U mbajt forumi akademik/workshop me temën “Tektonika aktive dhe burimet sizmike për modelimin sizmotektonik në Shqipëri”
Veprimtaria u organizua nga Njësia kërkimore e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kërkimeve Shkencore të Italisë (CNR), Shërbimin Gjeologjik Shqiptar dhe Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.
Qëllimi kryesor i këtij forumi është trajtimi i çështjeve thelbësore që lidhen me përcaktimin sa më të saktë të strukturave tektonike aktive në territorin shqiptar; vlerësimin e burimeve sizmike ekzistuese dhe potenciale; përditësimin e modelit kombëtar sizmotektonik dhe thellimin e njohurive mbi marrëdhëniet ndërmjet tërmeteve dhe strukturave aktive.
Në këtë veprimtari ishin të pranishëm kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi; sekretarja shkencore e ASHSH-së akad. Anila Hoda; kryetari i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike akad Neki Frashëri etj.
Akad. asoc. Rrapo Ormëni, drejtues i Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive, ASHSH, u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve. Ai vuri në dukje se Shqipëria ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik të lartë, pjesë e brezit sizmik alpin mesdhetar. Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019 (6.4 ballë), si dhe shumë tërmete të tjera të dokumentuara historikisht, nënvizojnë domosdoshmërinë për vlerësim të ri dhe të saktë të burimeve sizmike në territorin shqiptar dhe hartimin e një modeli të përditësuar sizmotektonik, të mbështetur në të dhëna dhe metoda moderne.

Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi, në fjalën përshëndetëse theksoi se puna e Njësisë së gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, që ka si qëllim nxitjen dhe koordinimin në studime dhe projekte shkencore të nivelit elitar në fushën e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierisë, po ndiqet me shumë interes. Ai përmendi faktin që njësia ka zgjeruar kufijtë e bashkëpunimit. Studimet në këto fusha u nxitën pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në bashkëpunimin e vazhdueshëm midis qendrave kërkimore, institucioneve të kërkimit, shkencëtarëve dhe studiuesve që mbulojnë kërkimin në fushat e gjeologjisë, në fushat inxhinierike, kudo që janë, në rajon, Europë e më gjerë. Akad. Gjinushi vuri në dukje se studimet e territorit shqiptar hasin në problematika shumë të mprehta, duke e vënë theksin tek rëndësia e integrimit të dhënave gjeologjike dhe sizmologjike, për parandalimin apo qëndrueshmërinë e ndërtimit të veprave inxhinierike nga rreziku sizmik.
Prof. dr. Luigi Piccardi, anëtar i Këshilli Kombëtar të Kërkimeve Shkencore, Itali (CNR), falënderoi Akademinë e Shkencave për bashkëpunimin dhe shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes me një studim mbi rajonet shqiptare. Ai u shpreh se të dyja vendet fqinje, Shqipëria dhe Italia nuk kanë vetëm afërsi territoriale, por kanë edhe një histori shumë të gjatë bashkëpunimesh.

Forumin e përshëndeti edhe prof. dr. Naser Peci, zëvendësdrejtues i Njësisë kërkimore të gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive (ASHSH), Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”. Ai e vlerësoi workshop-in si një hap të rëndësishëm drejt rritjes së ndërgjegjësimit dhe forcimit të kapaciteteve institucionale në menaxhimin e rrezikut sizmik, duke kontribuar në përmirësimin e politikave për ndërtim të qëndrueshëm dhe siguri publike.
Prof. dr. Luigi Piccardi hapi seancën e parë të forumit me prezantimin e kërkimit shkencor me temën “ Kufizime paraprake nga thyerjet aktive dhe sizmiciteti historik në Shqipëri: hapa drejt një sinteze sizmotektonike kombëtare.

Në ditën e dytë u mbajt tryeza e rrumbullakët me pyetje, diskutime dhe shkëmbime të hapura idesh e perspektivash midis pjesëmarrësve për modelin përfundimtar sizmotektonik të Shqipërisë.
Në këtë tryezë u diskutuan rezultatet dhe interpretimet kryesore të paraqitura gjatë seminarit dhe u la detyrë që të identifikohen boshllëqet shkencore, pasiguritë dhe prioritetet për kërkime të mëtejshme dhe të përpunohen një sërë rekomandimesh që do të udhëheqin zhvillimin e modelit përfundimtar sizmotektonik të Shqipërisë; të bëhet hartimi i përbashkët i propozimeve në lidhje me strukturën, parametrat dhe zbatimin e modelit përfundimtar sizmotektonik, si prezantimi i një modeli paraprak sizmotektonik për diskutim, me qëllim finalizimin e modelit përfundimtar sizmotektonik.

Gjatë dy ditëve (23-24 shtator 2025) të këtij forumi u prezantuan 20 punime, qasje të avancuara shkencore në analizën e rrezikut sizmik dhe për hartimin e një modeli të integruar, në funksion të qëndrueshmërisë urbane dhe mbrojtjes së jetës njerëzore.
Pas përfundimit të seancave shkencore, një grup studiuesish dhe specialistësh: Rrapo Ormeni, Luigi Piccardi, Ismail Hoxha, Eutizio Vittori, Naser Peci, Pio Di Manna, Petraq Naço, Bexhet Shala, Dionald Mucaj, Dashamir Gega, Olgert Gjuzi, Erald Silo, u nisën për një udhëtim dyditor në terren për vëzhgimin e tipareve të rëndësishme tektonike në zonën Mirditë–Peshkopi–Kukës–Prizren.