U nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Shoqatës Europiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA)
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe prof. dr. Oscar Vicente Mana, zëvendëspresident i EBTNA-s, sot më 11 shtator 2025, nënshkruan marrëveshjen për anëtarësim institucional dhe bashkëpunimin ndërmjet Shoqatës Europiane të Rrjetit Tematik të Bioteknologjisë (EBTNA-European Biotechnology Thematic Network Association) dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH).

Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është formalizimi i anëtarësimit institucional të ASHSH-së në EBTNA dhe krijimi i një kuadri strategjik bashkëpunimi në fushat e bioteknologjisë, shkencave të jetës, arsimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar shkencor.
Si anëtar institucional, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të ketë përfaqësim në Asamblenë e Përgjithshme të EBTNA-s dhe do të gëzojë të drejta të plota për të marrë pjesë në iniciativat e saj.
ASHSH-ja do të mbështesë misionin e EBTNA-s dhe do të kontribuojë në qëllimet e saj shkencore dhe akademike, duke përfshirë edhe koordinimin lokal dhe mbështetjen institucionale.

Sipas marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë në organizimin dhe promovimin e përbashkët të ngjarjeve shkencore, përfshirë kongreset, workshop-et, simpoziumet dhe leksionet publike, aktivitetet sociale dhe akademike, pjesëmarrjen në rrjete kërkimore europiane dhe ndërkombëtare dhe projekte bashkëpunimi të koordinuara nga EBTNA e më gjerë.
Ceremonia u mbajt në kuadër zhvillimeve të Kongresit Europian të Bioteknologjisë 2025, të organizuar nga EBTNA, i cili mbahet për herë të parë në Shqipëri me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në datat 11-13 shtator 2025.

Në këtë kongres marrin pjesë rreth 200 kërkues, lektorë, përfaqësues të industrive (ushqimore, farmaceutike, mjekësore), studentë të profileve të ndryshme, që kanë objektiv të studimit të tyre drejtimet e bioteknologjive mjekësore, farmaceutike, mjedisore, bujqësore, industriale, shtazore, akuakulturë etj., nga vende të Bashkimit Europian, vende të Ballkanit Perëndimor, Kanadaja, Izraeli, Australia, Kina etj.