Konferencë shkencore kushtuar Karl von Gegës dhe hekurudhës së Semmering-ut: një inxhinier vizionar që ndryshoi historinë e Europës së shekullit XIX
Më 12 qershor 2025, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u zhvillua konferenca shkencore me temën “Karl von Gega dhe Semmering-u: Një hekurudhë për të ndryshuar historinë”, kushtuar inxhinierit vizionar që la gjurmë në zhvillimin e Evropës së shekullit të 19-të. Veprimtaria u organizua në bashkëpunim me Musei Civici di Venezia dhe Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT).
Akad. Gëzim Hoxha, kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, hapi konferencën dhe përshëndeti pjesëmarrësit. Më pas, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, mbajti fjalën përshëndetëse, duke shprehur mirënjohje për organizatorët, Muzeun “Correr” të Venecias dhe miqtë italianë që kontribuuan në organizimin e konferencës dhe ekspozitës kushtuar Karl Gegës. Ai falënderoi veçanërisht profesoreshën Lucia Nadinin për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Akademinë e Shkencave.
Akademik Gjinushi theksoi se Karl Gega renditet ndër 100 figurat kryesore të historisë së Austrisë, krahas emrave të mëdhenj, si Moxarti, Shuberti, Shtrausi, Frojdi, Maria Tereza, Franc Jozefi dhe Franc Kafka. Ai u shpreh se krenaria për origjinën shqiptare të Karl Gegës nuk ka për qëllim përvetësimin, por përmbush një detyrim moral dhe shkencor, duke e pasuruar portretin e këtij gjeniu.
Monica Viero, përfaqësuese e Fondacionit Musei Civici di Venezia, falënderoi organizatorët për nismën e bashkëpunimin dhe përmendi mbështetjen e kryeministrit Edi Rama për promovimin e figurës së Karl Gegës. Ajo shprehu mirënjohje për akad. Skënder Gjinushin, kryetarin e Akademisë së Shkencave; akad. Gëzim Hoxhën, si dhe për Lucia Nadinin e Kamilo Toninin, drejtorin e Muzeut Correr dhe e përshkroi Karl von Gegën si një figurë novatore dhe poliedrike, të njohur si veneciani me origjinë shqiptare, dhe e vlerësoi si një teknik të madh që përdori shkencën pozitiviste për progresin dhe dobinë e përgjithshme.
Fjalë përshëndetëse mbajti edhe prof. dr. Edmond Hajrizi, rektor i Universitetit UBT në Kosovë, i cili theksoi rëndësinë dhe interesin aktual të veprës së Karl Gegës, duke e përshkruar atë si një personifikim të lidershipit dhe inovacionit të Revolucionit Industrial. Ai theksoi kontributin e tij në zhvillimin ekonomik europian dhe botëror.
Seancën e parë e hapi prof. Lucia Nadin me kumtesën “Historia e një familjeje dhe e një fisnikërie”, ku paraqiti dokumente të rëndësishme familjare, përfshirë letra, një stemë simbolike dhe pemën gjenealogjike të familjes Gega. Ajo theksoi prejardhjen shqiptare të familjes, duke shpjeguar se paraardhësit e Karlit ishin nga Perasti në gjirin e Kotorrit dhe ishin kapitenë të njohur të marinës veneciane. Mbiemri Gega lidhej me Gegninë në veri të Shqipërisë. Karl Gega lindi në Venecia në vitin 1802 dhe dokumentet e fëmijëve të babait të tij ruhen në kishën e Shën Pjetrit në Venecia. Gjithashtu, prof. Nadin prezantoi medaljet e Kalorësit që Karl von Gega i mori për projektin e tij të famshëm të hekurudhës së Semmering-ut, duke vërtetuar gjenialitetin e tij.
Historiani Pëllumb Xhufi, në kumtesën “Detarë shqiptarë, shtetas venecianë nga gjiri i Kotorrit në shkëmbimet tregtare mes Venecias dhe Durrësit në shekullin XVIII” hodhi dritë mbi origjinën shqiptare të familjes Gega dhe lidhjen e tyre me marinën veneciane dhe komunitetet shqiptare në Dalmaci.
Marina Bressan-i theksoi rolin kyç të Karl von Gegës në ndërtimin e linjës hekurudhore të Semmering-ut, një nga arritjet më të mëdha inxhinierike të kohës, që konsiderohet si një kryevepër e gjenisë njerëzore. Ajo përmendi edhe ndikimin e tij në Trieste dhe në Vjenë, qendra kryesore të Perandorisë Habsburge.
Camillo Tonini prezantoi fondin Gega në Muzeun Correr, i pasur me dokumente, skica dhe letra që ndriçojnë jetën dhe veprën e Karl von Gegës, duke përfshirë lidhjen e tij me financiarin e shquar Simon Jorgo Sina me origjinë nga Voskopoja.
Seancën e dytë e hapi Giuseppe Razza, i cili foli për postën dhe për komunikimet në kohën e Karl Gegës, dhe paraqiti pulla postare e kartëmonedha me fytyrën e tij, si shenjë respekti për kontributin e çmuar.
Monica Genesini dhe Ina Arapi prezantuan kumtesën “Figura mitike e Gegës në letërsi”, ku analizuan ndikimin e veprës së tij inxhinierike në letërsinë austriake dhe formimin e legjendës popullore për Karl Gegën si një njeri gjenial që përballoi sfida të mëdha.
Në vazhdim, Alvin Saraçi, Monica Viero dhe Camillo Tonini paraqitën inventarin e fondit Gega në Muzeun Correr, që përmban mbi 300 mijë materiale të ndryshme, përfshirë vizatime, gravura, litografi, portrete dhe letërkëmbime.
Gjon Radovani, me kumtesën “Karl Gega, mendje gjeniale e shekullit XIX”, theksoi vizionin e tij për krijimin e një rrjeti hekurudhor europian, që do të lidhte rajone nga portet detare deri në zemër të Europës Qendrore. Ai e përshkroi Semmering-un si pjesë të një ideje më të madhe për një botë të ndërlidhur, koncept që do të zhvillohej më vonë nga futurizmi.
Në përmbyllje, akademik Gëzim Hoxha falënderoi pjesëmarrësit për kumtesat me nivel të lartë shkencor dhe nënvizoi rëndësinë e njohjes së plotë të personalitetit të Karl von Gegës, që na bën krenarë për origjinën shqiptare dhe rolin e tij si një figurë e madhe europiane.