Nisi punimet Kongresi Ndërkombëtar i Bioteknologjisë
Më 11 shtator 2025 u mbajt për herë të parë në Tiranë Kongresi Ndërkombëtar i Bioteknologjisë.
Organizatore e këtij kongresi është Shoqata Europiane e Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA) me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe institucioneve të saj: Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, Njësia Kërkimore e Pasurive Ujore, Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës; si dhe me mbështetjen e Universitetit të Tiranës, Departamenti i Bioteknologjisë. Kontribuues në veprimtari janë edhe COST Action RECROP e MAGI Balkans.
Prof. dr. Ariola Bacu, drejtuese e Komisionit Organizativ Lokal të EBTNA-2025, hapi konferencën dhe shprehu falënderimet për pjesëmarrësit dhe institucionet mbështetëse.
Ajo ftoi kryetarin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushin, dhe zëvendëspresidentin e EBTNA-s, prof. dr. Oscar Vicente Mana, për të përshëndetur kongresin.
Fillimisht akad. Skënder Gjinushi dhe prof. dr. Oscar Vicente Mana firmosën marrëveshjen për anëtarësimin institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet Shoqatës Europiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH).
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Gjinushi përshëndeti pjesëmarrësit dhe organizatorët e kongresit.
Ai shprehu vlerësimin për lidhjen e marrëveshjes mes ASHSH-së dhe EBTNA-s dhe foli për strategjinë e bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar shkencor në fushat e bioteknologjisë, shkencave të jetës e arsimit.
Akad. Gjinushi e vuri theksi te bashkëpunimet në fushën e bioteknologjisë, të cilat janë zgjeruar me ngritjen dhe ndërkombëtarizimin e veprimtarisë së qendrave dhe njësive të ASHSH-së, drejtimet e të cilave përputhen me ato të bioteknologjisë.
Kryetari i ASHSH-së tha se gjatë tetë vjetëve të reformimit të Akademisë së Shkencave, përvoja e organizimit të një sërë konferencave, shkollave me studentët, me doktorantët e rinj, si dhe ndërmarrja e disa projekteve të përbashkëta ka çuar në mënyrë të natyrshme në firmosjen e kësaj marrëveshjeje. Akademia e Shkencave ka shprehur vullnetin dhe dëshirën për ta çuar më para këtë bashkëpunim.
Prof. dr. Oscar Vicente Mana foli për rrugëtimin 15-vjeçar të Kongresit Europian të Bioteknologjisë të organizuar nga EBTNA (1996). Kongresi është i shtrirë në të gjitha disiplinat e bioteknologjisë. Në fund, prof. dr. Oscar Vicente falënderoi Kryesinë e Akademisë së Shkencave, organizatoren Ariola Bacu dhe institucionet pjesëmarrëse e mbështetëse në këtë kongres.
Kongresin e përshëndetën: rektori i Universitetit të Mjekësisë, prof. dr. Xheladin Draçini dhe dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, prof. dr. Eglantina Kalluçi. Ata shprehën mirënjohjen për drejtuesit, mbështetësit dhe organizatorët e kongresit dhe e vunë theksin në kontributin e kësaj veprimtarie për brezin e ri të kërkuesve shkencorë, në gradimin e studentëve, doktoraturat, shkollat e trajnimit, si dhe rritjen e shkallës së profesionalizmit në kërkimin shkencor në bioteknologji, me ndikim në fushat jetësore, si: mjekësia, produktet farmaceutike, gjenetika dhe nanoteknologjia.
Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe prof. dr. Matteo Bertelli (MAGI Balkans) e prof. dr. Robert Marks (Universiteti “Ben Gurion” i Negevit, Izrael), të cilët falënderuan institucionet shqiptare dhe veçanërisht Akademinë e Shkencave e studiuesit e saj për bashkëpunimin dhe organizimin e kongresit në Shqipëri.
Në ditën e parë u prezantuan 30 punime shkencore.
Seancën plenare e hapi akad. Anila Hoda, Sekretare shkencore e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, me prezantimin e punimit shkencor me temën: “Bioteknologjia për zhvillim të qëndrueshëm në blegtorinë dhe akuakulturën e Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Më tej, prezantuan prof. Ariola Bacu (ASHSH) organizatore e kongresit dhe kryetare e Grupit për Bioteknologji Molekulare, Universiteti i Tiranës; prof. Bashkim Ziberi, Universiteti i Tetovës, Maqedonia e Veriut; prof. Hysen Bytyqi, zëvendësrektor, Universiteti i Prishtinës, Kosovë etj.
Në këtë veprimtari marrin pjesë 200 kërkues shkencorë, lektorë, përfaqësues të industrive (ushqimore, farmaceutike, mjekësore), studentë të profileve të ndryshme nga vende të Bashkimit Europian, vende të Ballkanit Perëndimor, Kanadaja, Izraeli, Australia, Kina etj.
Kongresi Ndërkombëtar i Bioteknologjisë 2025 do të vijojë deri më 13 shtator 2025 në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në sallat “Aleks Buda dhe “Libri Akademik”.
Për më shumë, shiko linkun: https://www.facebook.com/share/v/17L4dVbxuD/