U mbajt forumi shkencor “Meteorologjia dhe aviacioni 100 vjet në hapësirën shqiptare”​
Me rastin e dy jubileve, 100-vjetorit të fluturimeve të para ajrore në hapësirën shqiptare dhe 75-vjetorit të Organizatës Botërore të Meteorologjisë, më 9 qershor 2025 u zhvillua forumi shkencor “Meteorologjia dhe aviacioni 100 vjet në hapësirën shqiptare”.
Veprimtaria u organizua nga Komisioni i fizikës e kimisë, Seksioni i Shkencave Natyrore dhe Teknike, pjesë e ASHSH-së. Seancën plenare e moderuan akad. emeritus Floran Vila, kryetar i Komisionit të fizikës, dhe prof. dr. Petrit Zorba.
Në fjalën e hapjes, akad. Vila tha se ky forum shkencor synon të mbledhë bashkë studiues e profesionistë të fushave të aviacionit dhe të meteorologjisë aeronautike në këtë vit jubile, si dhe të paraqesë një sërë informacionesh jo vetëm historike, por dhe shkencore e organizative apo me natyrë tjetër, për të përmirësuar punën në këto fusha me rëndësi jetike për vendin tonë. Studimet meteorologjike për motin dhe për kushtet atmosferike janë thelbësore për sigurinë, efikasitetin dhe ekonominë e aviacionit.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushi përshëndeti dhe falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit e forumit për organizmin e kësaj veprimtarie tejet të rëndësishme. Në fjalën e tij, ai theksoi se Akademia e Shkencave i ka kushtuar vëmendje të veçantë zhvillimit të kërkimeve shkencore në fushën e meteorologjisë. Në kuadër të reformimit të sistemit të kërkimit shkencor, është e domosdoshme që meteorologjia të zërë vendin që i takon me të drejtë, si një disiplinë me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme dhe politikat e zhvillimit.
Ai vlerësoi se rekomandimet dhe sugjerimet që do të dalin nga diskutimet e këtij forumi, mund të jenë një mbështetje e çmuar për Akademinë e Shkencave për të rritur presionin dhe advokimin pranë qeverisë dhe politikëbërësve në funksion të forcimit të kërkimit shkencor në vend.
Ai shtoi, gjithashtu, se zhvillimet teknologjike dhe përparimi i inteligjencës artificiale ndihmojnë ndjeshëm në fushën e meteorologjisë dhe të aviacionit, për shkak të natyrës së ndërlikuar të modelimeve. Për këtë arsye, është e domosdoshme që individët me aftësi të larta në matematikë të inkurajohen që të marrin përsipër sfida që lidhen me klimën dhe meteorologjinë.
Veprimtaria u përshëndet nga Armend Agushi, drejtor i IHM-së, Prishtinë, Kosovë, dhe Greg Brock-u, përgjegjës i Seksionit të Shërbimeve për Aviacionin, Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), Gjenevë, Zvicër.
Në sesionin e parë me temën “Meteorologjia dhe aviacioni” u mbajtën kumtesa nga prof. dr. Petrit Zorba, UPT e Komisioni i Fizikës dhe Kimisë i Akademisë së Shkencave; Fatjon Demiraj, drejtor i Drejtorisë së Meteorologjisë, ALBCONTROL; Sherif Gosalci, Departamenti Meteorologjik, KANS, Prishtinë, Kosovë.
Pas përfundimit të sesionit të parë, të pranishmit vizituan ekspozitën “Shikim i ekspozesë mbi emetimet postare në kuadër të fluturimeve të para ajrore në Shqipëri të vitit 1925”, kuruar nga dr. Jovan Basho.
Në sesionin e dytë u trajtua çështja e sigurisë ajrore dhe ndryshimeve klimatike. Mbajtën kumtesa: dr. Parid Alimhillaj, ALBCONTROL; dr. Gazmir Çela, UPT; prof. asoc. Albana Hasimi, UPT; Besian Hysaj, KANS, Kosovë.
Në përfundim të takimit, referuesit përcollën tematika dhe ide me rëndësi për zhvillimet bashkëkohore në sektorin e monitorimit meteorologjik e po ashtu dhe të aviacionit, dy sektorëve të rëndësishëm dhe jetikë për ekonominë e vendit. U theksua rëndësia që ka meteorologjia për fushën e transportit në përgjithësi dhe atij ajror në veçanti, por dhe për degë të ndryshme të ekonomisë, për emergjencat civile dhe sigurinë kombëtare.