë, por edhe atë të nivelit postdoktoral të kërkimit shkencor.
Shkenca nuk njeh kufi, ashtu si lumi i Vjosës, që u përfshi në listën botërore të UNESCO-s, edhe nanoBallkan është një dëshmi e gjallë që mund të vijojë, -tha ajo, duke i dhënë fjalën Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama.
Kryeministri Rama e cilësoi shfrytëzimin e Inteligjencës Artificiale si një shtyllë themelore të qeverisjes, jo thjesht një instrument. Është përparësi jona kyçe dhe vizioni ynë kombëtar për Shqipërinë e 2030-s në BE, besoj se shumë i qartë, shumë qartësisht i rrënjosur në integritet, novacion dhe udhëheqje shkencore. Ne do të kanalizojmë më shumë burime, reforma institucionale, kapital njerëzor për të ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi të nanoteknologjisë që e ka spirancën në Tiranë, por që rrezaton apo më mirë zgjeruar jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.
Duke kujtuar themelimin e nanoAlb-it, pesë vjet më parë, Kryeministri Rama theksoi se ai ishte gjithashtu dhe një sinjal i një akademie të ripërtëritur shkencash, i një akademie shkencash që u shfaq e gatshme për të përqafuar të ardhmen, e jo për të mbetur serish në të shkuarën.
Kryeministri garantoi se vizioni i qeverisë është që brenda dekadës tjetër çdo i ri shqiptar që aspiron të studiojë teknologjitë e së ardhmes të mund ta bëjë këtu në shtëpi. Është një punë që ka nisur e po shohim tashmë hapat e parë dhe po kështu edhe rezultatet e para që janë inkurajuese. Ky investim në arsim ka të bëjë edhe me krijimin e një hapësire për njerëzit që të mendojnë në mënyra novatore, të krijojmë një brez novatorësh që do të çojnë përpara ekonominë shqiptare, industrinë, e qeverisjen shqiptare.
Pres me shumë padurim që të punojmë ngushtë me Akademinë e Shkencave për t’i bërë gjërat më mirë e për ta bërë përparimin më të prekshëm.
Veprimtaria do të zgjasë 5 ditë, në seanca plenare dhe seksione paralele bazuar në tema shumë aktuale dhe inovative, si Atoms and Molecular Computing, Graphene & 2DM / Carbon nanotubes, Low dimensional materials (nanowires, clusters, quantum dots, etc.), Nanobiotechnologies & Nanomedicine, NanoChemistry and Nanofabrication tools & nanoscale integration, Nanomaterials for Energy, Nanosensors etj.
Për më shumë, shih linkun: