Kryetari i Akademisë së Shkencave akad. Skënder Gjinushi pret në një vizitë zyrtare ambasadorin e Spanjës në Shqipëri z. Gabriel Cremades Ventura
Kryetari i ASHSH-së akad. Gjinushi priti sot në një takim kortezie ambasadorin e Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, z. Gabriel Cremades Ventura. Pjesëmarrës në takim ishin: Sekretarja shkencore akad. Anila Hoda, kancelari Ruzhdi Kuçi dhe shefja e marrëdhënieve me jashtë dhe publikun prof. asoc. dr. Elda Zotaj.
Kryetari i ASHSH-së akad. Gjinushi në fjalën e tij e njohu ambasadorin me strukturën, vizionin dhe proceset reformuese që ka pësuar Akademia e Shkencave vitet e fundit. Ai u ndal në hapjen e Akademisë drejt bashkëpunimeve me institucionet kërkimore-shkencore në Europë dhe më gjerë, si dhe në krijimin e mundësive për shkencëtarët shqiptarë që janë jashtë vendit për t’u bërë pjesë e saj.

Në kuadër të bashkëpunimeve me Ambasadën e Spanjës, kryetari Gjinushi solli në vëmendje veprimtarinë e parë të nisur 20 vjet më parë përmes mbështetjes që ajo dha në organizimin e workshop-it të parë në fushën e biosensorëve. Bashkëpunimet mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me institucionet kërkimore në Spanjë vijuan me krijimin e Qendrës së Nanoteknologjisë pranë ASHSH-së, me mbështetjen nga ICN2 (Catalan Institute of Nanoscience and Nanotechnology).

Akad. Gjinushi përmendi faktin se në radhët e anëtarëve të nderit kemi dhe profesorin spanjoll Jose Manuel Floristan, i cili ka kryer studime për historinë e mesjetës së vonë shqiptare, duke dhënë kontribut shkencor edhe në trajtimin e marrëdhënieve shqiptaro-spanjolle në shek. XV-XVII. Ai përmendi edhe bashkëpunime të tjera të rëndësishme, si Konferenca Ndërkombëtare e Nanoteknologjisë, e cila zhvillohet prej pesë vjetësh në Tiranë edhe me mbështetjen e Ambasadës së Spanjës.

Ambasadori Cremades, duke falënderuar kryetarin akad. Gjinushi për pritjen dhe duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, u shpreh i gatshëm që ambasada do të vijojë të luajë një rol proaktiv dhe nxitës për krijimin e mundësive të partneritetit mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Akademive Spanjolle të fushave të ndryshme. Pavarësisht nga ndryshimet strukturore që ekzistojnë mes akademive të dy vendeve, ambasadori tha se ka hapësira që të ndërmerren nisma të përbashkëta. Ai vuri theksin në forcimin e bashkëpunimit dhe mbështetjen e Spanjës për Shqipërinë në të gjitha fushat, veçanërisht në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian.

Të dyja palët shprehën interesin për forcimin e marrëdhënieve me Ambasadën e Spanjës bazuar në bashkëpunimin ekzistues, si dhe në kuadër të nismave të reja që mund të ndërmerren në të ardhmen.