Kongresi Europian i Bioteknologjisë-2025 vjen për herë të parë në Shqipëri me mbështetjen e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
-Veprimtaria do të mbahet nga datat 11-13 shtator 2025 në Akademinë e Shkencave, në sallat “Aleks Buda” dhe “Libri Akademik”-
-Hapja e kongresit do të bëhet ditën e enjte, më 11 shtator 2025, në orën 09:00-

Kongresi Europian i Bioteknologjisë, i organizuar nga EBTNA-European Biotechnology Thematic Network Association, një organizatë e themeluar më 1996, synon prezantimin e projekteve akademike dhe industriale për të ndihmuar krijimin e lidhjeve ndërmjet industrive bioteknologjike dhe shkencës, si dhe për të ndarë e diskutuar praktika, inovacione, iniciativa kërkimore dhe problematika të lidhura me bioteknologjitë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të tyre.
Në këtë veprimtari do të marrin pjesë rreth 200 kërkues, lektorë, përfaqësues të industrive (ushqimore, farmaceutike, mjekësore), studentë të profileve të ndryshme, që kanë objektiv të studimit të tyre drejtimet e bioteknologjive mjekësore, farmaceutike, mjedisore, bujqësore, industriale, shtazore, akuakulturë etj., nga vende të Bashkimit Europian, vende të Ballkanit Perëndimor, Kanadaja, Izraeli, Australia, Kina etj.